Ligji i ri/ Urdhër mbrojtje edhe për të dashurat në lidhjet afektive

Nga muret e shtëpisë deri te përgjakja e rrugëve, dhuna në familje është kthyer në një shqetësim në rritje që ka shtyrë Qeverinë të ndërhyjë me një projektligj që aktualisht po shqyrtohet në komisionet e Kuvendit.

Risitë janë të ndryshme, por ajo që bie në sy është se drafti shkon përtej institucionit të martesës dhe parashikon si rastet e bashkëjetesës, ashtu edhe ato të marrëdhënieve apo lidhjes afektive në çift. Thënë ndryshe, një vajzë mund të gjejë mbrojtje edhe nëse personi që e dhunon ka thjeshtë statusin e të dashurit.

Përveç Urdhrit të Mbrojtjes shtohet edhe Urdhri Paraprak i Mbrojtjes së Menjëhershme. Sipas hartuesve të draftit, është vënë re se 24 apo 48 orët e para nga momenti kur një grua paraqitej në polici për të kërkuar mbrojtjen e shtetit e deri te lëshimi nga gjykata i këtij urdhri, ishte harku kohor brenda të cilit regjistroheshin edhe ngjarjet më të rënda. Ndryshimet ligjore propozojnë që një grua të përfitojë menjëherë nga Urdhri Paraprak i Mbrojtjes, duke nisur nga momenti që e kërkon atë pranë autoriteteve të rendit, deri kur gjykata do ta konfirmojë atë apo jo.

LEXO DHE :  Një herë i dehur, e tani me këpucë ndryshe. Ç’po ndodh me presidentin e KE!

Një tjetër risi ka të bëjë me të miturit. Për herë të parë, me urdhrin e mbrojtjes për nënën automatikisht do të garantohet urdhri i mbrojtjes për fëmijët, edhe nëse mbi ta nuk është ushtruar dhunë e drejtpërdrejtë.

Projektligji i propozuar nga Ministria e Shëndetësisë, parashikon edhe ngritjen e qendrave të emergjencës për trajtimin e menjëhershëm të viktimave të dhunës në familje./ I.M-Dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.