Letër Kryeprokurorit: A dëshiron të mbahesh mend si Aleksandri i Madh a si shoku i Haxhi Dërgutit?
Dritare.net
Nga Berat Buzhala
I nderuar Kryeprokuror, Kosova është duke i humbur dhjetëra miliona euro në arbitrazhe. Kjo po bëhet në mënyrë të qëllimshme. Prapa fituesve të këtyre kontesteve (Blerim Devolli) fshihet e gjitha klasa politike, Qeveria dhe opozita. Ju jeni diga e fundit. Me këto para të humbura do të mund të shpëtonim shumë fëmijë prej leukemisë, shumë gra e burra nga kanceri.
Edhe sikur t'i kombinojmë të gjitha krimet e supozuara ekonomike, duke përfshirë edhe rastin e Azem Sylës, nuk janë as përafërsisht të dëmshme për buxhetin e Kosovës, sa humbjet që do t'i pësojmë nga disfatat në Gjykatën e Arbitrazhit, përfshirë këtë të fundit të PTK-së kundër kompanisë së Blerim Devollit, gjegjësisht “Z-Mobile”.
Ditë më parë u arrestuan pothuajse të gjithë policët e Mitrovicës nën dyshimin për marrje të mitos. Nuk jam thelluar në këtë lëndë, por jam i bindur që nuk mund të flasim për miliona euro dëme që ata ia kanë shkaktuar vendit. Në anën tjetër ata policë, ashtu për faqe të zezë si paskan qenë, të korruptuar e matrapazë, në ndërkohë, gjatë kohës kur nuk kanë vjedhur, e kanë kryer edhe ndonjë punë të mirë për shtetin.
Ose, edhe dhjetëra raste të tjera të arrestimeve për korrupsion në vendin tonë. Sigurisht që është mirë që arrestohen. Sepse në këtë mënyrë krijohet një ambient më i sigurt për të jetuar. Kapja e hajnave të makinave, por edhe e atyre që marrin guximin të futen në shtëpitë tona për të na plaçkitur - siç të ndodhi rasti edhe ty Kryeprokuror - janë të domosdoshme. Mirëpo... Një “mirëpo” e madhe. Një “mirëpo” kritike: A nuk do të duhej që Prokuroria dhe Policia ta kishin pak parasysh edhe relevancën e krimit?
A nuk do të duhej që Prokuroria në agjendën e saj të kishte prioritete, se në çfarë drejtimi do të harxhojë më shumë energji dhe resurse njerëzore, pra policë hetues, e ku më pak?
Për shembull, cilën lëndë do të duhej ta kishin Policia dhe Prokuroria me më shumë prioritet: hetimin e kolegut të tyre që i ka vjedhur në komunikacion 5 euro, ose një shujtë me qebapë, apo atë ku besohet që i gjithë aparati shtetëror është i përfshirë, e ku buxheti do të dëmtohet me 30 milionë euro? Në këtë rast, i nderuar Kryeprokuror, cili është prioriteti i Prokurorisë? Në ato mbledhjet e juaja të mëngjesit, që po besoj i mbani të rregullta, cilës do t'i jepnit përparësi?
Sigurisht që edhe ju, z. Kryeprokuror, sikur të gjithë ne, keni jetuar gjatë pjesës kryesore të jetës në Kosovë. E dimë që edhe rritja dhe zhvillimi në karrierë i ka zigzaget e veta. Nuk jemi naivë të besojmë që duke mos e bërë asnjë kompromis, me askënd, është e mundur të shkosh aq lart, duke u bërë dorëzani kryesor për mbrojtjen e interesave të shtetit, pra Kryeprokuror i Shtetit - njëra prej tri ose katër pozitave më të rëndësishme në Republikë.
Në rregull është kjo. Në jetë të gjithë bëjmë kompromise, shpesh të dhimbshme. Shpesh edhe pendohemi. Por njerëz jemi. I kemi huqet dhe cenet tona. Vetëm protagonistët kryesorë të Biblës dhe të Kuranit i kemi pa të meta. Mirëpo... Prapë një “mirëpo” e madhe. Po aq kritike: A nuk do të duhej që kompromiset të cilat i bëjmë të mos jenë aq të mëdha, sa ta bllokojnë tërësisht pamjen e veprimtarisë, ose asaj për të cilën jemi zgjedhur?
