Kokëdhima akuza Bashës për plagjiaturë: Më ka vjedhur idenë e qeverisë tranzitore

Qeveria tranzitore e artikuluar nga opozita, është bërë shkak i një sulmi që kreu i partisë “Zgjidhja” Koço Kokëdhima ka adresuar ndaj Lulzim Bashës.

Kokëdhima shprehet se Basha i ka vjedhur idenë, pasi qeveria tranzitore është hedhur si ide nga partia e tij.

“Opozita formale e Lulzim Bashës kërkon nga kryeministri Rama një “Qeveri tranzitore”. Që në krye duhet sqaruar se kërkesa është formuluar fillimisht nga Partia “Zgjidhja” në Tryezën e Partive për Zgjedhje të Lira dhe jo me qëllimet që ka Basha, por për të realizuar një reformë elektorale të vërtetë. Arsyen përse Lulzim Basha në “plagjiaturë” politike, do ta kuptojmë më poshtë. Kur Lulzim Basha e futi opozitën në çadrat poshtë dritareve të zyrës së Edi Ramës, kopjoi tezën e Partisë Zgjidhja mbi “Republikën e qytetarëve” për t’i dhënë legjitimitet sovranit të zgjedhë me votën e tij. Ne ishim parti e re dhe e trajtuam me modesti këtë ngjarje. Menduam, shumë mirë që një opozitë përqafon tezat tona për ndryshimin e sistemit politik dhe, kështu do të bëhet më e lehtë arritja e qëllimit.

Ishte e papritur për ne, që Lulzim Basha merrte përsipër të artikulonte parrullat tona, sepse e dinim kë përfaqëson. Partia e tij, në 26 maj 1996, bëri vjedhjen masive të votave, në të njëjtën kohë që PS bojkotoi zgjedhjet. Pas kryengritjes së vitit 1997, PS dhe PD vazhduan t’i vjedhin me radhë votat. Në vitin 2008, u noterizua pakti Berisha-Rama për rotacion dypartiak në kurriz të popullit dhe forcimin e sundimit nga dy liderët e PS dhe PD, që do t’u jepej e drejta të emëronin të gjithë elitën politike, administrative dhe intelektuale. Ndryshimet kushtetuese të 21 prillit (2008) e kthyen Shqipërinë nga republikë parlamentare në republikë kryeministrore.

E denoncoi Ilir Meta, që u fut më grevë urie brenda Kuvendit, në nëntor 2008, por më pas LSI u bë pjesë e sistemit. Një nga ato gjëra të këqija që ata vendosën ishte se parlamenti nuk mund ta largonte kryeministrin përpara përfundimit të mandatit. Parlamenti nuk mund të krijonte një shumicë të re, përveç asaj që kishte hartuar në listat e kandidatëve vetë kryeministri. Rama dhe Berisha vendosën: ‘Këtë vend do ta drejtojë vetëm njeri nga ne të dy. Kush fiton zgjedhjet, i merr të gjitha’.

“Zgjidhja” e ka ftuar Lulzim Bashën, edhe kur hyri në çadër, a është për “republikë të re”? Por, veprimet flasin më tepër se sa çdo përgjigje apo deklaratë. Ky njeri nuk mund të besohet, sepse në 2017 na tha që do të ndryshonte këtë sistem dhe sidomos shprehej kundër listave të mbyllura të kryetarëve të partive. Në realitet i bëri listat e partisë së tij brenda natës dhe i dorëzoi në minutën e fundit në KQZ. Në mungesë të reformës, sërish kandidatët për bashkitë dhe këshillat do të jenë të emëruar, jo të zgjedhur. Pra, si ta besojmë se ky njeri e ka seriozisht sot? Në vitin 2017, Basha dhe Rama bën pakt të fshehtë kundër partive të tjera. Ata e bënë marrëveshjen larg syrit të ndërkombëtarëve (McAllister nuk e kuptoi dot kurrë se si ai nuk arriti t’i bindte këta dy liderë të uleshin në bisedime dhe pas largimit të tij, këta u takuan dhe bënë një marrëveshje të pashpallur).

LEXO DHE :  Haradinaj: Edhe unë kam faj për zbrazjen e Kosovës

Si ta kuptojmë sot Bashën që kundërshton ndërkombëtarët për bërjen e reformës zgjedhore dhe deklarohet për “qeveri tranzitore”. Ai po vazhdon paktin e 17 majit, është për qeveri me ministra teknikë dhe për zgjedhjet që sigurojnë pozitat e vetëm tre partive PS-PD-LSI dhe ruajnë status quo-n. Njerëzit sërish nuk do të zgjidhnin njerëz të tjerë, veç numrave në listën e kryetarit. Zgjedhësit nuk do të kenë alternativë veç tri partive të kalbura. Tryeza e Partive për Zgjedhjet e Lira i është drejtuar Lulzim Bashës: Bëhu me alternativën tonë: Ose duhet të jemi pjesëmarrës në demokraci me votën tonë, ose nuk duhet të marrim fare pjesë në këtë republikë të rotacionit të korrupsionit.

Kur e dëgjojmë Lulzim Bashën të flasë për “qeveri tranzitore” pas 16 shkurtit, nuk na tingëllon mirë “plagjiatura” e tij. Sepse gjatë kopjimit, ai ka ide tjetër në thelb, të ndryshme nga “Zgjidhja” dhe tryeza e mbi 20 partive që luftojnë për zgjedhje të lira dhe të barabarta. Ne jemi për një qeveri teknicienësh, akademikësh dhe intelektualësh me integritet, jo për kabinet të emëruar nga këta të dy, që janë pjesë e problemit. Prandaj 16 shkurti, sado njerëz të mbledhë te dera e qeverisë, nuk synon ndryshimin. Ndërsa për ne, më tepër rëndësi ka protesta e studentëve dhe pedagogëve, sado që nuk ka bërë formulime politike të kërkesave, por në esencë janë lëvizje anti-sistem. Ata studentë, sado pak që mbetën sot, sado pak që të jenë nesër, janë rezistenca e vërtetë, janë përpjekja më e sinqertë për të ndryshuar gjërat, për demokraci dhe dinjitet.

“Plagjiatura” e idesë për qeveri teknike, kuptohet se bëhet nga ju për të mbytur çdo ide që vjen jashtë sistemit dhe kundër tij. Ju nuk frymëzoni me qëndrimet tuaja, as nga 16 shkurti nuk pritet gjë e re. Shembull i dinjitetit dhe frymës së demokracisë vjen nga studentët që shkaktuan në dhjetor tërmet te qeveria dhe opozita. Ata i morën në dorë fatet e tyre, fakultetet, auditorët, jetën e tyre dhe i qëndruan të keqes përballë, pa kompromis. Që të kthehemi, në krye të çështjes, ju kujtoj se studentët u ngritën edhe kundër plagjiaturës. Pra, ka ardhur koha që edhe politikanët të dalin para njerëzve ashtu siç janë, pa kopje, pa gënjeshtra. Pra, mos i përdorni më parullat “republikë”, “qeveri e popullit” apo “qeveri teknike”, “reformë zgjedhore”, sepse nuk i fshihni dot pazaret politike me të cilat zëvendësuat kushtetutën.”-shkruan kokëdhima./ I.M-Dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.