Kujt i intereson një Prokurori me standarde kaq të ulëta?

Nga av.Denisa Daka

Kujt i intereson një Prokurori me standarde kaq të ulëta e të papranueshme këtu? Pse askush nuk thërret në interpelancë Arta Markun për gjendjen katastrofike të organit të akuzës? Në atë godinë të lartë e hijerëndë që sekush shpresonte t’i zihej pritë krimit e të keqes, shëmtisë të aksh ngjarjeve, shkelen çdo ditë afate, të drejta, detyrime institucionale si dhe mbyllen e arkivohen dosje hetimore, të cilat bartin histori tronditëse e të rënda, pa u hetuar në shumë raste asnjë orë të vetme. Dhjetëra vendime pushimi, mosfillimi, refuzime kërkesash e memosh të shumta përcillen çdo ditë nga akuza, të dëmtuarve, qytetarëve të këtij vendi, në shkelje të ligjit në shumë raste, si për t’i treguar sekujt prej nesh këtu, se zgjidhja e vetme paskësaj, mbetet vetëgjyqësia. Të dëmtuar, të pambrojtur e të pashpresë, dhjetëra qytetarë të cilët ngujohen me orë të tëra çdo ditë prapa kangjellave të asaj godine hijerëndë e shpresojnë zgjidhje të problemeve të tyre, nuk janë prej kohësh halli i askujt. Dhjetëra kallëzime e denoncime të shumta të qytetarëve të dëmtuar në të tëra format në këtë vend, të profesionistëve në ushtrim të detyrës gjithashtu, mbetën pothuaj në të gjitha rastet pa përgjigje e pa zë ndër vite. E ndërsa qindra vendime të organit të akuzës të marra në kundërshtim me ligjin, në shkelje të afateve respektive gjithashtu bëhen objekt i shqyrtimit gjyqësor, kosto morale e materiale në çdo rast ka një vlerë të konsiderueshme. Ecejaket e dosjeve me jetë njerëzish brenda tyre, vijojnë rutinisht udhën nga komisariatet për në organin e akuzës duke udhëtuar në shume raste drejt askundit, ndërsa vrasësit e dhunuesit të gjithë bashkë, lusin fatin e Zotin që kjo amulli e pandëshkueshmëri e kthyer tashmë në kult, të zgjasë sa më shumë..

LEXO DHE :  Spiropali i përgjigjet Bashës për mandatet: Nuk do t'i merrni më rrogat për ta ndotur Parlamentin

Festë për mashtrues, dhunues e kohë morti për viktima e të dëmtuar..

Kudo demagogji e propagandë nga partitë politike të cilat vijojnë të merren me shkakun e një ngjarje,  pa u kujdesur në asnjë rast për zgjidhjen e pasojave. Kur e kush do të mbajë përgjegjësi në këtë vend për gjithë këtë katrahurë që po ndodh në organet e drejtësisë posaçërisht, veç një Zot e di paskësaj. E ndërsa dhjetëra prokurorë vijojnë e shijojnë parajsën e tyre  çdo ditë, qytetarë të pashpresë e të nëpërkëmbur padrejtësisht, vijojnë të ndjekin ferrin e makthin e tyre, duke mallkuar veten e fatin e keq që i përballi me këtë palo sistem në këtë vend.Deputetë të të gjitha forcave politike, thirreni në interpelancë Arta Markun e kërkojini llogari me gjithë të drejtën tuaj e tonën bashkë, për këtë dëm, amulli e përgjumje të organit të akuzës që po merr si një ortek përpara, çdo shpresë e përpjekje të shumëkujt këtu. Në mungesën e kahershme të një gjykate të lartë, me një prokurori e gjykatë me standarde të ulëta, shpresa e cilitdo në këto kushte po humbet krejt. Demagogjia e propaganda nuk vlejnë më, përkundrazi, vrasin shpresën e besimin e secilit prej nesh çdo ditë!   Thirreni këtë zonjë në interpelancë të nderuar deputetë e kërkojini llogari deri më një, me gjithë të drejtën tuaj e tonën bashkë, pse ky institucion po shkon çdo ditë e më për dreq me një standard të ulët krejt../dritare.net

[email protected] Cel 00355 692065597

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.