I nderuar Kryeprokuror, siç edhe mund të jesh në dijeni prej reagimeve të shumta, muajve të fundit, njerëzit e politikës, me ndihmën e profesionistëve nëpër Borde të ndryshme dhe pozita ekzekutive, e kanë shpikur një formë të re të korrupsionit, të cilën ekonomisti Lumir Abdixhiku e quajti "Korrupsion i sofistikuar" dhe të ngjashëm me disa modele të përdorura nga shtetet e ish-bllokut sovjetik.
Ka edhe shumë modele të tjera të ngjashme në shtetet afrikane, ku liderët e korruptuar futen në raporte të pista me ndërmarrjet private, duke e improvizuar humbjen e një beteje ligjore, në mënyrë që pastaj ta ndajnë në mes vete paranë e humbur publike.
Në të njëjtën frymë ka reaguar edhe ekonomisti tjetër i njohur, Kujtim Dobruna, i cili thotë se shteti po bën favore të padrejta dhe se kreativiteti i udhëheqësve të vendit për vetëshkatërrim "nuk ka fund".
Nëse të duhet edhe mendimi i një juristi, atëherë atë mund ta gjesh edhe në një status të avokatit Dastid Pallaska. Ai thotë se faji për këto dënime nuk është në Gjykatën ndërkombëtare, por te zyrtarët e Kosovës. Esenca është kjo, i nderuar Kryeprokuror:
Gjykata ndërkombëtare ka sjellë vendim që PTK-ja të dënohet me rreth 30 milionë euro, në favor të kompanisë së Blerim Devollit, për mospërmbushje të kontratës për telefoni mobile. Ne të gjithë e dimë që ajo kontratë në vetvete ka qenë kriminale, por tash ajo vetëm sa është shndërruar në një kontratë monstruoze. Përveçqë “Z-Mobile” po i merrte shtetit, pra PTK-së, rreth 7 milionë euro në vit, tash do t'i marrin shtetit edhe 30 milionë euro të tjera, duke shkatërruar një kompani të madhe publike, ku punojnë mijëra qytetarë tanë. Është naive të mendohet se kjo ka ndodhur krejt rastësisht. Se Blerim Devolli qenka zgjuar një ditë në mëngjes dhe ka vendosur që ta çojë një lëndë në Arbitrazh. Jo, z. Kryeprokuror, dikush është përkujdesur që të mos e respektojë këtë kontratë, që pastaj të njëjtën ta humbasë në Arbitrazh, e që pastaj të humben dhjetëra miliona euro, e që si pasojë mijëra punëtorë të mbesin pa punë, në mënyrë që Blerimit t'i përmirësohet edhe pak më shumë mirëqenia sociale. Më herët, në këso forma, në vitin 2012, PTK-ja i kishte humbur edhe rreth 10 milionë të tjera në Arbitrazh, ndaj një kompanie tjetër. Një humbje e tillë po na pret edhe ndaj kompanisë “Axos”, me gjasë në vlerë edhe më të madhe sesa kjo kundër Blerimit. Rreth 5 milionë euro i humbëm edhe në rastin e pasaportave. Kur isha pak më i ri, e pata lexuar librin “Alkimisti” të Paolo Coelho, shkrimtar për të cilin nuk e kam ndonjë respekt të veçantë, por që e mbaj mend një fjali: Nëse një gjë ndodh vetëm një herë, ka mundësi të mos përsëritet kurrë më, por nëse ndodh dy herë, atëherë gjasat janë të mëdha që do të përsëritet shumë më shpesh. Kjo po ndodh me ne. Nuk po flasim për raste të izoluara, por për praktikë të rregullt dhe të qëllimshme.
Në fund, nëse do të ketë fund, dëmi ndaj buxhetit pritet të jetë rreth 100 milionë euro. Pyetja ime për ju, z. Kryeprokuror, është e thjeshtë: Pse nuk i thirrni në përgjegjësi ata që i kanë bërë këto gabime kaq të shtrenjta? Kush ishin zyrtarët e PTK-së që nuk e zbatuan atë kontratë të mallkuar, që pastaj ne t'i humbim edhe 30 milionë të tjera?
