Kapet në inboxin e Berishës mesazhi i Ramës.

I dashur doktor Berisha,
E di që pas kaq kohësh, komunikimi mes nesh është i vështirë, por unë kam vendosur të bëj hapin e parë. Besoj në zemërmadhësinë Tuaj.
Që nga hera e fundit kur më zbuat nga PD-ja, kanë kaluar shumë kohë. Por unë nuk ju kam marrë inat dhe jam përpjekur të mësoj nga ju, dhe vazhdoj të mësoj. Edhe rasti i fundit i rektorit Koni, ishte një shembull sesi ia u ngec kundërshtarëve, megjithëse me thënë të drejtën ky Koni pavarësisht se dukej si petull, na e futi të dyja palëve. Por besoj se në këtë pikë ka faj edhe Erioni im i cili nuk është si Luli jot, dhe bën nganjëherë veprime pa më pyetur mua. Do ta dënoj për këtë duke e lënë të rrijë me një këmbë për dy orë tek cepi i zyrës time.
Detyrohem, i çmuar mësues të nis këtë letër, për të mos krijuar keqkuptime lidhur me padinë e fundit që ju bëra në prokurori. Besoj e keni kuptuar edhe nga fakti që ishte firmosur nga Taulant Balla, se nuk e kemi seriozisht. Si përdorues i vjetër dhe i regjur i zarave ti e di funksionin e tyre.
I shtrenjti doktor.
Ju betohem në nderin tim se ky veprim nuk ka aspak synim ndaj jush. Besoj e keni kuptuar dashamirësinë time. Koncesionet që ju dhatë, jo vetëm nuk i kam anulluar, por përkundrazi ashtu si drejtimi i partisë, shërbyen për mua ti zhvilloj edhe më tej. Nisur nga ato mësime, sot po ju ngul shqiptarëve një kullë 19 katëshe mu në mes të Tiranës, dhe ata nuk e hapin gojën. Po ashtu, biznesmenët që ishin në oborrin e kryeministrisë, akoma aty janë. Besoj ta bien pjesën, se i kam porositur.
Në këtë kuadër, nuk mund të rri pa të falenderuar që në tetë vjet, i lodhe kaq shumë shqiptarët, sa tani mezi hedhin ndonjë vickël. Ti bëje ti në 2005-ën këto që kam bërë unë nga 2013-ta e tëhu, do të kishin djegur të gjallë. Sot që janë kaq të urtë, nuk mund të hedh poshtë se janë për shkak të punës tënde si zbutës i sporvuar. Imagjino, edhe Fatos Nanoja, megjithëse e kam telendisur, prap më nis mesazhe dashurie. Më ngjan shpesh me Aben Imamin tënd që nuk i le dhemb pa thyer, e prap në 2005-ën erdhi e të fërkohej tek këmbët.
Në fund dua të bëj një lutje. Ka lidhje me paralajmërimin që bëre kur the se do të më dukej 1998-ta, lule.
Doktor i dashur, kam qenë ministër ato kohë dhe e mbaj mend. Do të lutesha ta linim me kaq, se edhe të dua unë, nuk ja mban Llallës të marrë ndonjë veprim. Kujtimi sesi e hoqën Bert Rakipin që e mori seriozisht detyrën e tij, është i gjallë ende në kujtesën e çdo prokurori të përgjithshëm.
Edhe Sajmir Tahiri nuk duket se e ka me qejf arrestimin tënd. Kishte parë njëherë në ëndër sikur të kishte arrestuar. Nga ajo ditë, nuk e ka marrë veten. Imagjino sikur t’ia kërkoja vërtet. Nuk do ta përballonte dot.
Tani i nderuar, po e mbyll këtu letrën time, duke besuar që kam sqaruar çdo keqkuptim. Për çdo pakënaqësi që mund të kesh, të cilat kanë si shkaktar personin tim, duhet të jeni i bindur që nuk janë me qëllim. Mjafton të më çoni fjalë, dhe unë do të marr çdo masë që mosmarrëveshjet të sqarohen ashtu siç do të dëshironit ju.
Me konsideratë të lartë dhe të pandryshuar,
Juaji
Edi Rama/dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.