Kur Irma Libohova rrëfehej: Nuk fitova shkollën e lartë se isha e shkurtër
Dritare.net
Kjo është intervista me këngëtaren e famshme të muzikës së lehtë shqiptare, Irma Libohova, e realizuar nga gazetarja Rudina Xhunga më 7 maj 1995, të cilën dritare.net e sjell të plotë.
Në atë kohë Irma Libohova dhe bashkëshorti i saj, Besniku, jetonin në Amerikë. E drejtpërdrejtë, siç është vetëm ajo dhe s’ka të ngjashme, Irma përgjigjej atëherë, kur Rudina e pyeste a po kënaqej në Amerikë: “Të jetë për t’u kënaqur, do të rrija në Tiranë, unë shkoj atje për bukën e gojës”.
E veçanta e Irma Libohovës është zëri. Nëse këngëtaret sot, jo nga zëri nuk dallohen, por as nga portreti, Irma spikat me kilometra larg, nëse e dëgjon kur këndon.
Jo vetëm për zërin, por edhe për tipin e saj, atë mënyrë që ka të flasë pa bërtitur, të tregojë pa u ankuar, të të prekë pa të kërkuar të vuash për të.
Në këtë intervistë flet për burrin e saj, njeriun e një jetë të gjatë, gjithë rrugë pafund. Edhe tani që Besniku i saj nuk është gjallë, ajo po njësoj flet për të.
Kur mbaron së lexuari këtë intervistë nuk të rrihet pa e thënë me zë të lartë: Faleminderit që e kam intervistuar këtë grua. Çfarë gruaje!/R.Xh/dritare.net
Dritare.net: Ju duket sikur po thuhet shpesh: Na ishte njëherë Irma Libohova?
Edhe thonë, në fakt unë kam lënë për këto kohë Shqipërinë, skenën e festivalit, por kurrë jo këngën. Këndoj në Amerikë këngën popullore.
Dritare.net: Ju jep kënaqësi kjo?
Po të jetë për t’u kënaqur unë do të qëndroja në Shqipëri. Kam shkuar, në mund ta them, për të fituar bukën e gojës.
Dritare.net: Nuk ju duket e rëndë si fjalë?
Si fjalë e rëndë më duket, por kur shikoj këtë shtëpi 2-katëshe që është ndërtuar me lekët që unë kam mundur të grumbulloj për dy gjashtëmujorë pune atje, sigurisht kënaqem dhe harroj largimin, mallin, mungesën e këngës së lehtë, të spektatorit shqiptar etj.
Dritare.net: Sa paguheni atje?
Kush e tregon rrogën është budalla. Por meqë ne shqiptarëve na pëlqen të pyesim e përgjigjemi për rrogën, po të tregoj diçka përafërsisht. Shtëpia ku unë jetoj me prindërit e mi, motrën dhe tim shoq kushtoi 60 mijë dollarë. Sidoqoftë ta lemë mënjanë anën financiare sepse dua t’i kthehem tani asaj pyetjes së parë. Për të mos qenë “Na ishte një herë Irma”, unë po realizoj tani një kasetë.
Dritare.net: Ndërkohë një kasetë juaja shitet në Shqipëri.
Kam dëgjuar. Kjo bëhet pa lejen time, duke m’u vjedhur autorësia e duke i marrë paratë s’di kush. Në Amerikë unë vet kam shitur 800 kopje të kësaj kasete, ndërsa këtu s’di kush e ka sjellë. Sidoqoftë ajo është e një niveli, nuk mund të them të ulët, sepse unë nuk bie poshtë niveleve të mia, por i përshtatet gustove të komunitetit shqiptar për të cilën unë këndoj në Amerikë.
Dritare.net: Mendoni që spektatori juaj këtu nga ai i Amerikës ndryshon?
Atje më duan, më respektojnë, më kërkojnë dhe paguajnë mirë për këngën time, por shijet e tyre janë akoma tek çiftelia. Nuk bëhet fjalë që unë të këndoj me pasion atë ç’ka të cilës unë i përkas, këngën e lehtë.
Dritare.net: Po në Shqipëri e keni kënduar më parë këngën popullore?
Për një kohë të gjatë. Shkolla e lartë nuk më doli mbas liceut, pasi komisioni më përcaktoi të shkurtër, kështu që unë nisa të punoj në Ansambël.
