Rasti i mbledhjes së janarit, me debatet e brendshme që u botuan në media, zbuloi natyrën e vrazhdë dhe të pandjeshme me të cilën KLD ka hedhur poshtë akuza konkrete për shkelje monstruoze të një liste të gjatë gjyqtarësh. Kush lexon se çfarë kanë thënë anëtarët e KLD në atë mbledhje, kupton se tashmë aleanca e sistemit të vjetër të drejtësisë me abuzimin dhe shpërfilljen e ligjit, ka marrë trajtat e një sëmundjeje terminale. Nuk njohin më skrupuj, vetëm votojnë si korporatë që ndjen se ndodhet në rrezik.
Vonesa e Reformës në Drejtësi, bashkë me kostot që ka sjellë në krijimin e institucioneve bazë që do të zëvendësonin edhe “kadavrën” KLD, po shtyn në kalenda rrëzimin e pandëshkueshmërisë dhe të imunitetit ligjor për një listë të gjatë gjyqtarësh e prokurorësh. Qëndrimi shurdh i KLD edhe këto ditë, kur Vetingu ka bërë tashmë viktimat e para gjatë rrugës, është prova se me një pjesë të sistemit të drejtësisë shqiptare nuk ka vend forca e shembullit, por vetëm shembulli i forcës.
KLD ka bërë edhe një herë mburojën e gjyqtarëve që, ndër të tjera, kishin kryer shkelje të rënda për kriminelë të kërkuar nga Shqipëria e Italia. Me qëndrimin e saj shpërfillës ndaj kundravajtjeve ligjore, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka bërë të lëvizë nga vendi edhe kreun e shtetit Meta, që zakonisht ka qenë garantist dhe konservator kur ka qenë fjala për të ndryshuar diçka në sistemin e drejtësisë.
Me deklarimin e Ilir Metës kundër, KLD ka humbur jo vetëm kreun e tryezës, por edhe njërin ndër filtrat e fundit që e ka mbajtur në këmbë këto vite, me rolin frenues gjatë reformës në drejtësi.
Tashmë të gjithë duket se e kanë shitur këtë llogore të ndryshkur të (pa)drejtësisë shqiptare. Megjithatë japonezët luftuan në transhetë e Paqësorit edhe shumë vite pasi kishte mbaruar Lufta e Dytë Botërore. Kështu po ndodh edhe në këtë rast. /JAVANEWS