Kjo është një intervistë, realizuar në vitin 1993 me aktoren e mirënjohur Eva Alikaj.
Eva në atë kohë sapo ishte kthyer nga Austria, ku jetonte prej 3 vjetësh, për realizimin e një filmi. Në këtë intervistë për gazetaren Rudina Xhunga, Eva Alikaj flet për dashurinë, karrierën dhe lumturinë./dritare.net
Nga Rudina Xhunga
Dritare.net: Keni ardhur veç për filmin, nga Austria?
Për filmin, por dhe për të jetuar 1 muaj në vendin tim. Përpiqem të rizgjoj ndjesitë që kam provuar dikur.
Dritare.net: Është bukur?
Bukur po, por s’është e lehtë. Ndoshta unë, ndoshta njerëzit janë ashpërsuar. Dikush të thotë: “Pse ke ardhur këtu? Ç’kërkon? Do bësh art?”
Një koleg s’të përshëndet, një tjetër… Janë raste që mua më lëndojnë, e megjithatë më pëlqen të luaj e jam e bindur që sido dhe sado qoftë, këtu bëhet art dhe art i bukur. Këtë e tregon dhe filmi ku do të luaj, i cili më pëlqen shumë.
Dritare.net: Jeni thirrur nga Austria për të luajtur këtë rol. Ju bën kjo të ndiheni e pazëvendësueshme?
Aspak. Këtë rol fare mirë mund ta luante dhe Raimonda Bulku.
Dritare.net: Do luani të përdhunuarën. Ju ka ndodhur ndonjë histori e përafërt?
Jo, fatmirësisht dhe “fatkeqësisht”.
Dritare.net: Në Austri, a ju ka qëlluar të bëni kamerieren?
Po dhe isha krejt komike. Gati s’dija të bëja llogari.
Dritare.net: Ç’është paraja për ju?
Mjet për të jetuar. Sa më shumë të kesh, aq më mirë jetohet.
Dritare.net: Keni qenë materialiste, apo jeni bërë?
Materialiste s’jam, madje bëhem qesharake kur numëroj paratë me gishta. Në këtë fushë jam gati fëmijë. Pas kaq vitesh munda të kuptoj raportin midis shilingës austriake dhe lekut shqiptar.
Dritare.net: Ju ka rastisur të dashuroheni?
Për fat të mirë po.
Dritare.net: Është i drejtë koncepti, se dashuria s’do të thotë martesë? Martesa është llogari dhe logjikë.
Martesa jo gjithmonë është kurorëzimi i dashurisë. Kjo do ishte idealja.
Dritare.net: A merr fund një dashuri kur martohesh me dikë tjetër?
Një dashuri merr fund për shkaqe të ndryshme, por martesa s’e kushtëzon aspak fundin, apo vazhdimin e saj.
Dritare.net: E megjithatë martesa do të qe e palumtur?
E dhimbshme.
Dritare.net: Hyni në kategorinë e femrave të palumtura?
Si gjithë njerëzit e ndjeshëm shpesh kam qenë e palumtur dhe jam ndjerë e humbur. Më është dukur sikur asgjë s’mund të suportoja. Megjithatë unë i kam suportuar këto gjendje duke mos hyrë në kategorinë e femrave të palumtura.
Dritare.net: Atëherë keni fatin të hyni tek njerëzit e lumtur?
Ndoshta shpejt, shumë shpejt do jem e lumtur. Unë besoj.
Dritare.net: Familja për ju është në funksion të karrierës, apo ka vendin e parë?
Familja për mua është shumë e rëndësishme. Për sa i përket karrierës, unë kam një karrierë 7 vjeçare. Për mua karrierë do të thotë ajo që bën sot dhe vetëm sot. Nëse s’do kem sukses në filmin që po luaj “sot” me dhimbje do shkëputem nga arti. Si aktore dua patjetër të jem ndër të parat, ose më mirë të bëj kamerieren komike.
Dritare.net: A ndiheni nënë?
Në sheshin e xhirimit pothuaj harroj gjithçka, gati dhe ndjesinë e nënës, por mjafton të shoh këtë kanarinën e vogël që hap gojën e seç kërkon dhe nëna zgjohet më me forcë tek unë.
Dritare.net: Kur djali t’ju rritet e t’ju bëhet i madh sa Eva dikur në Shqipëri, do ndërhyni në jetën e tij sentimentale, apo do bëni austriaken e ftohtë?
A s’e di. Austriaken e ftohtë ndoshta jo, pasi ngelem nënë shqiptare. Koha do ta tregojë, por sidoqoftë në çështjet sentimentale është mëkat të ndërhysh.
Dritare.net: Eva Alikaj është vajzë me fat, apo vajzë e mençur?
Nuk jam pa fat dhe s’jam budallaqe.
Dritare.net: Atëherë suksese në film Evës dhe… dhe më?
Lumturi./dritare.net
Copyright dritare.net/ Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë