Eh pra! Ministrja e vogël e arsimit, do të vijë në fakultete me pyetjen se ç’duhet t’i ndryshohet ligjit. Sepse vetë ligji i projektuar tashmë nga Rama dhe privatçinjtë e vet nuk duhet të ndryshojë, pasi tregu i interesave në këtë dyqan të madh që quhet universitet nuk ka ndryshuar për shtet-bandë të mercenarëve në luftën me publiken. Pra ministrja do të na thotë se kur studentët kundërshtojnë, kryeministri ndërton grupe pune gjithnjë me njerëzit e vet. Harton VKM si balloma mbi pantallona që janë bërë për në plehra, por që mund t’ia shesim të gjithëve për pantallona mode. Injorantët e pushtetit kanë nevojë për injorancën publike, për injorancën e përgjithësuar.
Pra ministresha do të pyesë studentët se çfarë kanë kundër ligjit, kur këta studentë të gjorë nuk mund të kuptojnë një ligj që në vend që të jetë i arsimit, është ligj i tregtimit të arsimit.
Dhe nëse nuk kemi shumë pedagogë të ndritur, problemi qëndron se ata që na drejtojnë nuk kanë asgjë prej drite. Studentët që vijnë në fakultet, vijnë prej errësirës ku po zhyten gjimnazet që po heqin fizikën dhe kiminë dhe gradualisht po e bëjnë të detyrueshëm fotoshopin.
Në këtë errësirë të plotë, ai që ka të drejtë të lëshojë dritë është vetëm kryeministri dhe banda e tij cinike dhe injorante. Ata ndriçojnë me lëndën e vetme që mbetet: dhunën e ekzekutivit. Kanë nisur të kërcënojnë edhe prindët e studentëve që ngrenë krye. Sepse qëllimi vijon të mbetet i njëjti: shqiptari nuk duhet të ngrejë krye kundër mjerimit të vet. Lejohen vetëm protesta militantësh që bëjnë rotacionin e hajdutëve. Për shqiptarët nuk do të ketë as shkolla të ngrohta, as teatro historikë, as muze e as galeri, as bibliotekë. Nëse ka mbetur ndonjë dije, ajo duhet të jetë e domosdoshme në personin e kryeministrit, ose rastësore dhe e rrezikshme, pra të zhduket.
Pyetjet “si e mendojmë universitetin?”, “cila është natyra e universitetit?”, “cili është dallimi i tij me formacionet e tjerë të arsimit të lartë?”, “sa janë universitarë këta formacione dhe cilat janë marrëdhëniet e tyre me universitetin?”, “sa i mundshëm është universiteti për individët dhe sa janë të mundshëm institucionet profesionalë për komunitetet e zejeve?”, të gjitha këto pyetje pra duhet të bëheshin thelbi i shqetësimit të tërë shoqërisë. Përndryshe, universiteti do të mbetej çështje moshe dhe jo pjekurie, çështje kalimtare dhe jo thelbësore. Por ministresha me masterin e saj nuk di më shumë se ç’dinte matematika e Linditës. Tani shpresojmë që një ditë të lindë një brez, ndoshta edhe ka lindur, që të drejtojë pyetje mbi natyrën e gjërave ku zbraz kohën e vet dhe xhepat e brezit paraardhës.
- Përpara se të ndërtoni një ligj ndërtoni një përfytyrim mbi rolin, natyrën dhe domosdoshmërinë e universitetit në Shqipëri,
- Ndërtoni pra dhe një ide mbi çfarë do të thotë Shqipëri. As mos guxoni të vendoseni në qëndrimin reformator kur nuk keni bërë asnjë pyetje të tillë mbi natyrën e institucionit dhe interesin e tij kombëtar.
- As mos mendoni se keni bërë ndonjë ligj të arsimit të lartë kur në fakt nuk keni bërë gjë tjetër veçse keni kopjuar një model që i shërben bindjes suaj për me i shërby tregut. Ju keni ndërtuar vetëm një shitore të madhe ku stuedentët lënë paratë e tyre dhe ato shpërndahen mes misionarëve tuaj.
- Keni krijuar një ide të tregut që grumbullon paratë e gjynahqarëve dhe i ndan te shefat injorantë dhe bandat e parave që kanë për kënaqësi vetëm të rrjepin të tjerët, pasi nuk kanë ndjerë kurrë se ç’do të thotë ngazëllim i shkencës apo entuziazëm i talentit.
- Keni ndërtuar një ligj që kopjon shijet e dikujt që na paska jetuar në një sistem apo model, që për më të keqen e vet nuk ka asnjë lidhje me atë që është ndërtuar si sistem deri tani, as me arsyet që janë përdorur deri tani në arsimin tonë.
- Apo dhe më keq, keni fabrikuar një ligj sipas interesit të universiteteve të shpikur, në një demokraci të paditur e të çoroditur, kundër universiteteve tradicionalë që u ndërtuan në një sistem të prapambetur e të izoluar.
- Keni ndërtuar një ligj me specialistë ministrie që u quajtën të tillë aty për aty, ndërkohë që breza të tërë që kalojnë nëpër shkollat e sotme dëmtohet në ind prej injorancës së përkryer të këtyre specialistëve. Këta e fshehin injorancën e tyre pas librave të Oxfordit, por jo pas ndonjë formimi sociologjik, antropologjik, filozofik, historik apo ekonomik.
- Injorantët më të mëdhenj i keni bërë shefa dhe me ndonjë plagjiaturë kanë siguruar të tëra gradat njëherësh. E me këto grada, janë bërë aq shefa të së keqes sa e kanë fundosur shumë më tepër në të pamundurën ringjalljen e aftësive në këtë vend.
Marrë nga Facebook-u i autorit