Kriza e leximit/ 1 milionë shqiptarë nuk kanë lexuar asnjë libër këtë vit
Dritare.net
Shtëpitë botuese nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia do të jenë tek Pallati i Kongreseve së bashku me botimet e tyre, ku lexuesi do të gjejë libra të shumëllojshëm.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, gjatë konferencës ka deklaruar se Panairi i 12 i librit ka pikërisht si qëllim nxitjen e leximit, për shkak se në bazë të statistikave janë 1 milionë shqiptarë që nuk kanë lexuar asnjë libër në 2018.
“Ndoshta edhe të shtyrë nga diskutimet e shumta që janë bërë pas anketimeve të INSTAT dhe Shoqatës së Botuesve Shqiptarë për rënien drastike të leximit. Ju e dini konkluzionin e Instat se rreth 1 milion shqiptarë nuk kanë lexuar asnjë libër në kuadër të një viti. Edhe për këtë, por edhe për shumë arsye të tjera, sepse ky rezultat i anketimit të INSTAT ka shkuar pak a shumë në të njejtën vijë edhe me rezultatet e anketimeve që kemi bërë ne, leximi ka rënë dhe arsyet janë të shumta, sociale, ekonomike, psikologjike apo arsimore. Prandaj kemi zgjedhur këtë temë dhe në valën e kësaj teme ka edhe shumë aktivitete që lidhen me leximin. Një prej tyre, më i rëndësishmi, organizohet nga Shoqata e Botuesve, për leximin, prirjet e tij, aktivitet i cili do të zhvillohet më datë 15 nëntor, në Sallën Ovale të Pallatit të Kongreseve, ku do të ketë studiues, botues, autorë, përkthyes, pedagogë, mësues etj., për të diskutuar problemet e leximit dhe si mund ta përmirësojmë këtë gjendje. Kjo nuk është një situatë që ka ardhur as për disa muaj, as për disa vjet. Kjo është një situatë e krijuar prej më shumë se dy dekada, gati pothuajse tri dekada. Rënia e interesimit të shoqërisë, të institucioneve për leximin, dhe vimë në këtë gjendje”-tha Ymeri.
Sipas Ymerit, për t’u përmisrësuar gjendja dhe për të ardhur aty ku ishim duhen përsëri 15 ose 20 vite të tjera. Por kjo do një angazhim të të gjithëve, të të gjithë operatorëve, por në radhë të parë të institucioneve./ I.M-Dritare.net