Je prind kujdestar? Ja çfarë duhet te dish per lotarinë amerikane!
Dritare.net
Shumëkush prej shqiptarëve ka ëndërruar të jetojë në një vend të begatë e shpresëplotë si Amerika; të tjerë kanë jetuar prej vitesh ëndrrën amerikane, ndërsa shumë syresh tentojnë të shkojnë me çdo kusht duke aplikuar vit pas viti për të mbërritur aty.
Mundësi e mirë për të gjithë, për fëmijët posaçërisht.
Përgjatë këtij muaji, të gjithë aplikuesit rendin të plotësojnë formularët e dokumentet për këtë qëllim, duke i uruar njëri-tjetrit e vetes njëkohësisht, fat të mbarë.
Për këtë shkak e në këtë konteks, kërkoj të jap ndihmesën time me një sqarim të posaçëm, i cili ka lidhje e përkon drejtpërsëdrejti me procedurat dhe dokumentet që duhet të sigurojnë me çdo kusht një kategori aplikuesish e konkretisht ata shtetas që kanë zgjidhur martesën mes tyre dhe u duhet të udhëtojnë e të jetojnë sëbashku me fëmijët e tyre në Amerikë.
Të gjithë atyre që do të konsiderohen fitues pas kësaj, do t'u kërkohet nga zyra konsullore në Ambasadën Amerikane, dakortësia e prindit që nuk ushtron të drejtën e kujdestarisë, (përmes një deklarate të posaçme noteriale), përmes së cilën ky i fundit të ketë shprehur vullnetin e tij, duke i dhënë të drejtën prindit tjetër, (fitues i lotarisë amerikane) të udhëtojë e jetojë jashtë shtetit me fëmijën.
Por duke pasur parasysh që shumë syresh nuk arrijnë të sigurojnë këtë deklarim apo vullnetin e shprehur në këtë formë nga prindi që nuk e ka kujdestarinë, (për dhjetëra arsye në radhë), sqaroj për secilin ndodhur në këto kushte se mungesa e këtij akti do t'u penalizonte e nuk do t'u lejonte të lëviznit jashtë shtetit me fëmijën tuaj.
Por ky ngërç mund të zgjidhet tashmë, pasi në Kodin e Ri të Familjes, një dispozitë e posaçme i jep mundësinë secilit prej aplikuesve ndodhur në kushtet e pamundësisë për të siguruar një deklarim të tillë, t'i drejtohet gjykatës me një padi të posaçme duke kërkuar në këtë rast lëshimin e një autorizimi për të mund të lëvizur jashtë shtetit sëbashku me fëmijët me një afat të pacaktuar.
Në procesin gjyqësor në Gjykatë ju duhet të depozitoni doemos aktin i cili ju ka shpallur fitues të lotarisë amerikane, vendimin e zgjidhjes së martesës dhe një certifikatë familjare në të cilën në rubrikën e posaçme të jetë specifikuar përbërja juaj familjare sëbashku me fëmijët, pas zgjidhjes se martesës.
Pas kësaj gjykata do të lëshojë në favorin tuaj autorizimin (vendimin) përkatës, duke specifikuar në të, të drejtën tuaj për të udhëtuar e jetuar sëbashku me fëmijët jashtë Shqipërisë, akt i cili konsiderohet bazë për të gjithë shtetasit ndodhur në këto kushte, në mënyrë që Ambasada t'u pajisë me vizë udhëtimi në SHBA.
Gjithkush e meriton një mundësi më shumë, fëmijët tuaj posaçërisht./dritare.net