Kush janë dhe pse po ndeshen muslimanët shqiptarë?
Dritare.net
Në vitin 1999 gazeta në gjuhën angleze “Turkish Daily Mail” botonte pjesë nga raporti i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë turke i cili analizonte një organizatë ende të panjohur mirë në botë. Quhej “Lëvizja Gylen” me lider Fetulla Gylen, portreti i të cilit edhe sot është ai i një imami fshati të Anadollit. Veshje e thjeshtë në një portret anonim i cili vështirë të mbahet mend.
Raporti përshkruante me tone alarmante strukturën e lëvizjes, shtrirjen, mënyrën e organizmit, fuqinë ekonimike dhe aleancat. Ushtarakët, rojet e laicitetit të shtetit turk, ndienin kërcënimin e lëvizjes e cila kishte zgjedhur rrugën e kadifenjtë drejt pushtetit dhe jo atë të përplasjes me uniformat që ruanin trashëgiminë e Ataturkut. Grushtet e shtetit apo nxjerrja jashtë ligjit të partive me frymëzim islam, ishte bërë mësim. Fati i Nexhmedin Erbakan, themelues i Refat Partishi dhe Sadet Partishi, dy parti me frymëzim islam ishte sinjal që nuk do të tolerohej prekja e rrënjëve laike të shtetit.
Në vitin 2001, një lider i ri i quajtur Rexhep Taip Erdogan, i cili kishte aderuar edhe në partitë e mëparshme të frymëzimit islam, themelon AKP. Në vitin 2002 fiton zgjedhjet. Ndihma e lëvizjes Gylen ishte domethënëse. Që atëhere miqësia mes dy njerëzve ku njeri përfaqësonte fuqinë e hapur dhe tjetri atë të nëntokës do jetojë edhe një dekadë.
Duke shfrytëzuar direktivën e Bashkimit Evropian për kontrollin civil mbi ushtrinë si kusht për aderim, Erdogan bën ndryshimet kushtetuese. Kjo ishte edhe pengesa e fundit që të merrte kontrollin e plotë mbi vendin.
Ndërkohë lëvizja e imamit, përparon në infiltrimin e elementëve të saj në sistemin gjyqësor, policor dhe ushtri. Të paktën kështu e akuzon sot aleati i dikurshëm.
Raporti do të thyhet në vitin 2012 kur fillojnë hetimet dhe proceset për korrupsion ndaj njerëzve të afërt të Erdogan dhe ministrave. Erdogan akuzon Gylen për komplot.
Viti 2016 shënon fillimin e luftës së egër mes tyre. Erdogan akuzon rishtas Gylen për tentativën e grushtit të shtetit. Që atëhere me qindra ushtarakë, policë, gjykatës, gazetarë, profesorë universitetesh, janë larguar nga puna ose burgosur, me akuzën e pjesëmarrjes ose inkurajimit të këtij aksioni. Ndërkohë lufta shtrihet edhe jashtë kufijve dhe kërkohet ekstradimi i pasuesve të Gylen edhe nga vendet e tjera. Shqipëria dhe Kosova janë dy prej tyre.
Lëvizja e imamit nuk ka kaluar pa rënë në sy edhe të agjensive të inteligjencës perëndimore. FBI, Departamenti i Punës dhe Departamenti i Edukimit të Shteteve të Bashkuara, hetojnë. Nga analiza e tyre rezulton se lëvizja ka shtrirje në 160 vende të botës, me aktivitete nga edukimi dhe shkollimi, spitalore, dhe deri në aktivitete ekonomike. Anëtarësia e tyre është e paverifikueshme për shkak të karakterit piramidal, por lëviz nga 200 mijë deri në një milion anëtarë. Aktiviteti i tyre ekonomik kap shifra miliardëshe, por vështirë të kontrollueshme për shkak të strukturës fleksible dhe mungesës së një rregjistri anëtarësimi. The Guardian e krahason me një lloj Opus Dei të markës islame.
Ndërsa arsimi i financuar nga kjo lëvizje përfshin që nga kopshtet deri në universitete.
Sipas raportit të FBI, shkollat e financuar nga kjo lëvizje në territorin amerikan janë të frekuentuara nga shtresat në nevojë, kryesisht hispanikë dhe nuk dallohen për nivel të lartë. Gjithashtu nuk vëren tentativa për organizim veprimtarish subversive.
Ndërkohë në Shqipëri shkollat e financuara nga lëvizja, mbahen si më elitaret. Fëmijë ministrash dhe deputetësh, të Shqipërisë apo Kosovës janë frekuentuesit e tyre. Lista e ofruar nga Turqia përmend disa prej tyre dhe kërkon marrjen e masave ndaj tyre.
Pika më e nxehtë e mardhënieve mes shqiptarëve dhe Turqisë zyrtare, ishte momenti kur punonjës të akuzuar si gylenistë u ekstraduan nga Kosova. Kjo solli shkarkimin e zyrtarëve kosovarë por edhe kërcënimin nga ana e Erdogan të kryeministrit Haradinaj.
Ndërsa në Shqipëri ende mardhënia mes Edi Ramës dhe kryeministri tur ngjan idilike. Akoma nuk kanë dalë në pah përplasje, pavarësisht se kërkesat ndaj Shqipërisë janë të njëjta me ato nisur kosovës.
Por shqipëria nuk ka vetëm problemin e gylenistëve. Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, anëtarë të organizatës MEK janë strehuar tek ne. Nuk ka transparencë për numrin e tyre, por bëhet fjalë për një shifër nga disa qindra deri në 3 mijë vetë. Organizata ka të kaluar subversive ndaj rregjimit të ajatollahëve dhe kjo ka ngjallur reaksionin e Iranit. Ndërkohë Irani është shteti më i madhe shit, sekt të cilit i përkasin edhe bektashinjtë shqiptarë. Është jashtë llogjike që në një vend ku përplasen interesat amerikane dhe iraniane, të mos ketë pasoja. Por për momentin shqiptarët po shikojnë vetëm vizitat e funksionarëve amerikanë, deklaratat e iranianëve dhe tek tuk anëtarë të MEK që shëtisin në Tiranë.
Ndërkohë nuk duhet harruar prezenca arabe. Dikur shumë të fuqishmë por të tërhequr nga presioni i CIA-s dhe ai turk, kjo nuk do të thotë se e kanë braktisur avanpostin e islamit në Evropë.
Të gjitha këto e bëjnë Shqipërinë një shesh përplasjeje, ku detyra e shtetit shqiptar dhe agjensive të tij ligjzbatuese, është të ruajë komunitetin e tij islam nga ndikimet që mund ta çojnë në përplasje që do ta shmangin nga objektivat e tij për anëtarësim ne Evropë.
A do ja dalë?