Kauza “e djegur”, maska e “oksigjenit politik” dhe stonatura e himnit

Nga Nertil Jole

Shumë vende që sot gëzojnë demokraci dhe sistem qeverisës të konsoliduar, kanë hasur në rrugëtimin e tyre udhëkryqe jo të lehta. Në momente të caktuara shoqëritë ndiejnë nvojën për të forcuar sistemin e vlerave dhe parimeve që mbajnë në këmbë funksionimin demokratik të jetës sociale, institucionale dhe politike.
Nuk janë të pakta rastet kur vala e ndryshimeve ka prekur edhe ndërrimin e elitave politike, që për arsye të ndryshme kanë humbur kredibilitetin moral dhe përfaqësues në raport me publikun. Arsyet lidhen më së shumti me nevojën për një përfaqësim politik të ri dhe më shpresëdhënës, që udhëheq dhe shtyn përpara progresin ekonomik e shoqëror.

Të tilla shembuj i gjejmë te dy vendet fqinje për të mos shkuar më larg. Italia për shembull, një shtet që përfaqëson një nivel demokracie shumë të konsoliduar, është ndoshta nga rastet tipike kur politika ka diktuar shpesh ndryshim të qeverive, të cilat asnjëherë nuk kanë qënë produkt i bojkoteve apo djegies së mandateve parlamentare, por rrjedhojë e ndryshimit të ekulibrave politike brenda parlamentit, si mocione mosbesimi apo pamundësi për të formuar koalicione qeverisëse. Në asnjë rast nuk kanë qënë ndryshime sepse pakica politike ka kërkuar për kapriçio të saj një qeveri tranzitore apo se ka preferuar një kryeministër tjetër.

Më i ndryshëm ka qënë rasti i Greqisë, ku si pasojë e një krize shumë të thellë ekonomike të akumuluar ndër vite, vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme. Një forcë e re politike si SYRIZA triumfoi në arenën politike duke marrë të drejtën për të qeverisur vendin dhe duke reduktuar në kufijtë e minimumit historik, peshën politike në parlament të dy partive tradicionale, Demokracia e Re dhe Pasok. Por edhe aty, ndryshimin e qeverisë nuk e bëri të mundur asnjë pretendim absurd i pakicës politike, por vota e qytetarëve që eleminoi nga skena politike elitën e vjetër të politikanëve duke iu njohur atyre përgjegjësinë e situatës së rëndë ekonomike që po kalonte vendi.

Mund të marrim si shembull edhe Maqedoninë e Veriut, një vend me të cilin Shqipëria mund të krahasohet me lehtë, sesa me Italinë dhe Greqinë. Edhe aty, qeveria e re socialdemokrate e kryeministrit Zoran Zaev fitoi besimin e qytetarëve duke i dhënë fund një krize të gjatë politike, që buroi nga abuzimi me pushtetin i ish kryeministrit Gruevski, i kërkuar nga drejtësia. Pra, edhe në Maqedoni ky ndryshim nuk erdhi sepse pakica politike i vendosi kushte mazhorancës, por sepse shumica e qytetarëve i dha votën alternatives së re, duke larguar nga skena politike kastën e vjetër të politikanëve.

Pra, duke iu referuar shembujve të mësipërm, është e natyrshme që procese të tilla të zhvillimit shoqëror e politik, ndonjëherë të sjellin pasoja të paparashikuara, të cilat edhe mund të ngadalësojnë progresin e vendit, sidomos në ato raste kur vetëdija e elitës politike humbet racionalitetin për të arsyetuar demokratikisht, si pasojë e etheve apo emocioneve që lindin e shtohen nga nevoja për mbijetesë politike, por jo vetëm. E kam fjalën për mbijetësën e elitave politike në kushtet e varfërisë intelektuale dhe mendësisë antidemokratike që mishërojnë.

Vendet dhe shoqëritë që kanë arritur të përjashtojnë nga jeta politike apo publike vendimmarrëse këtë lloj “elite politike”, të krijuar si rrjedhojë e rrethanave historike apo periudhave të tranzicionit, janë vendet që sot gëzojnë një bashkëjetesë të shëndetshme parlamentare mes forcave politike, duke respektuar normat ligjore e demokratike të sistemit ku ushtrojnë veprimtarinë.

