Nga Fjorda Llukmani Këto ditë vizitova ekspozitën më të veçantë që kisha parë ndonjëherë në Shqipëri. Paskemi pasur 14 shekuj të ruajtur mirë ekzemplarë origjinalë të Kuranit dhe Ungjillit, të gjendura në Gjirokastër, Berat, Shkodër etj. Lajmin e mora vesh në Facebook nga profesori im Ardit Bido, i cili është drejtor i Arkivave dhe është bërë sebep, për të na mësuar historinë që se dinim. Sapo pashë që zhvillohej në ambientet e hollit të shtëpisë së Enver Hoxhës, kureshtja m’u shtua dyfish. “Vendndodhja qenka perfekte! Nëse shqiptarët nuk vizitojnë as këtë ekspozitë në zemër të Tiranës, me kaq shumë informacione dhe gjëra interesante, atëherë kurrë mos u bofshim si popull.”-i them mikut tim gjatë rrugës për atje. Fus këmbën te hyrja kryesore e vilës, vetëm kur shfaqet një park i madh me gjelbërim dhe shatërvani në cep. Jam munduar shpesh, të fus kokën midis kangjellave për të parë diçka nga shtëpia, por prej gjetheve e frikës se mos më thonë diçka, kam parë vetëm lulet. Mami më thotë që ka hyrë për herë të parë te shtëpia e Enverit në vitin 1985, si pioniere e dalluar për ngushëllim, kur vdiq diktatori. “Blloku diçka madhështore për kohën tonë.”-më tregon ajo në muhabet e sipër. Edhe ditët e sotme është madhështor, jo më atëherë që s’kishte parë njeri botë me sy. Në hyrje kishte kontroll për sendet metalike. Gjithë mirësjellje pyes një zonjë që punonte aty: “Më fal që të pyes, a ka tualet këtu?” “Goce këtu s’ka banjo veç ekspozitë, pse për të shku n’banjo ka ardh ti këtu eee?”-më kthehet kjo seriozja në kulm. Dal jashtë, shkoj në tualet te lokalet aty afër e kur kthehem i them: “Teta unë jam qytetare e Evropës, nuk vi deri këtu vetëm për të përdorur banjën. Por njerëz jemi nevoja kemi. Dhe tregohu pak e sjellshme, futi një të qeshur njerëzve që vijnë se s’të gjen gjë nga pozitiviteti.”-ja kthej unë duke plas nga nervat, por duke u përpjekur të shfaq qytetari. Ekspozita më shijoi në çdo moment. Librat i përkasin periudhës nga shekulli 6-19. Më i rralli që zotëron Shqipëria është Kodiku i Beratit. Fletët janë të restauruara dhe është e futur në plastikë, pa oksigjen që mos të dëmtohet. Ky dokument është prodhuar në vitin 550 nga një ilir, në pergamena dhe e shkruar me ar. Mbeta pa fjalë kur e pashë! Ky libër është ndër të rrallët në botë! Nga 5 kopje që ekzistojnë, njëra është në Shqipëri. Të gjitha librat i pashë një nga një, madje dhe duke i skanuar me aplikacionin që lexon barkodet. “Si i bëhet ta shoh librin nga brenda?”-më thotë një burrë, mosha e gjyshit tim, që me syze po deshifronte shkronjat. "Librin se hapim dot o xhaxh, por te ky aplikacioni mund të shikosh si është libri brenda. Meqë nuk ke smartphone, ja po ta tregoj unë!” U bëmë një grup njerëzish të panjohur me njëri-tjetrin, duke diskutuar mbi Kodikët e Beratit. Imagjino shkrime të shekullit të 6-të! Po kur kishte dhe vizatime me ngjyra në disa prej faqeve. Nuk më mbaronin pyetjet. Skanova çdo libër, pasi Drejtoria e Arkivave i paska hapur për publikun online dhe është gjynah mos ta dimë që kemi një pasuri të tillë. Le të ndalem pak fare te shtëpia e Enverit, me ato pak qoshe që pashë. Si fillim nuk e dija që kishte ashensor, megjithëse vila është 3 katërshe. Ngjitur ndodhej një piano me stol për t’u ulur. A thua e ka përdorur ndokush pianon? Në bufe ndodheshin disa gota vere. Më ngjau tamam si bufeja që kemi pas tek shtëpia e nonës. Pllakat mu dukën të përafërta me mermerin e sheshit “Skënderbej”. Nëse lagen besoj ndërrojnë ngjyrë ose bëhen më të forta. Qoshja ime e preferuar ishte pranë radios. “Ja m’u këtu i thurte Nexhmia intrigat,”,-i them shokut tim me shaka. Ndërkohë mbaja një iPhone në dorë dhe ndodhesha përballë një radioje të kohës së atëhershme. Hajde-hajdeee sa ka ndryshuar teknologjia! Te holli kryesor pashë një pikturë të madhe me 3 burra të veshur me kostume popullore. Pastaj tipike janë sëndukët, portmontotë edhe prifti që i themi ne asaj gjësë për të varur rrobat. Kalova pasditen më të këndshme në qytetin tim. Sa lezet kur ka aktivitete të tilla, që të mbushet dita me diçka të vlefshme të paktën, se boll budallallëqe dëgjojmë kafeneve. Ekspozita “Urtësi e Pashuar” do vazhdojë të jetë e hapur çdo ditë deri më datë 20 maj. Hyrja është pa para nga ora 10:00-22:00. Ju ftoj që 30 min nga jeta tuaj e mërzitshme, t’i kaloni në ballafaqim me historinë./Dritare.net