Krishtlindjet më të bukura kalohen, në Durrës
Dritare.net
Nga Fjorda Llukmani Kur isha e vogël shkoja me gjyshin për plazh në Durrës me tren. Mbaj mend që zgjohesha shumë herët, që të niseshim në orën 7 pa 5. Stacioni i trenit ndodhej në Shkozet të Durrësit, aty ku bënim dhe plazhin. Ngulnim çadrën se, asokohe nuk i njihnim shezlonget. Me bukë me vete, ujë e lëngje frutash. Pas 15 vjetësh, i njëjti vend ka ndryshuar jashtë mase shumë. Nëse atëherë nuk kishim mundësi as për të paguar shezlongun, sot falë investimeve të zgjuara mund të qëndrojmë në hotele me 5 yje. Si fanse e madhe e detit, zgjodha t’i kaloj Krishtlindjet me shoqen time te “Palace Hotel & Spa”, në Durrës. Unë nisem gjithmonë nga përshtypjet që lënë të huajt në Booking apo Trip Advisor. Më bëri përshtypje që Palace ka shuuuumë komente pozitive edhe për shërbimin, aty ku gjoja ne çalojmë pak. Arrijmë për vigjiljen e Krishtlindjeve. Frynte aq erë, saqë në pishinën jashtë ishin formuar dallgë të vogla. Akomodohemi në dhomën çift me pamje nga deti. Sigurisht gjëja e parë që bëj kur futem në hotel është të kërcej mbi krevat. U shtriva për ta provuar, e më zuri gjumi rreth 1 orë. Kur u zgjova i them shoqes sime: “Më duket ka ardhur koha të ndryshoj dyshekun e krevatit që kam në shtëpi…” U veshëm me ngjyra të kuqe për festë e zbritëm në restorant për të filluar darkën. Menyja përbëhej nga 5 pjata përfshirë ëmbëlsirën dhe kushtonte 3000 lekë personi. Me aq sa kam parë unë, për një hotel me 5 yje çmimi është goxha lirë. Tavolina ishte dekoruar me lulen e Krishtlindjeve dhe topa të kuq. Po ashtu në restorant më pëlqyen zbukurimet e thjeshta, jo të ngarkuara që të vrasin sytë. Një djalë me kostum, na uron mirëseardhjen dhe më vendos kartopecetën te prehri. “Ou pse paska dhe kështu?”,- i them për ta ngacmuar e falënderuar për shërbimin. “Patjetër ka edhe më shumë!”,- ma kthen duke qeshur e duke më mbushur gotën e verës. Kënaqem fare kur më bëjnë shërbim e temena kur i thonë. Pale kur më japin muhabet kamerierët, ndihem si në shtëpi. Për herë të parë hëngra supë me fruta deti dhe krep me karkaleca.
Muzika në sfond nuk ishte me zë të lartë. Fiks siç më pëlqen mua, që të komunikoj edhe me njerëzit pranë. Një moment plas popullorja. Asnjë shqiptar nuk u çua, sepse ishin të zënë duke ngrënë, përfshirë këtu edhe mua. Kur më thotë një nga çunat e shërbimit: “Ajo e para që udhëheq vallen është indiane, e dyta gjermane.” Hajde harmoni hajde! Më bukur kërcenin ato se ne. Në mëngjes gjumi më doli në 10:30. Në dhomë është shumë errësirë dhe gjumin e bën top. Kisha kohë pa fjetur aq rehat. Kur shoh orën çohem me vrap me frikën mos humbasim mëngjesin. “Zgjohu se ngelëm pa hongër”,- i them shoqes time më përgjumësh se unë. Në përgjithësi në disa hotele e mbyllin mëngjesin që në 10. Po mendoja me vete të përdorja te gjitha aftësitë e mia komunikuese, për t’i thënë dikujt të na gatuante diçka për të ngrënë. Hap derën e restorantit e shoh banketin plooot me ushqime të ndryshme. Mëngjesi jo vetëm që nuk ishte mbyllur, por mund të haje aq shumë sa të plasje. S’dija nga t’ia filloja. Lloje të ndryshme vezësh, omëletash, salsiçe, sallamesh, sallata, zarzavate, madje edhe japrak. Mos të flas për ëmbëlsirat, reçelrat, frutat. Edhe vezën e bënin sy, siç ma bën mami në shtëpi. Mos të flas për vajzat e shërbimit që vetëm qeshnin. Çelësi i suksesit në punë hotelerie e turizmi është buzëqeshja e komunikimi. Për mua këta janë njerëzit e preferuar. Dhe pse mund të kenë një ditë të keqe, qeshin për ta bërë klientin të ndihet sa më mirë. Dolëm një shëtitje buzë detit. Me nostalgji kujtoja kohën e plazhit në Shkozet. Dielli na binte mbi kokë sa një saç. Ndërkohë në Instagram shumica e miqve të mi ndodheshin në Korçë, ku kishte rënë edhe borë. Unë s’jam njeri që e përballoj të ftohtin, prandaj zgjodha të kaloja festat buzë detit. “Meqë na verboi ky dielli, provojmë një herë Spa-në e hotelit?”,- i them shoqes time. Komplet ndryshim programi kur futesh te zona e relaksit. Sidomos kur e ke gjithë Spa-në për vete. Pishina është padyshim më e ngrohta që kam provuar në Shqipëri. Në disa të tjera uji ka qenë i vakët, e mendoja se në ato temperature janë gjithandej. Këtu ndryshova mendje. Provuam saunën, jacuzzin me drita ngjyra-ngjyra, banjën turke. Çdokush që viziton ‘Palace’, e ka të përfshirë në çmim qëndrimin në Spa, sa t’i dojë kokrra e qejfit. Për më tepër lejohen edhe pijet alkoolike. Kthehemi në dhomë për t’u bërë gati për ikje e ndeshem me pastrueset. M’u dukën në qejf dhe i pyes me shaka: “Ju ka ndodhur ndonjëherë të hapni derën për të pastruar dhomën, edhe dikush të ketë qenë duke bërë seks?” “Pse të keqen të kanë kapur mat ty diku që na e bën këtë pyetje?,- ma kthen njëra prej tyre. Të dyja palët qeshëm shumë. Më mësuan stilin e trokitjes tre herë në derë, për të marrë vesh nëse ka njerëz apo jo në dhomë. Me shumë dëshirë do të
doja të isha këtu për Vitin e Ri, po ç’të bëj që zakoni e do të qëndrojmë me familjen. Për ata që janë akoma në mëdyshje, po ju sugjeroj t’i kaloni festat në ‘Palace Hotel’, në Durrës. Sidomos nëse jeni çift e keni nevojë për pak ditë qetësi e relaks. Shijojmë perëndimin përballë hotelit, me pamje nga komplet gjiri i Durrësit. E mbyllëm ditën me debatin se, karriget që tunden ku ishim ulur, quhen kolovajze e jo pilikunxhe. Kot nuk thonë ‘afër detit afër mbretit’./dritare.net