Dritare.net: Ju mendoni se komisionet kanë ndryshuar?
Jo, jo, nuk ushqej asnjë iluzion. Komisionet kanë ngelur komisione. Kurrë s’kanë pasur objektivitet.
Dritare.net: Si e kuptuat që i përkisnit vetëm muzikës së lehtë?
Ndonjëherë mendoj që kam pasur fat që s’vazhdova shkollën e lartë, pasi s’dihej ç’drejtim do merrja. Të filloje punë në Ansambël, në atë kohë, ishte ëndërr. Unë me shumë këmbëngulje, pa prapaskena, ia arrita.
Dritare.net: Mendoni se arrihet gjë pa prapaskena?
Po. Me kurajë, shumë çiltërsi shkova, kërkova diçka që më dukej se më takonte. Mbaj mend që Agim Krajka dhe Çesk Zadeja qeshën shumë me mua, por në fund të fundit unë fillova punë. Ndërkohë këndoja në festivale, në estradë etj. Publiku paraqitjen time e lidhte me këngën e lehtë. “Zilen e biçikletës, zilen e biçikletës këndo” - më thoshin.
Unë me kohë e pata vendosur, por zgjedhjen përfundimtare, vendimin, e mori im shoq, Besniku. Në të 100-tën e sekondës ai gati më urdhëroi: “Ti do të ikësh nga Ansambli”.
Dritare.net: Ju e besonit pse ishte burri juaj?
Ne ishim të dashur. Unë në atë moshë më shumë se për gjithçka, më shumë se për karrierën mendoja për stabilitetin familjar. U martuam dhe prej asaj kohe kemi qenë gjithmonë bashkë. Jeta jonë ka qenë një bredhje pafund, turne, lëvizje.
Dritare.net: Ju pëlqen kjo mënyrë jetese?
Është bërë një e keqe e domosdoshme.
Dritare.net: Tani që ndodheni në Shqipëri, gati e ngujuar në shtëpi, si ndjeheni?
Është një tmerr.
Dritare.net: Mezi po prisni të ikni?
Jo. Këtë s’e them. Të kem mundësi të punoj këtu duke pasur një rrogë që do më mundësojë jetesën, do më lejonte të rrisja një tjetër fëmijë, kjo do të qe kënaqësi. Por është e pamundur.
Dritare.net: Dëshironi shumë një fëmijë tjetër?
Shumë, po si i thonë asaj fjalës së urtë: "Dua po s’më lë mamaja". Edhe unë dua, por s’kam kohë.
Dritare.net: Jeta juaj bashkëshortore shkon gjithmonë mirë?
Po. Ajo ngelet kryesore për mua. Paqja në familje është gjithçka.
Dritare.net: Nuk keni provuar kurrë të tradhtoni?
Ua, kurrë jo, jo kurrë.
Dritare.net: Pse kaq me demaklacion?
Sepse është një ves që nuk e pranoj tek vetja.
Dritare.net: Po tek bashkëshorti?
Edhe më e tmerrshme.
Dritare.net: Nëse (fantazojmë pak) do ndiheshit xheloze për një farë tërheqje të partnerit tuaj ndaj një gruaje tjetër , ç’do bënit?
Unë kam shumë mënyra të kulturuara për ta ritërhequr.
Dritare.net: Pra përjashtohet poshtërsia?
Jo, jo vetëm me mirësi. S’thonë kot qengji i mirë pi dy nëna. Unë jam tip i vullnetshëm për të arritur gjithfarë dua qoftë profesionalisht, qoftë edhe sentimentalisht. Por, për këtë nuk përdor hile dhe prapaskena. Këtë e urrej.
Dritare.net: Në Amerikë ju vazhdoni në profesionin tuaj ndërsa burri juaj është në një farë mënyre menaxher. Kjo zgjon tek ai ndopak ndjenja inati, xhelozie ndofta dhe tipike shqiptare?
Ai nuk është gomar, është artist.
Dritare.net: Veç, tek artistët këto janë edhe më të zhvilluara!
