Lirimi i Haradinajt/ Bushati: Kosova fitoi, kishin për qëllim ta destabilizonin
Dritare.net
Njoftimi i plotë
MPJ mirëpret dhe përshëndet vendimin e Gjykatës së Kolmarit, Francë, për lirimin e zotit Ramush Haradinaj, duke e çliruar atë nga të gjitha akuzat e paraqitura nga autoritetet e Serbisë. Në këtë mënyrë, gjykata franceze konfirmon vendimet e mëhershme të dy shkallëve të Gjykatës Ndërkombetare për ishJugosllavinë e cila e shpalli zotin Haradinaj të pafajshëm.
Ministri Bushati e përshëndeti vendimin e gjykatës franceze dhe përcolli urimet vëllazërore për të gjithë popullin e Kosovës duke u shprehur se: “Drejtësia vonon, por nuk harron! Mirë se të vish në atdhe Ramush Haradinaj!”. MPJ e konsideron vendimin si një fitore të të vërtetës dhe të drejtësisë ndaj akuzave krejt të pabaza dhe të motivuara politikisht, të cilat, që në krye të herës kane synuar të përbaltin një autoritet politik e publik, të destabilizojnë shtetin e Kosovës, dhe të barazojnë përpjekjet e popullit të Kosovës dhe të UÇK-së për liri e mëvetesi me krimet monstruoze të regjimit të Millosheviçit.
MPJ përserit qëndrimin e saj se Serbia duhet të heqë dorë nga përdorimi i urdhërarresteve si formë presioni ndaj Kosovës. MPJ beson se avancimi i rajonit në proceset euroatlantike ka në themel forcimin e bashkëpunimit dhe politikën e fqinjësisë së mire, për çka Shqipëria ka qenë dhe mbetet tërësisht e angazhuar. Kosova shtet është një realitet i patjetërsueshëm. Marrëdhëniet vëllazërore midis Shqipërisë dhe Kosovës, janë stabilizuese për rajonin dhe orientuese për të ardhmen tonë të përbashkët Europiane.