Kukësi dhe kuksianët

Nga Hekuran Vladi-Lura

Reflektim mbi taksën e tunelit të Kalimashit dhe “demostratën e abonesë”.

I. Autostrada me tunel

Autostrada Rrëshen – Morinë është vepra më e kushtueshme e infrastrukturës së vendit, pas hidrocentralit të Fierzës.

Një rrugë, që realisht lidhi gjysmën e pjesës verilindore të vendit (Kukës-Has-Tropojë) me qendrën.

Gjithashtu, kjo rrugë u bë ura magjike lidhëse e turistëve nga Kosova dhe tregtarëve nga Serbia dhe Kosova.

Ka vetëm një gjë, Rrëshen – Morinë është vërtet një rrugë shpëtimtare për qarkullimin e atyre që përmenda më lart, por ajo nuk është një autostradë.

Shumë e rëndësishme, që të mos ngatërrojmë termin. Pse?

Sepse udhëtarët, duke e menduar për autostradë, prej vitesh kanë rënë në “qarkun vdekjeprurës”, pasi kjo rrugë është totalisht jashtë standartit.

I mungojnë të gjithë elementët e sigurisë së një autostrade, gjë që është përmendur prej vitesh nga ekspertët e fushës dhe është relatuar gjithashtu nëpër relacione të qeverive, që nga koha, që u ndërtua e deri më sot.

Ndërsa tuneli…a tuneli është një “luginë vdekje” pa dyshim. Minimalisht aty mungojnë zjarrfikëset profesionale dhe ambulancat profesionale, gjithmonë sipas standarteve të autostradave.

Dhe për t’a mbyllur, urat e munguara dhe ngushtimet e papritura të rrugës në segmentin Kukës – Morinë, bëjnë që të krishterët të ndalojnë në Rrubik tek Kisha dhe myslimanët në Kukës tek Xhamia, që t’i bëjnë nja dy fjalë me Zotin, para se të vazhdojnë rrugën.

II. Kthimi i rrugës në autostradë dhe mirëmbajtja e saj

Të gjitha problemet, që u përmendën më lart, kërkojnë qindra milionë euro të rregullohen. Ka më së paku dy mënyra për t’a bërë këtë gjë.

– Buxheti i shtetit është njëra prej tyre.

Nuk ka ndonjë studim fizibiliteti, se sa do ishte ndikimi i vazhdimit të investimit me buxhetin e shtetit dhe kur do ishte koha e kthimit të këtij investimi.

Nuk kishte as në fillimin e rrugës, për hir të së vërtetës dhe qeveritë tona janë mësuara të justifikojnë gabimet e veta me ato të qeverive para-ardhëse.

– Koncensioni. Koncensioni është një nga mënyrat e përfshirjes së kapitalit privat në investimet kapitale të qeverive.

Efekte të tjera positive llogariten edhe ekspertiza profesionale, mirëmenaxhimi, ulja e kostove për buxhetin, etj.

Qeveria ka shpalosur një kontratë me firmën e një biznesmeni, që menaxhon miliona euro me lekë xhepi, fiton miliona duke blerë naftë me fuqi e duke e shitur me litra, intelektualisht, bashkë me krejt stafin që ka në dispozicion, nën nivelin mesatar të popullsisë.

Por, më kryesorja, propozohet një kontratë koncensioni ku koncension-marrësi investon vetëm në montimin e dy kabinave nga secila anë e tunelit dhe fillon e mbledh para.

Investimi…? Kur të bëhen paratë. Epo kjo është shaka.

Shaka, por shaka e rëndë, e gjitha në kurriz të taksapaguesve shqiptarë.

E theksoj, në kurriz të të gjithë taksapaguesve shqiptarë. Teknikisht, shuma e parave, që kërkohet të paguhet në traun e vendosur nga biznesmeni xhepa-plot dhe qeveria, është një taksë, jo një tarifë.

LEXO DHE :  Deputeti i PD kërcënon gazetarin: Mos u merr me mua se të këpus ndonjë të lënduar pa dashje

Taksat mblidhen përpara shërbimit, tarifat mblidhen pas. Le t’ju qëndrojmë përkufizimeve ashtu sic duhet.

III. Kukësi

Qarku i Kukësit është një nga 12 qarqet në Shqipëri dhe ka një sipërfaqje prej 2.373 km².

Përfshin rrethin e Hasit, rrethin e Kukësit dhe rrethin e Tropojës.

Ka një popullsi prej rreth 80 mijë banorë.

Një nga zonat më të varfra të vendit.

Rruga kryesore, me të cilën lidhet me Tiranën është ajo Rrëshen – Morinë.

Pas vendosjes së taksës, në fillim të këtij viti, pati një reagim rebelues të banorëve të këtij qarku. Institucionalisht u mbështet vetëm nga Këshilli Bashkiak i Kukësit dhe për inerci u quajt “Revolta e Kuksianëve”.

Një reagim interesant në formën e vet, reagim i cili u mbyt me forcën e qeverisë, si pasojë e së cilës edhe u arrestuan disa persona (të cilët nuk e di nëse janë liruar akoma, apo jo).

Kaq ishte. Qeveria u tërhoq duke llogaritur dëmet e kioskave që u shkatërruan dhe deklaroi që do të negocionte me banorët.

Banorëve të Qarkut të Kukësit iu është propozuar një formulë, nëpërmjet së cilës ata do paguajnë 100 lek për një numër të caktuar kalimesh.

Duket qartë, që është një formulë e sforcuar, e ndërtuar mes avullit të copave të mishit të qingjit të pjekur, nga “ekspertët e qeverisë dhe ata të firmës që shet naftë”.

Teknikisht, është menduar të zgjithet nëpërmjet formave elektronike moderne, të cilat zëvendësojnë tallonat e kohës së regjimit diktatorial, ose abonetë e sotme manuale (në Tiranë janë me foto, në Kukës nuk e di si do bëhen).

IV. Kuksianët

Ka një “problem” të vogël këtu.

Më lart thamë që popullsia aktuale e Qarkut të Kukësit është rreth 80 mijë banorë.

Pra, kuksianë, hasjanë e tropojanë së bashku, që banojnë në Qarkun e Kukësit, përtej tunelit, janë vetëm 80 mijë.

Problemi është, që ka më shumë se 300 mijë kuksianë, hasjanë e tropojanë, që banojnë në Tiranë, Kamëz, Durrës, Shijak, etj.

Këta janë problem i vërtetë për qeverinë.

Edhe për opozitën, por nuk po merremi me të për momentin, pasi është në orën e gjumit.

Pse? Sepse, këta që janë nga kjo anë e tunelit, kanë vota sa për 20 deputetë, ndërsa nga ana tjetër e tunelit janë vetëm 3 deputetë.

Ndaj edhe qeveria me propagandën e vet tinëzare e ka orientuar debatin me banorët e Qarkut të Kukësit, jo me kuksianët, tropojanët, hasjanët.

Nuk e di se sa do t’a shtyjë këtë propagandë qeveria, por një gjë e di me siguri, që kuksianët, hasjanët e tropojanët që banojnë këtej tunelit do të vazhdojnë ta quajnë veten të tillë edhe për nja 2-3 breza.

Brezi i sotëm cfarë do iu lërë trashëgim?

Një abone për të shkuar në vendin e të parëve?

Nuk besoj./dritare.net

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.