Lame zbulon fotot e veçanta: Flamuri nuk ka faj për paaftësinë tonë, na zëntë turpi!
Dritare.net
Artan Lame ka nxjerrë nga arkivat disa foto që tregojnë maja flamujsh. Sipas tij, në disa vende maja e flamurit nderohet po aq sa edhe flamuri. Ai shkruan se flamuri nuka ka faj për paaftësinë tonë që nuk dimë ta nderojmë.
"Në këtë ditë të kujtimit të flamurit tonë, dua të ndaj me ju ca maja flamujsh që kohë pas kohe u kanë ndenjur përsipër bajrakëve të këtyre anëve.
– Fillimi i shek. XIX. Alem bayrak, majë flamuri osmane e periudhës së sulltan Mahmudit II. Bronx.
– Fundi i shek. XIX. Nishani bayrak, majë flamuri osmane e periudhës së sulltan Abdyl Hamidit II. Gjetur në Elbasan. Bronx i larë në ar.
– Fillimi shek. XX. Bajrak alem standart për flamujt ushtarakë turq. Bronx.
– Rreth 1920. Majë flamuri shqiptare për flamujt luftarakë. Derdhje artizanale në bronx.
– Vitet ’30. Majë flamuri prodhim italian i viteve ‘10-‘20, e përdorur për flamujt shqiptarë. Llamarinë bronxi e stampuar.
– Rreth 1940. Maja e flamurit luftarak të Regjimentit 72 të Ushtrisë Mbretërore Italiane. Humbur prej tyre në vitin 1943 dhe gjetur në Shkodër në vitin 2002. Bronx i larë në ar.
– Rreth 1941. Maja e flamurit luftarak të Gardës Mbretnore Shqiptare. Bronx i larë në ar.
– 1942. Maja e flamurit shtetëror të Mbretnisë Shqiptare. Bronx i larë në argjend.
– 1943. Maja e flamurit luftarak të Ushtrisë Shqiptare.
– Rreth 1970. Majë flamuri për flamujt luftarakë të Ushtrisë Popullore të R.P.SH.-së.
– Rreth 2000. Majë flamuri jozyrtare, prodhim artizanal.
– 2010. Majë flamuri për flamujt luftarakë shqiptarë, e bërë me bishta dhe koka perdesh. Dru i tornuar.
Dhe këtë të fundit, që të mos më akuzoni se po tallem a shakatosem, po e shoqëroj me një fotografi nga një ceremoni zyrtare e kohës, ku duken mirë e bukur kokat e perdeve majë flamujve. Me ç’duket, tenderin për të bërë flamurët e ushtrisë atë vit do e ketë fituar Megateku. Tamam “ibreti alem”, ashtu siç i hapa këto rradhë.
Sidoqoftë, flamuri i kuq me zhgabë të zezë, nuk ka faj për paaftësinë tonë që ta nderojmë e ta lartojmë siç ja do vëndi e zakoni, ndaj ishallah na zëntë turpi një sahat e më parë, që të bëjmë zahmet e t'ia ngremë kryet, në mos më shumë, të paktën aq sa na e lanë gjyshërit.
Gëzuar Ditën e Flamurit të gjithëve!", shkruan Lame