Kush gëzon për tragjedinë greke, turp t'i vije!
Dritare.net
Tragjedia në Greqi, ku dhjetëra fëmijë, burra e gra kanë vdekur nga zjarri po përdoret më së keqi nga disa shqiptarë, që kinse nuk harrojnë historinë, e nga disa të tjerë që kinse janë myslimanë të devotshëm.
Disa flasin për Çamërinë, disa për fenë, disa për Grekët e poshtër, dhe thonë me plotë gojë “shyqyr që vdiqën”
Po a kaq gjak të prishur keni more njerëz? Po si ka mundësi që nuk ndjeni dhimbje për ato jetë të humbura në mënyrën më tragjike të mundshme duke u djegur? Po a helm apo qumësht nëne keni pirë more shpirtzinj?
Ne po kthehemi në egërsira, patriotizmi nuk tregohet në këto raste, Çamëria nuk do të thotë hiç asgjë në këto tragjedi, dhe krahasimi është mjaft i pavend.
Feja bash hiç nuk e thotë të lumturohemi me fatkeqësinë e tjetrit, nëse ka një fe të tillë, na tregoni të distancohemi.
Budallallëku i njeriut nuk paska fund, inati dhe shpirtligësia e shqiptarit po kalon çdo kufij horrori.
E gjithë bota po tronditet nga ato pamje apokaliptike, e ju akoma vazhdoni, vazhdoni e vazhdoni, në kufijtë e të tmerrshmes.
Po si mundet dikush të lumturohet kur lexon tek janë djegur 26 familjarë të përqafuar, në përpjekën e pashpresë për t’i shpëtuar flakëve? Po a zemra mal u bëhet kur dëgjon se janë shkrumbuar dhjetëra fëmijë, që jetën e tyre akoma nuk e kishin nisur? Kjo nuk është për lumturi, kjo është të lutesh për ata jetë të humbura dhe familjet e tyre, ose minimumi të heshtni.
Ndjesë o fëmijë, ndjesë o nëna, ndjesë o të rinj, ndjesë o populli grek, lutemi që ta kaloni këtë fatkeqësi, dhe tmerri të marri fund sot, tani./ Dritare.net