Madhësia e njeriut sipas Buzzatit

Nga Arta Marku

“ISHTE BËRË ERRËSIRË TASHMË, KUR PORTA E BURGUT U HAP DHE ROJAT VËRTITËN BRENDA NJË PLAKUSH SHUMË TË VOGËL… MJEKRA E PLAKUSHIT ISHTE E BARDHË DHE GATI MË E MADHE SE AI VETË.

PËR SHKAK TË ERRËSIRËS, NË FILLIM AI NUK E VURI RE SE NË ATË LLOJ STROFULLI KISHTE NJERËZ TË TJERË, NDAJ PYETI:

-A KA NJERI KËTU?

IU PËRGJIGJËN TË ZGËRDHIRA DHE HUNGËRIMA. MANDEJ U BËNË, SIPAS ETIKETËS SË VENDIT, PARAQITJET E RASTIT.

-RIKARDONI MARÇELO, – THA NJË ZË I NGJIRUR, – VJEDHJE NË RRETHANA RËNDUESE.

-BEXADEJA KARMELO, MASHTRIM I PËRSËRITUR.

-MARFI LUCIANO, PËRDHUNIM.

-LAVATOROJA MAKS, I PAFAJSHËM.

OSHËTIU NJË BRESHËRI TË QESHURASH TË FORTA. SHAKAJA ISHTE PËLQYER SHUMË DUKE QENË SE TË GJITHË E NJIHNIN LAVATORON SI BANDITIN MË TË FAMSHËM E GJAKATAR…”

***

Jemi në një qeli burgu. Një qeli dingas me të burgosur. “Mysafiri” i ri është një plakush që mezi mbahet në këmbë. Sytë nuk i janë mësuar ende me errësirën. Quhet MORO I MADHI dhe është protagonisti i tregimit të Dino Buzzatit MADHËSIA E NJERIUT, pjesë e përmbledhjes KRYEVEPRAT. Historinë e MOROS TË MADHIT dua t’ju zbuloj:

***

Në atë qeli të padritë burgu ordiner, në njërën anë janë mashtruesit, vrasësit, përdhunuesit, vjedhësit, në anën tjetër plaku imcak e mjekërgjatë. E kanë rrasur brenda për të vetmen arsye se nuk ka dokument identifikimi. Jo vetëm që nuk ka por nuk ka pasur kurrë. Madje, mendon se s’ka ç’i duhet një i tillë…

Emri i tij, MORO I MADHI i bën të shkrihen gazit të burgosurit e tjerë. Se i rri i gjerë, e brenda tij ky plak imcak mund të hyjë 10 herë. Por plakut, emrin, të tjerët ia kanë vënë. E meqë të burgosurit veç kohën kanë të pakufizuar, Moro i Madhi u tregon atyre historinë e emrit të vet. Ja çfarë u rrëfen…

***

Moro leckamani mbërrin në qytet pas një rrugëtimi të gjatë. I uritur sheh, te porta e një pallati madhështor, shërbëtorë që venë e vijnë me tërë të mirat e Zotit ngarkuar. Duke menduar se aty bëhet festë, avitet për të kërkuar lëmoshë. Është i uritur. Por roja i lëshohet turr dhe duke ulëritur kërkon ta rrahë. Sipas rojës, plakushi ka kryer një vjedhje mbrëmë në atë pallat. Por imcaku betohet: për fjalën e MORO TË MADHIT! Nuk është vjedhës ai. Roja shkrihet gazit:

-E DI TI O PLAK SE KUSH ËSHTË MORO I MADHI?

Dhe Moro i Madhi qenkësh i zoti i këtij pallati madhështor, pasaniku më i madh i qytetit e ndoshta më i madhi në botë, mbuluar me pirgje floriri… e meriton të jetë I MADHI, apo jo? Pasaniku me siguri do ta ndëshkojë leckamanin që po ia përdor emrin… Por jo…

***

Moro i Madhi pasaniku e merr Moro të Madhin lypsarin, e fut në pallat, e ushqen e i rrëfen se edhe atij vetë i ka ndodhur kësisoj. Në një qytet në Indi, kur e pyetën si quhej, u ish përgjigjur: Moro i Madhi.

