Kapet e-mail i Ramës për Kumbaron. Ja si e udhëzon të sillet me artistët
Dritare.net
Cc: Tao
Subject: Lidhur me zgjidhjen e nyjes së koklavitur të teatrit
Mirela, ka mundësi që aktorët të përshkallëzojnë qëndresën e tyre për të kundërshtuar daljen nga teatri dhe vajtur tek stalla që ju kemi përgatitur.
Përpiqu të marrësh një takim me ata. Kërko që përfaqësuesi të jetë ndonjëri që ka gruan në punë shteti ose fëmijët në shkollë. Në këtë mënyrë do kemi mundësi ta bëjmë më të mirëkuptueshëm.
Në takim t'u shpjegosh që kapanoni ku do shkojnë është shumë i përshtatshëm për periudhën e verës, pasi të fryn era nga të katër anët. Ku më mirë se aty mund të vënë në skenë pjesët me partizanë apo Udhën e Shkronjave?!
Siguroi se ngjyrat i kam disenjuar unë, si kujdes të veçantë timin ndaj këtij zhanri të artit.
Me takt, duhet t'i bësh të ditur se jam shumë hatërmbetur që gjatë gjithë këtyre viteve, nuk kanë pasur mundësi të vendosin në skenë një pjesë të teatralizuar të "Kurbanit".
Gjithsesi, nëse nuk hanë pykë, lidhu me Taon dhe udhëzoje që në rrugë partie të organizojë protesta të artistëve në rrethe që revoltohen ndaj kolegëve të Tiranës, për kërkesat e tyre megallomane. Le të ketë disa tubime me parrullat "Qeveria të zbatojë reformën në teatër" ose "Të shembim të vjetrën dhe mbi gërmadhat e saj të ndërtojmë të renë".
Nëse ka vështirësi në gjetjen e artistëve në rrethe, pasi reforma që bëra para 20 vjetësh vështirë të ketë lënë këmbë prej tyre pa ikur në emigracion, thuaj Taos të gjejë nga këto rilindaset e silikonuara dhe ti paraqesë si brezi i ri i aktoreve.
Me Ndrenikën mos debato më se e duan njerëzit. Ky është si ca tipa që unë nuk i kuptoj se nuk e hanë lekun dhe nuk i kuptojnë idetë e mia.
Po tentuan prapë të mbajnë fjalime si ai i Bujar Asqeriut, hap fjalën se kanë pirë raki me qofte.
Mundohu që këto fjalime t'i mbajnë tek Turbina, se kështu avash avash do mësohen.
Në fund, po e pe se e zgjatën shumë, leri fare. Shqiptarët i japin gjithmonë të drejtë qeverisë. Fundja ka kaq kohë që nuk shkojnë në teatër dhe kujtojnë se teatri nuk ekziston më
Për çdo gjë lidhemië./dritare.net