Le Monde shkruan për protestat në Rumani: Ja çfarë po ndodh!
Dritare.net
Kush është Liviu Dragnea?
Fitues i bujshëm i zgjedhjeve legjislative të organizuara në dhjetor të vitit 2016, ai nuk mundi të bëhej kryeministër për shkak të dy dënimeve gjyqësore. Një dënim me dy vjet me kusht për mashtrim elektoral, i cili u bë i formës së prerë në vitin 2016.
Dënimi tjetër, në qershor, tre dhe një vjet e gjysëm, për abuzim me fondet publike, dënim të cilin ai e ka apeluar. Ai është gjithashtu duke u paditur në një rast të tretë të përvetësimit të fondeve evropiane. Megjithatë, ligji rumun kërkon një skedinë të pastër kriminale për t’u bërë kryeministër.
I ballafaquar me këto pengesa, z Dragnea i kishte shpjeguar gazetës Le Monde në dhjetor 2016, vetëm disa ditë para fitores së tij zgjedhore, se “kishte një plan.” Fitorja e gjerë prej 46% të votave, ia mundësoi Dragneas për ta zbatuar në mënyrë këmbëngulëse planin në fjalë, megjithëse opozita e rrugës dhe presidenti liberal, Klaus Iohannis, ja ndërlikuan planet.
Që nga kreu i Dhomës së Deputetëve, ku ai u zgjodh, Dragnea ka qenë me të vërtetë në gjendje të shkarkojë tre kryeministra njëri pas tjetrit, pas kritikave që ata i bënë për dobësimin politik të drejtësisë. Por ai vetë beson se është një viktimë e abuzimeve të luftës kundër korrupsionit. Ai ka denoncuar disa herë ekzistencën e një “shteti paralel” në sistemin e drejtësisë që do të “kontrollojë vendin”.
Cilat janë ofensivat e qeverisë kundër ndjekjes penale kundër korrupsionit?
Institucion i frikshëm për politikanët rumunë, por i respektuar nga popullata, zyra e prokurorisë kundër korrupsionit (ADN në rumanisht) është objektivi kryesor i saj. Duke u bërë jashtëzakonisht efektive nën presionin e Bashkimit Europian, në të cilin Rumania u pranua në vitin 2007, ADN ka hetuar qindra raste që përfshijnë politikanë të të gjitha niveleve. Një murtajë e vërtetë në vend, korrupsioni, nën mbrojtjen e ADN-së, u kthye në subjektin e një lufte të ashpër.
Gjithashtu, për disa politikanë, sjellja e prokurorisë ka qenë më e ashpër seç duhej. Për shembull, në rastin e dënimit të z.Dragnea, dënimi me tre vjet e gjysëm burg erdhi për një akuzë punësimi fiktiv, në të cilën vlerësohej se ishte krijuar një dëm prej 24 mijë eurosh. Si të mos mjaftonin këto dënime të rënda, disa dosje u përgatitën dobët nga prokuroria dhe u kthyen në bumerang, duke u pushuar çeshtjet.
Shkarkimi i shefes së ADN Laura Codruta Kovesi.
Qeveria e drejtuar nga Viorica Dancila, bashkëpunëtore e afërt e shefit të shumicës Dragnea, ja arriti të shkarkojë në korrik shefen e prokurorisë antikorrupsion Laura Codruta Kovesi. Kjo figurë e drejtësisë rumune u largua nga funksionet e saj pas një kundërshtie të gjatë dhe të fortë me qeverinë dhe presidentin Klaus Iohannis. Ministri i drejtësisë ngriti kritika ndaj prokurorisë për shkelje të Kushtetutës dhe për prishjen e imazhit të Rumanisë në botë, gjatë komunikimeve të shumta që prokurorja Kovesi kishte me shtypin ndërkombëtar, në të cilat denonconte veprimtarinë e qeverisë rumune.
Kush demonstroi natën e së premtes?
Edhe pse shkarkimi i Kovesit dhe këto nisma të qeverisë kanë provokuar protesta të forta nga qeveritë perëndimore dhe shoqatat e magjistratëve, ato megjithatë nuk kanë shkaktuar valë protestash të ngjashme me ato në dimrit 2017. Manifestimi i madh i diasporës i organizuar të premten e 10 Gushtit në mbrëmje në Bukuresht, solli pak më pak se 100,000 njerëz, sipas mediave lokale.
Megjithatë, dhuna që mbylli tubimin ishte e para, pasi që këto ishin deri tani protesta plotësisht paqësore. Disa liderë të opozitës liberale ishin në rrugë, por nuk qenë në gjendje ta rrëzojnë qeverinë. Sidomos pasi diaspora është gati të largohet me fundin e verës. Z. Dragnea do të jetë në gjendje që në heshtje të vazhdojë punën e tij të pastrimit të dosjeve personale të tij gjyqësore, duke bërë ndryshimin e ligjeve sipas dëshirës së tij./Andi Malasi/ Javanews/