Ja që dhe mund të mos vrasësh protestues!

Nga Mero Baze

Nuk kam ndonjë emocion nga dhuna e protestuesve. Në demonstrata politike të vërteta, ajo është e pashmangshme dhe në protesta të sajuara, si kjo e sotme, ajo është e vetmja fuqi që mund të demonstrojnë inskenuesit. Ndaj nuk ja vlen të diskutojmë për dhunën e protestuesve, qofshin këta dhe të stisur.

Shqipëria europiane nuk turpërohet nga dhuna e protestuesve, por nga dhuna e shtetit.

Ajo që ka qenë problem në Shqipëri, nuk është kur e tepëron populli, qoftë dhe popull me pagesë, por kur qeveria nuk di të bëjë detyrën e saj.

Ylli i 16 shkurtit për fatin tonë nuk është dhuna, por policia dhe mënyra si ajo e vuri nën kontroll pa asnjë dëm. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit, kanë dhënë sot një leksion demokracie, se si një dhunë e papërmbajtshme, e stimuluar dhe e parapërgatitur, u shfry si një flluskë sapuni, pa dëmtuar asnjë qytetar.

Shqipëria ka parë boll protesta të dhunshme dhe do të shikojë dhe në të ardhmen. Nuk ka recetë që i ndal ato, përveç një shoqërie të stabilizuar dhe me standarte të larta urbane.

Shqipëria jonë është larg me vite dritë nga ajo kohë.

Ajo që mund të bëjmë më shpejt dhe më mirë, është të kemi një shtet demokratik, një polici të aftë, dhe një përgjigje njerëzore dhe propocionale ndaj dhunës, në atë masë që të mos rrezikojmë jetën e askujt.

Sjellja e sotme e Policisë së Shtetit, nuk është vetëm një standard që vlen për të ardhmen, por edhe një standart për të kthyer kokën pas dhe për ta ballafaquar me krimin shtetëror të 21 janarit, dhe për të rihapur atë çështje, si pushkatim i qëllimshëm i protestuesve.

Më 21 janar nuk u prek dera e brendshme e Kryeministrisë. Maksimumi i dhunës, ishte një pijanec i papërgjegjshëm që goditi derën e jashtme të hekurit, dhe protestuesit u pushkatuan me duar në xhepa, ndërkohë që protesta kishte mbaruar.

Protesta zgjati po kaq sa kjo e sotmja, ndërsa dhuna e sotme, ishte ku e ku më e fortë dhe më e papërgjegjshme, se ajo e 21 janarit.

Mënyra se si Sali Berisha urdhëroi pushkatimin e qytetarëve, ku 36 prej tyre u prekën nga plumbat e gardistëve dhe katër vetë humbën jetën, ka sot një pasqyrë që dëshmon thellë se ai ishte një krim gjakftohtë, i llogaritur për arsye politike, dhe një instikt kafshëror ndaj kundërshtarit.

Mënyra se si sot u përballua protesta e dhunshme, është një akuzë e gatshme për 21 janarin dhe një rast për ta ballafaquar në gjykatë, një vrasës që sot tentoi katër herë rresht të hynte brenda dyerve të Kryeministrisë, duke lënë në hije dhe liderin formal të opozitës.

LEXO DHE :  Foto/ Shtëpitë e pazakonta ku njerëzit jetojnë rehat!

Nga ana tjetër, ky rast tregon se çfarë do të thotë të kesh një ministër të Brendshëm të aftë dhe me integritet, dhe një ministër të Brendshëm kukull si Lulzim Basha.

Unë nuk e di nëse Edi Rama ka komunikuar sot me Sandër Lleshajn, por e supozoj se si njeri i fiksuar për të drejtuar çdo gjë, mund ta ketë telefonuar.

Por ajo që ne pamë nga mënyra se si u soll policia, është një dëshmi se ministri i Brendshëm është sjell si general, dhe jo si kapter nën urdhëra politike, siç u soll Basha më 21 janar.

Unë besoj se Lulzim Basha nuk ka dashur të vrasë qytetarë më 21 janar, por duke qenë i pazoti të ishte ministër i Brendshëm, siç është i pazoti për çdo gjë, duke ja lëshuar çdo pushtet Sali Berishës, duke ndryshuar 5 herë qëndrimet brenda ditës, duke u ankuar tek shokët e vet se nuk e pyet njeri, e la protestën në mëshirë të një krimineli, dhe vrau qytetarët.

Njësoj e la dhe sot në dorë të tij, por këtë radhë Sali Berisha pati përballë një ministër që mori përgjegjësinë vetë, dhe ja doli.

Ndaj dita e sotme, nuk është vetëm një pasqyrë ku bëhet diferenca mes Edi Ramës dhe Sali Berishës, por dhe diferenca mes ministrit të Edi Ramës dhe ministrit të Sali Berishës.

Pasi shteti modern është ai që bën diferencën me shtetin klanor dhe fisnor, me pushtetin e vetëm të një njeriu, që dhe armët i përdor për karrigen e vet.

Ja që mund të bëhet protestë e dhunshme dhe mund të mos vritet asnjë njeri, dhe këtu bie çdo ailibi e Sali Berishës për 21 janarin.

I vetmi dëm është një vepër arti e një artisti të njohur ndërkombëtar, vendosur në oborrin e Kryeministrisë. Edi Rama e vajtoi atë si artist, dhe jo si kryeministër.

Si kryeministër është mirë të rivendosë copat e saj aty ku ishin, pasi janë pjesë e historisë së shtetit shqipar. Nga kërpudhat, shkencëtarët vlerësojnë gjithmonë fuqinë e një pylli dhe vitalitetin e tij. Dhe copat e thyera të asaj kërpudhe, do na tregojnë për shumë vite se me çfarë derrash kemi pasur punë në pyllin tonë./TemA

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.