Pavarësisht lajmeve të sajuara mediatike ku këta djem paraqiten si fanatikë islamistë që nuk pinë birrën apo nuk i japin dorën prifterinjve, e vërteta është se ata më shumë se çdo diplomaci e jona, kanë bërë punë për të qasur një këndvështrim ndryshe të Shqipërisë. Me emrat e tyre shqiptarë, me prejardhjen e tyre nga të gjitha viset e banuara nga shqiptarët, me pranimin pa asnjëlloj inferioriteti të kombësisë së tyre, me emisionet që prodhohen për jetët e tyre, me kualitetet sportive që ofrojnë,
ata kanë bërë më shumë sesa do të mund të bënin miliona euro të hedhura nga shteti për të sponsorizuar programe marketingu për Shqipërinë. Më mirë se kushdo, ata kanë paraqitur të vërtetën tonë historike, tokat ku shtrihemi dhe vlerat tona.
Tashmë nuk ka rëndësi nëse kombëtarja jonë do të fitojë ndonjë ndeshje në grup ose jo. Ky eveniment e ka promovuar Shqipërinë sa për dhjetë vjet. Ka treguar se përveç trafikantëve dhe delirantëve, jemi në gjendje të ofrojmë në sport, njerëz të denjë për kontinentin dhe vlerat e tij. Për herë të parë në sport, vlen thënia që “Nuk ka rëndësi të fitosh, por të marrësh pjesë”.
Një falenderim i madh do ju takonte djemve të kombëtares tonë që na sollën deri këtu, por edhe familjeve të Xherdanit, Shkodranit, Taulantit, Valonit
e të tjerëve, për fëmijët që kanë rritur. Na keni bërë krenarë./dritare.net