Lulzim Basha shokohet: Mëson se Qeti është Çet Kastrati

Lulzim Basha: Në fillim ne e përkrahëm protestën e kuksianëve sepse ata na thanë që ishte kundër koncesionit që i kishin dhënë një oligarku të quajtur Qet Kastrati. Se ne jemi parti kundër oligarkëve dhe koncesioneve. Nuk durojmë koncesione ne. Pastaj kur Flamuri na sqaroi që kuksianët i thonë ç-së q-ë, kuptuam se ishte Çeti. Këtu e kanë gabim kuksianët. Duhet të përpiqen ta njohin në thellësi.

Edi Rama: Duhet të ndajmë që ne nuk ecim me emra por me parime. Prandaj për ne nuk ka rëndësi nëse koncesionin e ka marrë Qeti apo Çeti. E rëndësishme është që paratë të shkojnë aty ku duhet. Së dyti, kuksianët këndojnë atë këngën: Se Luma e ka adet/nga nji luftë me e ba për vjet/nuk pyt mbret e as Dovlet? Mirë o mirë po çfarë të bën joti nuk ta bën as mbreti as dovleti.

Sali Berisha: Unë personalisht i uroj shërim të shpejtë atij kuksianit por gjithashtu i bëj me dije se jemi parti serioze që nuk merremi me të sëmurë. Kur ta vendosi që të vdesë, le të na lajmërojë që ti bëjmë një vdekje që të bëhet kauzë dhe varrimin do t’ia bëjmë madhështor.

Ilir Meta: Aman ç’na ngatërroni me këto tani?! Na lini rehat se akoma nuk e kemi marrë veten nga festimet e 1 qershorit.

Petrit Vasili: I këshillojmë shqiptarët që mos të paguajnë taksën. Kaq kemi në dorë ne, të japim mend. Pastaj të tjerat e diënë vetë ata. Se fundja paratë po deshën të bëjnë proteste, po deshën jo, për paratë e tyre po e bëjnë. Edhe burgun ata do ta bëjnë. Ne kemi kusurin të vijmë në pushtet.

Erion Veliaj: Sikur ai një mijë lekëshi i taksës të shkonte për gjelbërimin, mirë do ishte. Më ka mbetur pylli orbital në mes, midis pjesës veriperëndimore që kufizohet me prerjen juglindore të unazës qarkulluese të re të juglindjes së qytetit.

Koço Kokëdhima: E mirëkuptoj protestën e shokëve kuksianë, por problem i tarifës duhet parë. Nëse është ekuivalentja e një cigareje hashash për qëllime mjekësore, është e gabuar./dritare.net

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.