Kur Rama mer në qafë parkun dhe Malltezi, shoqërinë civile
Dritare.net
Që askujt prej iniciatorëve të ndërtimit të parkut nuk u prishet puna për natyrën, kjo kuptohet nga fakti se 100 metra më poshtë, në rrëzë të digës, është një tokë djerrë e mbushur me plehra, e cila me siguri ruhet për leje ndërtimesh. Në fakt, kush ka memorje, e kujton se pikërisht aty, me marrëveshje të heshtur mes Berishës dhe Ramës, do të ndërtohej një kompleks monstrash arkitektonike, marrëveshje e cila u prish për kushedi çfarë arsyesh. Pasi Rama është jo vetëm i aftë për marrëveshje të mëdha, siç qe rasti me LSI-në, por edhe pazaresh të mëdha siç ishte rasti i këtyre ndërtimeve që mbetën në projekt, apo lejeve per kulla që tashmë bëjnë hije, të dhëna në mes të Tiranës biznesmenëve të lidhur me familjen e Sali Berishës.
Edhe sot, shfaqet rishtas familja Berisha, e cila nuk është çudi të ketë dorën e saj në këtë dhunim të ri të hapësirës së gjelbër. Ndryshe nuk ka sesi shpjegohet pjesëmarrja e dhëndrit të tij në një miting i cili ishte i organizuar nga eksponentë të shoqërisë civile. Ç’nevojë kishte Jamarbër Malltezi të merte pjesë në mitingun e organizuar nga njerëz që nuk kanë lidhje me të, kur të nesërmen vetë PD do të organizojë një miting? Pse duhet të marre me vete edhe një gjysmak që e nxjerrin sa herë kanë nevojë të diskretitojnë nisma të shoqërisë civile? Asnjë arsye, veçse kompromentimit të asaj proteste. Dhe si për çudi, të dy këta rrinë dukshëm të kapshëm nga aparatet e fotoreporterëve, bëjnë telefonata, shkruajnë mesazhe, për t’iu qasur publikut, sikur organizartorët janë ata vetë. Pamje të cilat nuk vonojnë t’i ofrojnë në rrjetet sociale pikërisht punonjësit e bashkisë.
Nëse ka mënyrë më të lehtë për të dhunuar të fundmen hapësirë të gjelbër dhe filluar ndërtimin, ky është deformimi në publik i qëllimit të protestës për mbrojtjen e saj, nëpërmjet politizimit të kësaj proteste. Dhe vërtetë, pas kësaj, nuk vonuan, dhe militantët e së majtës filluan ta shikonin këtë deformim, si një parajsë që po ua ofronte kryetari, dhe protestën si puç të së djathtës që nuk po e le të realizojë rilindjen urbane.
Por tashmë e gjitha kjo nuk është një çështje e cila mund të kalohet si një e dielë ndryshe për Tiranën. Erjon Veliaj, nuk do të ishte zgjedhur Kryetar Bashkie pa votat e LSI dhe Bamir Topit. Ky i fundit ka shumë probleme të zgjidhë brenda vetes, duke filluar së pari nga qëllimi se pse e krijoi partinë. Por ky është një rast i mirë të tregojë se i dhimbset edhe Tirana, pasi është bashkëqeverisës me një nënkryetar në qeverinë e qytetit. Ndërsa Ilir Meta dhe LSI, ka përgjegjësinë më të madhe. Pa votat e tij Edi Rama do të ishte ende për herë të dytë duke mallkuar kutitë e vjedhura, ndërsa Veliaj duke i mbajtur iso në studio televizive. Ky i fundit, nuk do ta shihte as bashkinë e Tiranës, nëse Meta nuk do kishte çuar me urdhër trupën e tij të votuesve në kuti me urdhërin e prerë që të votonin kandidatin e së majtës. Përveç vetos morale, LSI-ja i ka të gjitha votat në këshill bashkiak që t’i bëjë zbor politikisht dhe me dokumente kryetarit që është zgjedhur edhe me votat e saj. Kështu të paktën do të tregonte se nuk është vetëm një suporter i qeverisë dhe administratore e pesë ministrive që ka, por edhe një mbrojtëse e interesit publik.
Kjo që po ndërmerret në mes të Tiranës, ka një kosto që nuk do të harrohet lehtë. Si nga ata që po e shkaktojnë, si edhe nga ata që do të luftojnë, që kjo të mos ndodhë./dritare.net