Kujdes fëmijët! Ja si mund të humbasin dëgjimin!
Dritare.net
Njohja e mirë e këtyre faktorëve, si dhe marrja e ndihmës së duhur mjekësore ndihmon në shmangien e humbjes së dëgjimit. Në kuadër të “Ditës Botërore të Dëgjimit”, mbështetur edhe në direktivat e dhëna nga strukturat ndërkombëtare të shëndetit, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, theksojnë se rreth 50 për qind e rasteve me humbje tё dёgjimit mund tё shmangen nëse nuk neglizhohet ndjekja e parandalimit parësor.
Për vitin 2016, në fokus të kësaj dite është apeli për mbrojtjen e dëgjimit të fëmijëve. Si shkak i faktorëve të përmendur, problemet me dëgjimin kanë filluar të shfaqen në masë edhe tek moshat e vogla. Ndërkohë që me kalimin e kohës shndërrohen në një tjetër problema madhor, pasi nga ndërlikime që mund të mbahen nën kontroll, mund të shkojnë deri në shurdhëri. “Kjo temё synon tё tёrheqё vëmendjen nё faktin se pjesa mё e madhe e shkaqeve tё humbjes sё dёgjimit te fёmijёt, mund tё parandalohen.
Nga identifikimi i hershёm dhe ndёrhyrjet nё kohё, personat me humbje tё dёgjimit mund tё kenë shumë pёrfitime në cilësinë e jetës. Kjo ditё, synon tё rrisё ndёrgjegjёsimin, jo vetëm të popullatës së përgjithshme, por edhe të politikëbërësve për hartimin e strategjive efektive, të cilat do të ndikojnë në uljen e prevalencës së rasteve me humbje të dëgjimit, si dhe në impaktin qё ka humbja e dёgjimit në cilësinë e jetës”, sqarohet në udhëzuesin e ISHP, kundrejt masave që duhet të ndërmerren për parandalimin e uljes së nivelit të dëgjimit.
Faktorët që dëmtojnë dëgjimin tek fëmijët
Specialistët e ISHP-së sqarojnë se shkaqet e humbjes sё dёgjimit dhe të shurdhёsisё ndahen në dy kategori, të lindura dhe të fituara gjatë jetës. Sa i takon shkaqeve të lindura, bëhet me dije se humbja e dëgjimit tek fëmijët mund të vijë si rezultat faktorëve gjenetikë, ose si pasojё e komplikacioneve me të cilat mund të përballet nëna gjatë ndjekjes së shtatzanisë dhe lindjes. Konkretisht, nëna gjatë shtatzanisë duhet të bëjë kujdes ndaj infeksioneve të rubeolës dhe të sifilizit, si dhe të mbajë nën kontroll gjithmonë peshën e fëmijës.
Thuhet se në rastet e lindjeve me peshë të vogël, shtohet risku që fëmija të përballet më pas me probleme të dëgjimit, të cilat me kalimin e kohës mund të shkojnë deri në shurdhëri, nëse nuk ndërhyhet me marrjen e kujdesit të specializuar mjekësor. Gjithashtu, edhe përdorimi gjatё shtatzënisё i disa medikamenteve tё ndaluara, siç janë: “Aminoglukosidet, citostatikёt, preparatet kundёr malarjas dhe diuretikёt”, pasi ndikojnë në shfaqjen e këtyre problemeve me dëgjimin. Verdhëza mund të ndikojë edhe në dëmtimin e nervit të dëgjimit tek një i porsalindur.
Ndërsa në grupin e shkaqeve të fituara pohohet se ndikojnë në dëmtimin e dëgjimit, sëmundjet infektive si meningiti, fruthi dhe parotiti (shytat), infeksionet kronike tё veshit, pёrdorimi i disa antibiotikëve dhe barnave antimalarike, dёmtimet traumatike tё kokёs dhe veshit, zhurmat ekstreme, pёrfshirё këtu edhe zhurmat nё ambientin e punёs nga makineritё apo shpёrthimet, si dhe zhurmat nё ambientet ku jetojmё dhe frekuentojmë (bare, klube nate, etj).
Një tjetër faktor që përbën rrezik është edhe bllokimi i kanalit tё veshit me dyll, apo me trupa tё huaj. Ndaj herë pas here duhet bërë një vizitë tek mjeku specialist për të mos lejuar qëndrimin e dyllit në kanalin e veshit për një kohë të gjatë, në mënyrë që të mos prekë nervat e dëgjimit. Duke i mëshuar fort idesë së parandalimit, ekspertët e ISHP-së thonë se ndikimet e humbjes së dëgjimit si tek të rriturit ashtu edhe tek fëmijët janë të mëdha.
Si shkak i tyre zhvillimi i tё folurit tek fëmijët është i vonuar. “Humbja e dёgjimit dhe sёmundjet e veshit, tё tilla si otiti media, kanё efekte negative nё performancёn e fëmijëve nё shkollё. Po ashtu, pёrjashtimi nga komuniteti ka njё ndikim domethënës nё jetёn e përditshme, duke krijuar ndjenjёn e vetmisё, izolimit dhe nёnshtrimit, kjo ndodh veçanёrisht tek individёt e rritur. Nёse njё fëmije me shurdhёsi të lindur nuk i jepet mundёsia tё mёsojё gjuhёn e shenjave qё në moshë të vogël, ky fëmijë do ndihet i përjashtuar nga ndërveprimet sociale”, sqarohet nga ISHP.
Masat që duhen marrë për të shmangur humbjen e dëgjimit
Sikundër edhe u theksua, rreth 50 për qind e rasteve me humbje tё dёgjimit mund tё parandalohen. Janë një sërë vaksinash që duhet të bëhen ndaj sëmundjeve të klasifikuara si të fëmijërisë, siç janë vaksina kundër fruthit, rubeolës, menigitit, shytave, etj. Më tej, rekomandohet edhe vaksinimi i adoleshenteve në moshën riprodhuese kundrejt sëmundjes së rubeolës. Kjo vaksinë duhet bërë para konceptimit të shtatzanisë. Nënave u këshillohet që të kryejnë testet për sifilizin dhe sëmundje të tjera infektive gjatë shtazanisë. Parandalimi duhet të ndalet edhe tek bebet, ku mund të praktika të tё testit tё dёgjimit qё nё lindje.
Diagnostikimi i hershёm i fёmijёve me “otit media”, dhe marrja e trajtimit të duhur pёr kёtё diagnozё, është një tjetër këshillë që nuk duhet neglizhuar sa i takon shmangies së humbjes së plotë të dëgjimit që mund të vijë nëse problemi i identifikuar nuk trajtohet. Duhet të bëni kujdes edhe me përdorimin e medikamenteve të ndryshme. Kjo me përjashtim tё rasteve tё dhёna nga mjeku specialist, i cili monitoron gjendjen dhe ecurinё e mjekimit. Historia familjare duhet të shërbejë si tregues për të ndjekur dhe mbrojtur fëmijën e porsalindur nga problemet me dëgjimin.
Kështu, mjekët theksojnë se foshnjat me rrezik tё lartё për ulje të dëgjimit, janë ato qё kanё nё historinë familjare raste me shurdhёsi, kanë lindur me peshё tё vogёl, me asfiksi nё lindje, kur kalojnë ikter (verdhëzën), ose meningit. Duhet të evitohet edhe qëndrimi në ambiente me nivel të lartë zhurmash. Në rastet kur kjo është e pashmangshme duhet të përdorni tapat për veshët, ose kufje, të cilat ndihmojnë në minimizimin e zhurmës që dëmton më pas nervat e dëgjimit./gazetadita.al