Unë jam e lumtur që Besniku si përherë është rrufepritësi im. Ai merret me gjithçka, organizon takimet, koncertet, flet për pagën. Ndërkohë porsa unë të mund të krijoj një grup, ku përveç Erandës do të jenë edhe tre instrumentistë, Besniku do të jetë drejtuesi i këtij grupi.
Dritare.net: Ju ndjeheni më e pjekur, tani?
Po. Unë nuk mund të them se në Amerikë kam gjetur veten, por as e kam humbur. Unë kam aktivitet, gjë që më mban në formë.
Dritare.net: Po më e bukur ndjeheni?
Unë e bukur s’kam qenë kurrë. Por njerëzit ma kanë bërë këtë kompliment herë pas here, sepse siç duket ju kam pëlqyer në kompleks.
Dritare.net: Kur ju u futët në skenën e muzikës së lehtë, nr 1 ishte Vaçe Zela. Ç’do të thoni për të?
Një këngëtare e madhe. Ajo ishte nr 1, jo vetëm për faktin se qe më e mira, por ishte këngëtarja e elitës. Ajo ç’ka më bënte përshtypje tek Vaçja ishte fakti se nuk vinte në punë. Këndonte në koncerte qeveritare dhe një ditë më parë bënte 5 minuta prova.
Dritare.net: Po për Parashqevi Simakun?
Unë nuk e di ç’bën ajo në Amerikë. Duhet lavdëruar përpjekja e saj si grua, si njeri për të bërë diçka për veten, por artistikisht nuk ka asnjë lloj aktiviteti.
Dritare.net: S’paskeni simpati për të?
Nuk mund ta kanalizojmë në simpati, apo antipati. Për emrin që pati krijuar ajo këtu, duhet të vazhdonte të këndonte, në mos në Shqipëri, së paku për diasporën. Kam dëgjuar që këndon këngë në anglisht, që do të shkojë në Hollivud, po s’di ç’të them. Ëndrra kemi të gjithë.
Dritare.net: Keni frikë mos nga një sëmundje a diçka tjetër humbisni zërin?
Jam vizituar para pak kohësh tek Nesti Boçka i cili më tha: “Ti do plakesh, kordat e tua, jo. Ke korda të arta.” Të shpresojmë më të mirën. Gjithçka ndodh po ta kërkosh.
Dritare.net: Cilin do të veçonit nga këngëtarët e skenës shqiptare tani?
Kur hap radion dëgjoj disa zëra të mekur, që s’di pse guxojnë të dalin në skenë.
Dritare.net: Faji i zërit, apo i shpirtit?
Zëri është zë. Se ç’i jep ti zërit është merita jote. Vokali dallon një këngëtar nga tjetri. Unë do të veçoja Aleksandër Gjokën. Ka një zë të mrekullueshëm edhe pse, qofsha e gabuar përdor pak maniera.
Dritare.net: Po nga kompozitorët kë do të veçonit tani?
Ka kohë që jam larguar. Kur më kërkuan të prezantohem në Hollivud zgjodha një kompozitor të ri dhe të talentuar, Adi Hilën. Tekstin e këngës “Bulevard ’95” e bëri Agim Doçi. S’di pse më vonë e quajti “Bulevard ’90”.
Dritare.net: Mbas kthimit, ju duket se diçka në institucionet tona kulturore ka ndryshuar?
Unë ika nga Estrada, në një kohë kur ajo po shthurej.
Dritare.net: Apo po emancipohej?
Jo, jo. Aty s’bëhej më art. Tani kudo gjej ndryshime. Veç në art jo. Madje nëse në art flitet për ndryshime, ato janë bërë me kokë mbrapa.
Dritare.net: Mos kemi lënë shumë gjëra pa thënë?
Tani unë po pres që të më pyesësh për planet e mia. Në gjithë intervistat që kam dhënë, gazetarët e kanë pasur me shumë qejf këtë pyetje .
Dritare.net: S’kam ruajtur ndonjë pyetje të jashtëzakonshme, për në fund.
S’ka problem. Dhe unë nuk ruaj përgjigje të jashtëzakonshme për të të dhënë. Një intervistë, një titull, një fotografi, as ngrenë as ulin. Ajo ç’ka vlen është ajo ç’ka ti jep. Arti për mua është pika e vlerësimit. Dhe barometri vlerësues vetëm spektatori./dritare.net
Copyright dritare.net/ Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë