Këtë fundjavë, vrap e në Ulzë

Nga Fjorda Llukmani

Një nga kujtimet më të bukura që kam me babin kur isha e vogël, lidhet me liqenin e Ulzës. Mbaj mend të kem qenë rreth 8 vjeçe. Rruga e atëhershme të merrte gati 5 orë udhëtim. Qëndruam për peshkim 3 net me çadra kampingu. Më kujtohet që morëm varkën për të kaluar në krahun tjetër të liqenit.

Një qytezë e vogël me njerëz të sjellshëm. Kthehem në Ulzë pas kaq vitesh. Disa persona ma sugjeruan, pasi është shtruar rruga e mund të arrije për dy orë. Kalojmë nga rruga që të çon në Burrel. Tek ura e Milotit kthehesh djathtas. E gjeni kollaj, se ka tabela gjithandej.

Mua më pëlqen të udhëtoj me makinë, sidomos kur kam pamje gjithë rrugës. Në të djathtën time, filloi të dukej një lumë që na shoqëronte gjithë kohës. Pastaj disa tunele, ura që lidhnin fshatrat, kur fappp shoh hidrocentralin e Shkopetit.

Midis dy rrëza malesh, është ndërtuar diga e hidrocentralit. Frynte një erë, që bënte dhe zhurmë fiu-fiu. Ndalojmë për të parë hidrocentralin nga afër. Hyrja nuk lejohet sigurisht, por unë me ngulmin tim arrita ta bind rojën, që dua thjeshtë të bëj një foto.

Burrë zotni kur i thonë. Na pyeste ku punonim, me çfarë merreshim në Tiranë etj. Ndërkohë që i jepja përgjigje, shijoja bukurinë e liqenit të Shkopetit.

“Paska rënë niveli ujit.”,i them rojës si specialiste. “Po s’kanë filluar akoma shirat sivjet.”,- tha ai. Nisi të më shpjegonte procesin se në cilat raste i hapnin portat. Shumë interesante. M’u kujtua kur na i mësonin këto gjëra në shkollë, e s’u kushtonim vëmendje.

Buzë hidrocentralit ndodhej një lokal, ku piqnin dhe mish.

Aty kemi bërë një ndalesë, pasi jemi kthyer nga Dibra, kur morëm nusen e dajës, për nuse. Isha 5 vjeçe dhe mbaj mend, që më mbeti në mendje asokohe një liqen me ngjyrë jeshile. Paska qenë ai i Shkopetit pra! Përjetova déjà vu.

Ecim përsëri dhe pamja e liqenit na shoqëronte gjithë rrugës. Vende-vende shikoje shtëpi në krahun tjetër, që dukeshin goxha larg. Po imagjinoja të kisha një skaf të vogël, ose minimumi një kanoe për ta shëtitur më mirë.

Diku mes malesh, më kap syri një urë të varur, pothuajse të prishur. Liqeni i Shkopetit është i ngushtë, prandaj afër tij ka ura të ndryshme që lidhin fshatrat. Ama kjo që pashë ishte më e rrezikshmja. Insistoj të kalojmë sipër saj.

Disa dërrasa mungonin dhe lëkundej nga njëri krah te tjetri. U mbajta me të dyja duart, anash dhe eca deri në mes. “Pale si tundet kur fryn erë.”,–mendoja gjithë kohës.

Shkrepa një selfie për t’i treguar botës, ku kisha hipur, e m’u kujtuan rastet e personave që janë aksidentuar, sepse donin një foto në vende të rrezikshme.

E futa telefonin në xhep e vendosa të kthehesha. Mendoja sa me fat jam unë e ju të tjerët, që shkoni në shtëpi nëpërmjet rrugës mundësisht të shtruar, pastaj me ashensor, etj, etj.

E kuptoje që arrite në rrugën që të çon në Ulzë, pasi diku në mur shkruhej në gjuhët kryesore të botës “Mirë se vjen në Ulzë”.

Asfalti shkëlqente, pra dukej që sapo e kishin inauguruar. Një tjetër tabelë të tregonte, çfarë përmbante parku natyror i liqenit të Ulzës. Në të listoheshin rreth 10 atraksione turistike, jo keq ëëë. Se prisja të ishin kaq shumë. Për 1 orë e gjysmë larg Tiranës, arritëm në Ulzë.

Sytë më zunë direkt hidrocentralin e Ulzës, i cili është i pari i ndërtuar në Shqipëri. Ndalojmë në qendër të qytezës. Çdo gjë ishte e re, e sapo rregulluar, përfshirë këtu parkun, shkollën, ndërtesat e banuara aty pranë.