Edhe në rastin e Shqipërisë, duket se më në fund po vjen një moment domethënës, i cili mund të shpërbëjë njëherë e përgjithmonë këtë rreth vicioz, të krijuar prej një kaste politikanësh të sprovuar e që mban mbi supe barën e shumë abuzimeve me pushtetin, duke hapur një kapitull të ri të raporteve shumë më të përgjegjshme mes të zgjedhurve dhe zgjedhësve. Kjo padyshim vlen për të gjitha kahet e politikës, por i vetmi mekanizëm që mund ta bëjë të mundur këtë në një sistem demokratik është vota, jo anarkia.

LEXO DHE :  ‘Policia po fshihet’, zëvendësministri i Brendshëm: Iku koha e Lazaratit

Në këtë kuptim, vendimi për djegien e mandave të opozitës buron prej shterpësisë intelektuale të një grushti politikanësh të frikësuar, që kanë një mungesë të theksuar atdhetarizmi, sa kohë e dinë fare mirë se një vendim i tillë ndikon jo pak në imazhin dhe ekonominë e vendit.

Nga gjithë kjo kakofoni politike dhe mediatike që shkaktoi djegia e mandave të opozitës, është krijuar përshtypja sikur një revolucion i madh po vjen dhe papritmas do të çlirohet vendi nga “uzurpatorët” e zgjedhur me votë, në një palë zgjedhje të administruara nga koalicioni mazhorancë-opozitë i vitit 2017, si dhe të çertifikuara nga institucionet vendase e ndërkombëtarët.

Të gjithë ata që për arsye të ndryshme, kanë tendencën ta interpretojnë situatën aktuale politike si një krizë të gjithë shoqërisë e jo si një krizë mendore të lidershipit opozitar, minimalisht janë dritëshkurtër ose thjesht të pavërtetë, madje edhe me veten e tyre.

Janë aq shumë të pavërtetë, saqë “kauza” e tyre nuk është përqafuar as nga kandidatët pasues në listën e partisë, të cilët po zëvendësojnë vendet e lëna bosh në parlament, ndërkohë që drejtuesit e opozitës pretendojnë se kanë mbështetje shumë të gjerë në popull. Aq të gjerë e kanë këtë mbështetje, sa në ditët e tubimeve të thirrura për të sulmuar institucionet e vendit, bashkitë e drejtuara prej opozitës nuk ofrojnë asnjë shërbim për qytetarët, pasi punonjësit lënë detyrën e shtetit për kryer një detyrë tjetër, siç është ajo e mbajtjes së maskës së oksigjenit politik liderëve të tyre.

Gjithçka shohim e konstatojmë nga qëndrimet e të vetëpërjashtuarëve nga parlamenti, vë në dukje kontrastin e madh që ekziston mes synimeve të vërteta të drejtuesve të opozitës dhe nevojave të qytetarëve për t’u përfaqësuar denjësisht në institucionin më të rëndësishëm kushtetues të vendit.

Kjo shfaqje e turpshme që synon të cënojë stabilitetin e qeverisjes, thjesht e vetëm për të bërë rokadë pushteti në tavolinë, është dëmi më i madh që po i bëhet jo vetëm imazhit të vendit, por edhe vetë institucionit të opozitës e cila po vetëshkatërrohet duke e çuar veten në një pikë kritike. I perseritur dhe me tone te turpeshme është dhe reagimi refraktar ndaj qëndrimeve parimore e dashamirëse të faktorit ndërkombëtar.

Për mazhorancën ky padyshim është një avantazh politik, por nuk mund të jetë aspak një avantazh për Shqipërinë, që në të gjitha rastet duhet të ketë një alternativë shpresëdhënëse e konstruktive që nuk e tradhton besimin e qytetarëve, por e sfidon qeverinë në parlament me ide e programe, duke ushtruar rolin e saj institucional në respekt të betimit mbi kushtetutë. Ata që fillimisht i njohën zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 e që sot kanë humbur akoma më shumë besimin e qytetarëve, yshten të krijojnë kaos në cënim të plotë të aspiratave europiane të vendit, thjesht e vetëm për të ardhmen e një grushti politikanësh, që janë më pak se gishtat e njërës dorë.

Ndaj kjo mungesë e përgjegjësisë kushtetuese dhe morale që opozita ka krijuar me këtë situatë absurde e të paprecedentë, nuk është gjë tjetër veçse një vetëvrasje politike e shtyrë prej paranojave legjitime që kjo “elitë politike” parasheh për kohën kur drejtësia e re të funksionojë dhe pak nga pak të shembë murin e pandëshkueshmërisë, të ndërtuar në tre dekadat e fundit nga ata që sot edhe kur këndojnë himnin, çirren në stonaturë të plotë./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.