Krimi tmerron kryeqytetin, Tahiri paralajmëron shkarkime
Dritare.net
Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ka zhvilluar një mbledhje, të martën në mesditë, me drejtorët qendrorë dhe ata vendorë, pas disa ngjarjeve të ndodhura, situatës së krijuar me Emiljano Shullazin dhe disa prej ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura në vend.
Mbledhja është kryer në ambientet e përkohshme të Ministrisë në Gardën e Republikës. Sipas burimeve, ministri Tahiri ka paralajmëruar shkarkime dhe transferime në ato komisariate apo drejtori ku janë vërejtur probleme me kriminalitetin apo ngjarje të rënda.
Burime të policisë thanë se Tahiri, ka kërkuar nga drejtuesit vendorë të policisë që elementë me tendenca të forta kriminale, sidomos ata të njohur për armëmbajtje pa leje apo krimet ndaj jetës të mbahen më tepër në vëzhgim. Mësohet nga Report Tv, se Tahiri, nuk ka lënë pa përmendur edhe elementë të njohur të grupeve kriminale që janë goditur apo që veprojnë në vend dhe kryesisht në Tiranë.
Më tej Tahiri nuk ka lënë pa vënë në dukje edhe operacionin e fundit ku u arrestua gjyqtari Ibrahim Hoxha, djali i tij dhe dy persona të tjerë për akuzën e korrupsionit. Tahiri nuk nguroi të inkurajojë hetimet për raste të ngjashme të korrupsionit në radhët e zyrtarëve të lartë.