S’e mbaja mend Ulzën kaq simpatike. Të gjithë njerëzit kthenin sytë nga ne. Nuk u ndodh shpesh të shohin fytyra të reja, aq më tepër të mendojnë se kemi ardhur për turizëm. Bëra muhabet me një zotëri në lokalin që pimë kafe. Liqeni është goxha i madh, të kënaq ta shohësh. Futem në supermarket për të blerë diçka, e dëgjoj dy gra që bënin thashetheme: “Shihe gocën e filanit, paska vesh këtë fustanin në një sebep që ka pas. E kam pas shoqe klase e mban mend ti?” Sapo hyra pllakosi heshtja. Imagjino sa pak aktivitete kanë për të bërë, aq sa merren vetëm me llafe. Mos rënç në gojën e tyre, se e hëngre.

LEXO DHE :  Romani i ri Tutori/ Mimoza Ahmeti rikthehet me ish-bashkëshortin, Aurel Plasari

Zotëria në lokal më tregoi, që ndodhej një kullë shumë e vjetër, ku mund të bënim piknik buzë liqenit. Kisha dëgjuar për të, e në fakt për atje isha nisur. Ai më thoshte dhe se Ulza ishte rregulluar sivjet, madje po bëjnë një rrugë që të sjell rreth e përqark liqenit. Sa m,u bë qejfi! E vetmja gjë që mund t’i bëjë këta njerëz të jetojnë me dëshirë në vendin e tyre, është potenciali turistik. Zotëria më drejtoi të kaloja mbi digën e hidrocentralit për të kaluar për te kulla.

Pasi e mori vesh gjithë Ulza, që janë disa persona nga Tirana që erdhën për turizëm, nisemi për te hidrocentrali. Porta ishte e hapur për kaluesit. Roja nuk ngurroi të na fliste, e të na jepte muhabet. Njerëz shumë miqësorë! “Si është historia e kullës””- e pyes rojën. “Ka disa teori të ndryshme. Por është për t’u çuditur që ka 30 vjet që nuk banohet dhe nuk është rrënuar. Kjo tregon që është shumë e fortë, prandaj nuk shembet.”,-më thotë ai.

Për çudi roja më tha, që një shtëpi me qira në Ulzë shkon te 200 euro, sepse banojnë inxhinierë të huaj, që punojnë në hidrocentral.

Liqeni kishte nxjerrë drunj pafund, e një burrë i vjetër në moshë po i mblidhte avash-avash. Kulla dukej nga larg. Ecëm vetëm 15 minuta, për të arritur atje. Rrethohej me gardhe nga të gjitha krahët. Roja e hidrocentralit më sugjeroi, mos të futesha brenda, sepse mund të rrëshqisja diku.

Si kurioze që jam, nuk ia dëgjova fjalën. Kulla më ngjasonte me kullat e ngujimit të asaj kohe. Futem brenda e ç’të shoh! Gjithçka aty.

Me dritare të vogla që dukej liqeni dhe e lartë tre kate.

Kishte dhomë pritjeje, dhomë fjetjeje, oxhak dhe dollap poshtë shkallëve për të vendosur rrobat. Katet ndaheshin me dërrasa. Duhej pasur kujdes se mos bije në katin më poshtë, ngaqë disa dërrasa mungonin. Dikush tjetër më tha, që kanë qenë dhe dy kulla të tjera si këto, por me ndërtimin e hidrocentralit janë në fund të liqenit të Ulzës, i cili dikur ka qenë tokë bujqësore.

Këdo që pyesje të jepte një version ndryshe për pronësinë e kullës. Kur kthehem në Tiranë i dërgoj email Bashkisë Mat, për të marrë informacion, e më kthejnë këtë përgjigje: “Ka objekte kulturore si ndërtesa civile dhe fetare të moçme që ofrojnë peizazhe të mrekullueshme,  shtëpi të vjetra banimi si p.sh: kulla rreth 200-vjeçare, e ndërtuar nga Mark Vokrri, që gjendet buzë liqenit të Ulzë. Kjo kullë është restauruar nga sovjetikët, në vitin 1951, ku kanë jetuar rreth 2 – 3 vjet në këtë kullë në periudhën e studimit për ndërtimin e hidrocentralit të Ulzës.”

Bëjmë piknik në zonën e rrethuar të kullës. Dielli shkëlqente sa një saç, e me këtë rast morëm pak rreze. Doja të bëja një shëtitje në varkë, por më zuri gjumi nga qetësia e madhe. Mbase herës tjetër. Kur kthehem, pashë që burri që përshëndetëm paradite, kishte mbledhur goxha dru. “Këtu ke gjithë ditën xhaxhi. Nuk u lodhe?”,- e pyes. “Jam rreth të 80-ave dhe punoj çdo ditë. Me këtë rast pastroj liqenin, e marr ndonjë dru për dimrin.”,- më thotë ai.

Shkoni në Ulzë, që të merrni disa leksione nga mënyra e jetesës së qytetarëve atje. Fjalëpakë, punëtorë, e pozitivë për  të ardhmen e Ulzës turistike. E unë me sa të kem mundësi, do t’i vizitoj e do të flas për ta kudo. Ndërkohë juve ju bëj ftesë ta vizitoni qoftë dhe brenda ditës./Dritare.net

 

 



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.