Ju tregoj një sekret publik: Urat tona janë në dorë të Zotit
Dritare.net
“Pas asaj që ndodhi me një urë në Itali … “ shoh të nisin disa statuse në rrjetet sociale ditët e fundit. Me të drejtë individë e shoqata bëjnë përpjekje për të marrë vesh si është gjendja këtu tek ne, sa është rreziku e sa janë gjasat t’i shpëtojmë.
E gjitha kjo më solli ndër mend një sërë takimesh të disa ekspertëve ndërkombëtarë që vinin e vijnë sistematikisht në vendin tonë për të parë si shkojnë gjërat e për të dhënë edhe mend se si mund të shkojnë më mirë. Pas njërit prej këtyre takimeve u ndjeva shumë keq. Ishte një nga ditët kur do isha shumë më e lumtur me shumë më pak lekë sesa marr kur asistoj këta ndërkombëtarët, një nga ditët e shumta kur do doja të kisha ditur shumë më pak. Dhe nuk është se bëhet fjalë për ndonjë sekret të madh, s’para ka shumë sekrete këtu, por kur i dëgjon këto thashethemet e kafeneve në nivelin e autorëve të tyre, të vjen të ulërish, të çohesh aty ku je, në takim, e t’ia fusësh me sa fuqi ke turinjve atyre spurdhjakëve të kostumosur e arrogantë...
Misioni kësaj radhe ishte të shihej se si një drejtori e njërës prej ministrive tona kishte reflektuar mbi gjetjet e një auditimi të bërë nga një nga kompanitë më me emër në botë të auditimit. Fusha ishte pikërisht tema e ditës sot, ndërtimet e veprave publike. Shihej mënyra si përzgjidhen firmat që kontraktohen për punimet, si përcaktohen kushtet e kontratës, kush i ndjek punimet, kush dhe si kontrollohet cilësia, e të tjera si këto. Një nga konstatimet më ulëritëse ishte se nuk rezulton të ketë asnjë lloj dokumentacioni që të tregojë në mënyrë të vërtetuar se si janë punimet nëntokësore, d.m.th. sa metra të thella janë ato, me çfarë materiali është punuar, çfarë metodologjie është përdorur, etj. Të huajt - të përballur me një nga ato qëndrimet tipike të punonjësve të administratës sonë, të cilët nuk të shohin në sy, pothuajse nuk flasin fare, se kanë frikë nga njëri-tjetri (ku ta di unë me kë e ka mirë filani/filania?), kanë frikë nga shefi, kanë frikë nga vetja, nga zullumet që mund të kenë bërë e që mund t’ua varin mbi kokë si alarm kujtese në heshtje, duke bërë rolin e budallait – patën gjithashtu një reagim tipik. Kanë rreshtur edhe të huajt së habituri me ne. Vazhduan pyetjet e tyre me qetësi e dolëm. Unë turfulloja nga inati “Po si ka mundësi që të mos dokumentohen punimet e nëndheshme?!. Po si të sigurohem unë se rruga ku unë eci në këmbë apo me makinë nuk fundoset, apo ura nuk shembet?” Ata, me ‘gjuhën e tyre prek eksperti’ më lanë të kuptoja se në njëfarë mënyre kjo ishte e pritshme. Kuptova se ishim edhe më ekspertë sesa m’u dukën gjatë takimeve. I dinin mirë të gjitha fijet, fijet mes njerëzve, të vegjël e të mëdhenj, e fijet e ngjarjeve legjislative e institucionale që kishin çuar deri aty. Për të më ngushëlluar, në çajin që pimë si për post-takim, më treguan se tendenca të ngjashme shihnin edhe në vende të tjera të Evropës Lindore, ku shkonin shpesh për takime të ngjashme. Ata të nesërmen morën avionët e mesa di, janë për bukuri andej nga jetojnë. Por mua që prej asaj dite, vendin e dyshimeve se rrugët e urat mund edhe të mos jenë kushedi çfarë sa i përket sigurisë, ma ka zënë bindja e konfirmuar zyrtarisht se tragjedi si ajo e Italisë janë thjesht çështje kohe. Dhe asnjë nga ne s’mund të bëjë asgjë, as ata me kostume që firmosin kontrata e çeqe, asnjë!/Dritare.net/