Liria e shprehjes dhe kufizimet e saj

Nga Denisa Daka

Dikur shpifja shkaktonte mosmarrëveshje e drama të vërteta mes shqiptarëve, ndërsa  tashmë shumë syresh i japin të drejtë vetes të shpifin e trillojnë gjëra të paqena, të përhapin fjalë të rreme për të njollosur shok-shoqin, nderin a emrin e tyre  të mirë, për synime e interesa te caktuara, të cilat  sjellin jo pak çrregullime në marrëdhëniet njerëzore. E kjo trajtë komunikimi  përveçse e papranueshme, përben dhe vepër penale dhe është e dënueshme sipas ligjit shqiptar. Në Gjykatat respektive shqyrtohen e gjykohen çdo ditë dhjetëra raste të tilla, ndërsa në Kodin Penal një dispozitë e posaçme klasifikon shpifjen, përhapjen e qëllimshme të thënieve si dhe çdo informacioni tjetër të rremë përfshi dhe publikimin e fakteve apo deklaratave të pavërteta për të cilën publikuesi ka pasur dijeninë  për pavërtetësinë e tyre,  kuptimi a reklamimi i së cilave cenon nderin dhe dinjitetin e personit.

Cilitdo individ prekur në këto kushte nga shpifja e dikujt, mund të kërkojë përmes një procedure gjyqësore, fajësinë e cilitdo që rezulton të ketë shpifur kundra tij, duke detyruar palën akuzuese ose te paditurin të ndalë shpifjen në të ardhmen si dhe të kompensojë dëmin moral të shkaktuar nga veprimet specifike, përveç kur provon që për shkaqe të posaçme duhet të përjashtohet nga përgjegjësia civile apo penale nga një rast i tillë. Përgënjeshtrimi lidhur me një opinion apo shkrim të caktuar, është një tjetër element i rëndësishëm që vendoset në këto gjykime, përfshi këtu dhe ndjesën publike karshi personit të dëmtuar nga vepra penale.

E në të gjitha rastet kur shpifja kryhet ndaj dikujt që ka ndërruar jetë, të drejtën për të nisur një proces gjyqësor në këtë rast e kanë trashëgimtarët e tij. Ndërsa në Kodin Civil një tjetër dispozitë e posaçme i jep të drejtën çdo të dëmtuari gjithashtu ndodhur në këto kushte, të kërkojë shpërblimin e dëmit jo pasuror duke kërkuar caktimin e përgjegjësisë së secilit, si dhe masën e dëmit të shkaktuar (dëm biologjik, moral dhe ekzistencial), në të cilën përfshihen cenimi i të drejtave dhe personalitetit të njeriut apo të familjarëve të tij në botën e jashtme, duke tronditur objektivisht jetën e përditshme, veprimtarinë a cilësinë e jetës së tyre.

Në të gjitha rastet, i padituri ose i akuzuari, kanë barrën e provës për të dëshmuar apo për të provuar vërtetësinë e deklaratës së tyre apo fakteve të caktuara, publikuar nga ana e tyre. Ligjet përkatëse, kanë për qëllim të disiplinojnë përgjegjësinë civile apo penale të individëve lidhur me shpifjen, por pa mohuar të drejtën e lirisë së shprehjes, garantuar dhe kjo e fundit me akte të posaçme.  Konventa “Për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të tij”, njëra nga aktet bazë miratuar për këtë qëllim, garanton lirinë e shprehjes si një të drejtë themelore, përfshi këtu dhe lirinë e opinionit apo lirinë për të marrë ose  dhënë informacione a mendime, pa ndërhyrjen e  autoriteteve publike. Çdo njeri ka të drejtën e përcjelljes së opinionit të tij, gjë që presupozon të drejtën për të mos u prekur për këtë shkak  dhe në rastet kur  këtë të drejtë vendos ta zhvillojë nëpërmjet çdo mjeti të mundshëm, kufij të cilat kanë përparësi ndaj çdo ligji. Liria e fjalës,  i nënshtrohet padyshim disa kushteve, kufizimeve por dhe sanksioneve përkatëse, në mënyrë që kjo e drejtë të mos përplaset me interesin publik, duke u siguruar në çdo rast një ekuilibër i qëndrueshëm pa i kaluar kufijtë e pranueshëm .

LEXO DHE :  PS: Sandër Lleshi s’ka të drejtë të heqë gradën

Ndërkaq, ndryshimet që po parashikohen për t’u vendosur në Kodin Penal, si masa rënduese lidhur me “shpifësit”, nuk duhet të prevalojnë kurrsesi mbi kufijtë e lirisë së shprehjes, pasi publikimi dhe diskutimi i çështjeve me interes për publikun përmes mjeteve të informimit publik ka një rol parësor në jetën e secilit dhe për këtë arsye maksimalizimi i parimit të lirisë së shprehjes duhet të jetë prioritet në cdo rast dhe jo e kundërta. Nëse këto masa do të vendosen në Kodin Penal, shpresoj shumë që një qytetar, gazetar a një organizatë e caktuar, të ketë guximin a kurajën në rast të kundërt, të dërgojë për shpifje cilindo nga shtetarët këtu, në rastet e publikimit të një lajmi të gënjeshtërt e të pavërtetë, duke kërkuar përpara gjykatës, deklarimin fajtor të këtij të fundit, qoftë dhe me gjobë. Nëse është vendosur që “pas hekurave”, në emër të fjalës së lirë, të shohim gazetar botues a qytetarë, që me kurajë e gjithë të drejtën e tyre, kërkojnë të përcjellin opinionet a qëndrimet për një fenomen a tezë të caktuar, duhet doemos për raste analoge pas atyre hekurave  të qëndrojnë dhe politikanë a shtetarë, të cilët me shpifjet a strategjitë e shpifjeve të tyre në shumë raste, dëmtojnë çdo ditë imazhin dhe interesat e këtij vendi.

“Disiplinimi” i situatës me “shpifësit”, shpresoj shumë mos t’i ngjasojë një hakmarrjeje të verbër. Kritika e kundërshtia janë parime të një debati të drejtë e të vlefshëm e kundërta e papranueshme absolutisht./dritare.net

 

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.