LEXO DHE :  Emrat/ Kush janë dy kandidatët e rinj që garojnë për kryeprokuror

Kurse indianët ia kishin kthyer:

-E Ç’MADHËSI MUND TË JETË E JOTJA O TREGTAR I RËNDOMTË. MADHËSIA E NJERIUT QËNDRON TEK MENÇURIA. MORO I MADHI ËSHTË VETËM NJË E JETON NË KËTË QYTET.

Kureshtar Moro i Madhi pasaniku shkon ta takojë Moro të Madhin tjetrin të cilin e nderojnë si perëndi. Padyshim gjeni i mendimit, ky nuk e ndëshkon adashin e vet që i paskësh përdorur emrin. Për më tepër, edhe pasaniku mund të ishte Moro i Madhi sepse madhështinë, sikurse çdo gjë tjetër, për ta perceptuar, ka rëndësi këndi prej nga e sheh. Moro i Madhi, shkencëtari, si i ditur që është, e di mirë këtë.

Sidoqoftë edhe ai ka historinë e vet për t’i rrëfyer Moro të Madhit pasanikut:

***

Moro i Madhi i dituri shkon në një ishull për qëllime studimi. Atje, kur e pyesin se si quhej e u thotë, padyshim, se ishte Moro i Madhi. Njerëzit indinjohen dhe ia kthejnë:

-E Ç’MADHËSI MUND TË JETË KJO E JOTJA, DHASKALUC I MJERË. MADHËSIA QËNDRON TE BËMAT HEROIKE.

Banorët e ishullit kanë Moron të Madhin e tyre. Dhe në këndvështrimin e tyre heroizmi ishte madhësia a madhështia, asgjë tjetër.

Menjëherë, Moro i Madhi i dituri shkon të takojë Moro të Madhin heroin i cili ka historinë e vet për të rrëfyer:

***

Moro i Madhi heroi, ish gjendur dikur në një tokë të largët, mes ca malësorëve të pagdhendur. Teksa kishte menduar se do t’i tmerronte sapo t’u thoshte emrin, hasi në një reagim të papritur. I paskëshin thënë:

-MORO I MADHI ËSHTË VETËM NJË NË KËTË BOTË DHE NE DO TË TË ÇOJMË TEK AI ME QËLLIM QË TI TË SHOHËSH LAVDINË E VËRTETË TË NJERIUT.

Sipas malësorëve madhësia qëndronte te PËRULËSIA E TRUPIT dhe LARTËSIMI I SHPIRTIT. Ata e udhëhoqën Moro të Madhin heroin nëpër një luginë të vetmuar, te një kasolle e mjerë ku ishte një plak zhelan, imcak e mjekërbardhë.

Moro i Madhi heroi, i befasuar, vuri re se KURRË MË PARË NUK I KISHIN ZËNË SYTË NJË QENIE NJERËZORE MË TË QETË, MË TË KËNAQUR dhe sipas të gjitha gjasave, TË LUMTUR…

***

Ky ishte rrëfimi i plakut imcak, në një qeli burgu, përballë kriminelëve, rrëfimi i MOROS TË MADHIT, i vetmi MORO I MADH i vërtetë… sipas tregimit MADHËSIA E NJERIUT të DINO BUZZATIT. Se fundja, si mund të matet ndryshe madhësia e njeriut në mos me MADHËSHTINË E SHPIRTIT… e cila, me shumë gjasë, prodhon LUMTURINË./dritare.net

***

TITULLI I TREGIMIT – MADHËSIA E NJERIUT

TITULLI I PËRMBLEDHJES – KRYEVEPRAT

AUTORI – DINO BUZZATI

PËRKTHEU – DRITAN ÇELA

BOTUES – OMBRA GVG

FAQE – 1016

ÇMIMI – 2500 lekë

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.