Kultivimi i kanabisit/ Kryepleqtë e Shkodrës e Vlorës: Jemi nën kërcënim
Dritare.net
Drejtorja në detyrë e OSBE-së, Katerine Kristesashvili u shpreh se institucionet vendore kanë pasur mangësi të njohurive për të luftuar kultivimin e kanabisit. Ajo tha se vendorët duhet të kontribuojnë në zhdukjen e qëndrueshme të kanabisit, duke dhënë një mesazh të qartë për eliminimin e këtij fenomeni.
Gjatë këtij takimi kanë marrë pjesë edhe kryepleqtë e Shkodrës dhe Vlorës të cilët kanë shprehur shqetësimin se janë nën kërcënimin e kultivuesve të lëndëve narkotike, shkruan “GSH.AL”
Islam Islami, kryeplak i fshatit Shkozë në Vlorë u shpreh se kryepleqtë jetojnë nën kërcënimin e kriminelëve që merren me kanabisin, ndërsa kërkoi që kryepleqtë të kenë një pagë të rregullt dhe jo pagesë qesharake prej 49 mijë lekësh të vjetër në muaj. “Ne deri tani kemi qenë mes dy zjarreve, nga njëra anë policia që na arrestonte nëse nuk tregonim dhe nga ana tjetër nën kërcënimin e krimi-nelëve, të cilët nuk pyesin, por veprojnë dhe ju duhet të dini se ne kemi familje apo të afërm. Ne kemi ecur nga 6-7 orë në këmbë dhe se di sa këpucë kemi prishur dhe a e dini ju se paga jonë është 49 mijë lekë të vjetër. Çfarë të bëjmë me ato para që nuk dalin as për këpucët. Ne vendosim firmat tona në çdo procesverbal dhe puna jonë nuk vlerësohet. Këto gjëra duhen parë”, tha kryeplaku vlonjat.
Në takim ka qenë e pranishme edhe kryetarja e Shkodrës, Voltana Ademi e cila nuk nguroi të akuzojë ish-drejtorin e policisë, Alban Çela se nuk ka pasur vullnet të luftojë kultivimin e kanabisit./ I.M-Dritare.net