Është ironike të mendohet që dikush duke mos e zbatuar kontratën ka dashur ta mbrojë PTK-në. Sepse po të kishte qëllime të mira ndaj PTK-së, kjo kontratë nuk do të aprovohej në krye të herës, duke ia zhvatur profit të gatshëm rreth 7 milionë euro çdo vit. Sa për informatë, z. Kryeprokuror, vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit është shumë meritor. Aty nuk ka asnjë dyshim për korrupsion. Gjyqtarët e nderuar në këtë instancë kaq të lartë nuk e kanë në mandatin e tyre që t'i marrin parasysh intrigat e poshtra ballkanike. Ata marrin vendim prej çfarë shohin të shkruar në letër. Dhe në bazë të asaj që shkruan në letër Blerim Devolli është viktimë. Sa qesharake tingëllon kjo.
Dhe çfarë po pret më tepër, z. Kryeprokuror? Pse nuk e merr atë aktgjykim të Gjykatës së Arbitrazhit dhe të kërkosh përgjigje në PTK, për moszbatim të kontratës? Pse nuk i pyet për humbjen e vitit 2012? Pse nuk pyet për pasaportat? Pse nuk pyet për “Axos”-in? Edhe sa dëme duhet të bëhen që të fillosh punën, për të cilën je i kontraktuar?
Me fjalë të tjera, Aleksandër, tash është momenti që të vendosësh nëse dëshiron të mbahesh mend si Aleksandri i Madh, apo si shoku i Haxhi Dërgutit, prokurorit të caktuar politikisht nga PDK-ja, që është si komisar afër teje.
Krejt në fund, për ta pasur edhe më të qartë se për çfarë po flasim, atëherë po të jap edhe disa informata shtesë. “Z-Mobile” është kompani me pronar Blerim Devollin. Ky i fundit, sipas të gjitha gjasave, e ka korruptuar gjithë skenën politike në vend, Qeveri dhe opozitë. Raportet e tij janë të shkëlqyeshme, pothuajse të një partneriteti afarist, me Presidentin e vendit, z. Hashim Thaçi, me shumicën e udhëheqësve të PDK-së, me zyrtarë të lartë të LDK-së, me forcat opozitare. Ai ka raporte speciale me Komunën e Prishtinës, gjegjësisht me kryetarin Shpend Ahmeti.
Z. Kryeprokuror, ajo çfarë edhe më tutje ne nuk e dimë është: nëse edhe ju, bashkë me stafin, jeni në listën e rrogave të Blerimit. Nëse nuk jeni, atëherë i keni të gjitha mundësitë që të tregoni vendosmëri për mbrojtjen e parasë publike. Nëse Kosova nuk do t'i humbiste këto dhjetëra miliona, ndoshta qindra, atëherë me to do të mund të sanonim gjithë problemet në shëndetësinë tonë. I dashur Aleksandër, me këto mjete në dispozicion, shumë më pak fëmijë do të vdisnin nga leukemia; shumë më pak të rritur do të vdisnin nga kanceri; Prishtina do të mund të ishte më e pastër, sepse do të mund t'i pajisnim blloqet e termocentraleve me filtra më modernë. Shumë punë do të mundë të bëheshin me 100 milionë euro. Duke i dhënë Blerim Devollit 30 milionë euro, në mënyrë krejtësisht jomeritore, ne vetëm do t'ia përmirësojmë standardin jetësor - edhe ashtu të shkëlqyeshëm - atij dhe familjes. Por jo vetëm atij. Prej këtij buxheti kaq të madh - dhe kaq të rrezikshëm - do të përfitojë në mënyrë barbare edhe skena politike. Këto para do të përdoren në fushata zgjedhore, duke i shkaktuar dëm të madh demokracisë. Partitë e reja, me ide të reja, e kanë të pamundur të konkurrojnë në zgjedhje. Aleksandër, dëmi është i shumëfishtë. Tash është në dorën tënde të lëvizësh. Pas disa ditësh, ose javësh, do të të pyes prapë me anë të një editoriali, nëse ka diçka konkrete në këtë drejtim. Sigurisht, nëse do të jemi prapë në pikën zero, përfshirja jote në pazare të pista do të bëhet shumë më e mundshme.