Liçencat Perëndimore për gardhe në Ballkan!

Nga Mero Baze

Kur isha si gazetar në Konferencën e Rambujesë në shkurt 1999, për dy javë rresht dilte gjithnjë një shqiptar, i afërt me delegacionin e UÇK, që thoshte në tavolina se “ka thënë CIA, nuk duhet me e firmos marrëveshjen”. Dhe dukej sikur e kishte seriozisht.

Edhe pse Kris Hilli plaste kokën përditë me Hashim Thaçin dhe delegacionin, për t’i çuar drejt marrëveshjes, edhe pse Ollbrajti mori dy herë avionin special për të ardhur deri aty, vëmendja ishte vazhdimisht tek ai tipi, që seç njihte një nga CIA, që i thoshte se ashtu është një punë, por nuk duhet firmosur.

Për fat, në fund gjithçka shkoi mirë dhe ai tipi u harrua, por në fakt ishte e lodhshme ta përballoje konspiracionin e madh kundër marrëveshjes, që mes shqiptarësh shfaqet sa herë ka probleme të mëdha.

E njëjta histori po përsëritet tani. Hashim Thaçi është realisht në pozitë të vështirë dhe nuk ka nevojë as ta pushkatojmë pa gjyq, dhe as t’i bëhemi badigardë për ndonjë gjest kamikazi.

Bisedimet me Serbinë janë të vështira, jo vetëm nga pikëpamja politike, por dhe nga pafuqia për t’i diktuar gjërat që mendon se duhen zgjidhur teorikisht. Sot Serbia nuk është ajo e Marrëveshjes së Kumanovës, ku firmoste si humbëse, por një shtet që po ulet të bëjë pazar për kufijtë e Kosovës, se është rehabilituar në Perëndim.

Në këto kushte, garanti i vetëm i kësaj marrëveshje duhet të jetë vetëm Perëndimi, por jo ai Perëndimi i telefonit të prishur, si i atij tipit që na sillej nëpër këmbë në Rambuje.

Spekulimi se presidenti Thaçi dhe presidenti Vuçiç kanë me vete SHBA dhe BE për të ndryshuar kufijtë, është thjeshtë spekulim. Shtetet kryesore të Bashkimit Europian kanë humbur durimin nga ky debat publik dhe vende si Gjermania, që janë në krye të BE, janë tashmë dhe të nervozuara publikisht. Biles Gjermania po mendon dhe të marrë hapa konkrete kundër kësaj marrëzie.

Franca është me tone të egra dhe ka shtuar pikëpyetjet rreth politikës së zgjerimit në Ballkan. Britania e Madhe, si sponsore e lirisë së Kosovës, po ashtu. Vendet e tjera të rajonit janë tërësisht kundër.

LEXO DHE :  Bastet e lagjeve, bastet monopol apo bastet online?

SHBA është investuesja kryesore e lirisë së Kosovës dhe kufijve të saj, dhe nuk është as në parimet e saj dhe as në metodën e saj, ta lërë këtë çështje në debat tavolinash.

Këto idetë konspirative, se SHBA qëndron pas ndryshimit të kufijve në Ballkan, që do të ishte produkt i bisedimeve mes dy presidentëve, janë banale. Për më tepër, ndaj dy presidentëve që operojnë në dy shtete formalisht demokratike dhe që nuk kanë konsesus politik kombëtar për këtë që bëjnë.

I vetmi angazhim serioz i Perëndimit do të ishte një “Rambuje 2”, që t’i jepte legjitimitet një marrëveshjeje historike mes shqiptarëve dhe serbëve, nën garancitë e tyrë. Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç, nuk mund të bisedojnë dot asgjë pa një garantë ndërkombëtarë, pasi ata nuk bindin dot askënd brenda shtetit tyre, dhe jo më t’i japin shans një marrëveshjeje historike, që garanton paqe.

Por një konferencë e dytë ndërkombëtare, brenda kornizës së garancisë së NATO-s dhe BE, do të ishte një kthim mbrapa në kohë dhe investim i dështuar, ndërkohë që Perëndimi e ka më lehtë të zgjerojë Europën drejt Ballkanit, se sa të çojë problemet e Ballkanit në Europë.

Nëse të dy shtetet i vendos në një truall të ri sigurie, siç është NATO, dhe nën një ombrellë të re lirish, siç është Bashkimi Europian, ky debati i sotëm do të duket qesharak pas disa vitesh. Por sot mund të prodhojë më shumë gjak, se sa shpresë.

Legjendat urbane se pas këtyre marrëveshjeve fshihet Perëndimi, janë skizofreni. Perëndimi nuk fshihet pas askujt, por udhëheq procese të tilla. Perëndimi nuk jep dhe nuk duhet të japë më liçenca për gardhe në Ballkan. Shpëtimi vjen nga shtyrja e gardhit të Europës në Ballkan.

Nëse bie kjo shpresë për Ballkanin, nëse ëndrra për t’iu bashkuar Europës vdes, nuk ka nevojë për bisedime. Gjërat do zgjidhen siç janë zgjidhur. Me masakra!/ TemA

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.