Ju tregoj Pogradecin, që nuk njihni!

Nga Edlira Ruzi

U nisëm drejt Pogradecit para disa ditësh, kur ende në Tiranë i shihje të gjithë me mëngë të shkurtra. Sapo hymë në qytet ndjeva aromën e drurit  që digjet vatrave. Bënte freskët, aq sa për te ndezur oxhakët apo sobat me dru. Kjo aromë e lehtë tymi me kujtoi fëmijërinë, atëherë kur gjyshi, i ardhur prej dhjetëra vjetësh në Tiranë, ende i ankohej dimrit se nuk i shijonte zjarri i fshehur në kutinë e quajtur sobe.

Kishte nostalgji për kohen kur jetonte në Toplec, lagjen historike të Pogradecit.

Kisha qenë dhe më parë në Pogradec. Megjithëse origjina e të parëve, kisha qenë gjithnjë kalimthi, për ndonjë drekë andej nga Tushemishti. Kësaj here vendosëm ta merrnim shtruar, dhe kështu i nisëm shëtitjet tona që në Lin.

Në fakt qëllimi i udhëtimit tim ishte të shihja shtëpinë e stërgjyshërve, por dija vetëm emrin e një lagjeje te Pogradecit.

Pasi lamë Linin, bëmë shëtitje dhe shumë foto nepër rrugica që vjeshta i kishte bërë tejet piktoreske.

Hasëm një zotëri te moshuar. Doli që i njihte kushërinjtë e mi, por për shtëpinë e tim gjyshi s’dinte të na thoshte. Gjithsesi nga këta njerëz të urtë e të ëmbël, nuk del kurrë bosh. Në bisedë e sipër me ketë pogradecar te moçëm, mësuam se mbante çelësat e kishës se Pandelimonit, nëTushemisht.

Ja ku na doli edhe diçka tjetër për t’u parë, përveç se shtatores se zonjës Ollgë, të cilës s’ka mbetur njeri pa i dhënë dorën.

Në vend që të shkonim në Toplec, morëm përpjetë Tushemishtit. Ishte një kishe e vogël, maje një kodre, prej nga mund të shihje shumë larg, përtej Poradecit.

Zotëria na tha se edhe kjo kishe, kishte lidhje me “Zonjën nga qyteti”. U habita se s’mbaja mend të ishte përfshirë ndenjë kishe në atë film. Por Kisha e Pandelimonit që tashmë e shihnim me plot imazhe shenjtoresh, në kohën e diktaturës ishte transformuar ne vatrën kulturore të fshatit.

Pikërisht aty ishin xhiruar skenat, ku Meli (çupa e Oollgës) këndonte me të rinjtë e fshatit. Aty ku tani gjendet altari.

Xhaxhai-rojtar, me mbushi duart me starkinka (mollët karakteristike të zonës) dhe në fund, te porta u kujtua të me jepte edhe ca thërrmija guri, mbështjelle në një letër, për të cilat tha se ishin nga shpella e Shën Marenës, vend pelegrinazhi, shumë i famshëm, sidomos për pogradecarët e korçaret.”Ja dhe një vend tjetër që mund të vizitojmë”, menduam duke ikur të kënaqur nga biseda aq e përzemërt me një njeri që takonim për herë të parë.

Duke qenë se me afër lagjes karakteristike të Toplecit, kishim Volorekun apo Drilonin, bëmë një ndalesë edhe aty. Është aq bukur sa, megjithëse kishim qenë dhe me parë, nuk na ikej pa e bërë një xhiro me varkë nëpër Drilon, mes aromës së bimësisë, myshqeve, freskisë e cicërimave.

Nga një shëtitje në tjetrën, shoqëruar me plot foto si dhe ndalesa për të ngrënë pjatat tipike të zonës, po na zinte nata. Kishte kaq gjëra për bërë në Pogradec, por unë kisha misionin e vajtjes në Toplecin e famshëm të paraardhësve të mi. Lamë makinën pranë hotelit, ku do flinim dhe u nisëm në këmbë buze gjolit.

LEXO DHE :  Shoraj në burg/ Balla-Bashës: Krahu yt i djathtë

Pame një grumbull njerëzish rreth një zonjë që shiste misra të zier. Në fakt ajo po i ziente pikërisht aty, në shëtitoren buzë liqenit.

Ndaluam fillimisht për të pyetur për adresën e shtëpisë, por përfunduam me nga një misër në dorë. M’u duk shumë interesant ky ndryshim në “street food”-  Tirana i do të pjekur, pogradecaret i preferonin të zier.

Duke shkuar drejt qendrës së qytetit,  nisëm një bisedë me bashkudhëtarë të rastit, të nxitur nga zonja e “vetëpunësuar me misrat”. –“Ka varfëri.”, -më thanë.

Dhe në fakt qendra e qytetit, ende nuk kishte “rilindur” si shumë qytete të tjera. Po pse?! A nuk e meriton edhe Pogradeci një restaurim apo rikonstruksion si ai i Korçës? Një promovim të denjë, siç i bën lali Eri, Tiranës. Mbase kjo është arsyeja pse është e “modës”  që tiranasit, fundjavave të mësyjnë drejt Korçës, ndërkohë që para ca vitesh, ishte e modës të  blije një shtëpi në Pogradec.

Ndërkohë që bashkëbiseduesi ankohej se s’kishte fonde për pogradecarët, mua m’u kujtua një djalë, jo më shumë se 20 vjeç, që kishte lënë Pogradecin për të punuar verës në Livadh të Himarës. E njohëm këtë verë, ndërsa ankohej se punonte më shumë se 16 orë e ndihej i pavlerësuar. Më erdhi keq për të.

Do e kuptoja po të ishte nga një qytet,  të cilin s’ta zë këmba kurrë e ku s’ka asnjë atraksion turistik, por të lësh Pogradecin sepse s’ka punë dhe të shkosh në Himarë…

“Diçka duhet bërë për pogradecarët.”,- mendova ndërsa këmbët na kishin sjelle në  një rrugicë me kalldrëm të bardhë e shtëpi të ulëta karakteristike. Ishim në Toplec. Lagje historike, e mbetur si dikur, ku fare mirë mund të xhiroje një film dhe sidomos të investohej për ta kthyer në epiqendrën e kësaj zone.

Pa ndërtesa të larta, pa zhurmë e rrëmujë, por kaq e gjallë. Jeta dhe ngrohtësia e vatrave ndihej nga përtej kortinave me grep të dritareve. E duke qenë se “me të pyetur gjen edhe Stambollin”, edhe unë e gjeta shtëpinë e stërgjyshërve te mi.

E vockël, e bardhë, ashtu si zemra e atyre që kishin banuar që para 100 vjetësh, por edhe si ata që banonin aktualisht.

E zonja aktuale e shtëpisë, e ardhur nga fshatrat e Korçës, na ftoi të hynim brenda, me një dashamirësi që e kam hasur rrallë. Shiheshim për herë të parë. Por jam shpresëplote se s’do jetë e fundit. Dua që të kthehem edhe me djalin tim. Që edhe ai të ndiejë se ka pak gjak pogradecari, si sinonim i mirësisë, butësisë e mikpritjes të çiltër./dritare.net



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.