Kur shqiptarët i japin mend Robert Uiltonit
Dritare.net
Një nder sportet kombëtare të shqiptarëve është të sfidojnë të huajt. Nuk ka lidhje as me krenarinë dhe as me trimerinë, por thjesht me injorancën.
Ka filluar që me Haxhi Qamilin i cili nuk pirdhte për Evropën se kishte Kavajën me Shijakun, per të përfunduar tek Pap Spahiu i LSI-së që i mat ndërkombëtarët, me përmasat e stomakut të tij.
Në 28 vjet pluralizëm kemi parë sulme ndaj gjithë ambasadorëve nga të gjithë krahët. Argumentet janë pothuaj te njëjtë, “se ata nuk arrijnë ta kuptojnë Shqipërinë”, “se nuk i kuptojnë shqiptarët”, “se janë të blerë nga kundërshtarët” apo “të shitur te fqinjët”. Maja arrin kur iu tregojmë se çfare është demokracia, apo standartet sociale. Po po, pikërisht ne i tregojmë një anglezi përshembull, përfaqësues i një perandorie ku nuk perëndonte dielli, që ka formuar, aty ku ka shkelur, demokraci; që ka ditur të negociojë nga barbarët e Afrikës e seri tek amerikanët e Shteteve të Bashkuara, se nuk na kupton. Pikërisht ne dhiarët e Ballkanit nuk na kupton një anglez në shekullin e 21-të, kur na kishin kuptuar shumë mirë paraardhësit e tyre këtu e 150 vite më parë.
Se çfarë ka për të kuptuar tek ne, një popull tribal i ndare në tre klane që ka 28 vjet dhe nuk ndërron një klasë politike, këtë vetëm një mendje mitomane si ajo shqiptare, mund ta shpjegoje.
Ndodhi së fundmi edhe me Robert Uilton, zëvendësambasadori i OSBE.
Ai ka sindozot nja 5 vjet në Tiranë, dhe shtuar këto prejardhjes së tij , e njeh shumë mirë këtë vend.
Në një prononcim të tij, deklaroi se vota këtu është vjedhur nga të dyja krahët, por nuk ka ndikuar në rezultatin zgjedhor.
Kjo natyrisht i erdhi për hosh pozitës, por i futi xanxat opozitës, a thua se këta janë të qashtër, si fytyra e Lulit kur çohet nga gjumi i drekës.
Në të shkuarën ka ndodhur e kundërta me të njëjtin reagim reaktiv ku përshembull socialistët u shtrinë më bulevard. A thua se Ruzhdia, Libofsha, Dushku, Greshica, sa për të përmendur disa, nuk i kamë bërë këto parti, ku bashkë me paranë ka lëvuar edhe druri.
Të gjithë ne e dimë shumë mirë se në komisionet zgjedhore me mirëkuptimin PD-PS , vidhen votat e aleatëve; ku PD vjedh që nga Balli, Legaliteti e me rradhë, ndërsa PS të PSD, PDS e me rradhë.
Ishte pikërisht frika nga humbja e komisionerit në 2013-ën që e çoi LSI-në në tërbim pikërisht se e di sesi ti qërrojnë votat dy të mëdhenjtë.
Ndaj deklarata e Uilton nuk ka asgjë të veçantë. Zgjedhjet e fundit një çikë më shumë apo më pak, nuk kanë ndryshuar trendin e fitores së PS-së, ashtu sikurse edhe në 2009-ën, pavarësisht skandaleve si Gërdeci apo Rruga e Kombit, trendi ishte për një fitore të PD. Pasi zgjedhjet në Shqipëri më shumë sesa numërim janë perceptim.
Ajo që do ishte e mirë për ne, përpara se t’iu mësonim demokracinë britanikëve, francezëve apo gjermanëve, do të qe të mësonim prej tyre, si behet demokracia, sikurse mësuam prej tyre të laheshim me sapun, apo fusnim tualetin brenda shtëpisë , nga fundi oborrit, ku e kishim./dritare.net