Ja pse shqiptarët kanë nevojë për psikologun!
Dritare.net
Nga Dritare.net
Në 28 janar do të mblidhet Asambleja e Parë e psikologëve. Të gjithë psikologët e regjistruar në 28 janar, nëpërmjet votimit të fshehtë do të mund të zgjedhin organet drejtuese të Urdhërit të Psikologut. Jo vetëm Presidentin e Urdhërit por edhe bordin drejtues, i cili do të përbëhet nga 17 anëtarw.
Dr.Valbona Treska, kandidate për Presidente e Urdhërit të Psikologut, njëkohësisht psikologe pranë gjykatës prej 12 vjetësh, në një intervistë për dritare.net tregon rëndësinë e krijimit të Urdhërit dhe ndikimi i tij në shoqëri.
Dritare.net- Cili është qëllimi i Urdhërit të Psikologut dhe sa i nevojshëm është krijimi i tij?
Dr.Valbona Treska- Qëllimi kryesore i krijimit është krijimi i hapësirave psikologëve profesionistë të japin më të mirën e tyre. Të ofrojmë një profesion me cilësi të lartë dhe me etikë profesionale. Pasi në shumë zona ka psikologë të cilët nuk kanë mbaruar studimet për psikologji, por punojnë në këtë pozicion në institucione shtetërore.
Mungesa e legjislacionit ka sjellë shumë problematika në ushtrimin e profesionit. Duke nisur që nga mënyra sesi licencohet psikologu, pasi një psikolog nuk mund të punojë në të gjitha fushat. Deri tani një psikolog punon në shumë fusha, në shëndetësi, në gjykatë, me fëmijët, me autikët, në një klinikë private. Kjo sepse nuk ka pasur një rregull, por me ngritjen e Urdhërit të Psikologut, do të bëhet ndarja, pasi në këtë mënyrë do të kemi specialistë profesionist në fushat e caktuara.
Gjithashtu nëpërmjet Urdhërit të Psikologut ne do mund të bëjmë grupimin në një institucion të gjithë psikologët që punojnë në Republikën e Shqipërisë.
Dritare.net-Sa është numri i psikologëve të regjistruar në Urdhërin e Psikologut?
Dr.Valbona Treska- Për shkak të kushteve të këqija atmosferikë, regjistrimi i psikologëve nuk u mbyll në dhjetor por në 13 janar. Ka psikologë të regjistruar nga të gjitha rrethet dhe për informimin e tyre mbi ngritjen e Urdhërit, ne kemi shkuar në çdo qytet, ku kemi bërë takime. Qëllimi i këtyre takimeve ishte të mblidhnim sa më shumë psikologë, për tu regjistruar, me qëllim përmirësimin e shërbimeve.
Janë rreth 890 psikologë të regjistruar, por Urdhëri i Psikologut është i hapur për të gjithë dhe mund të regjistrohen përsëri.
Dritare.net-Cilat janë kriteret që duhet të plotësojë një individ për të qenë pjesë e Urdhërit të Psikologut?
Dr.Valbona Treska- Duhet të kenë mbaruar dy cikle studimi për psikologji, ose ata që kanë një diplome ekuivalente me Bachelor-in dhe Master-in, që është diploma e 4-vjeçarit. Gjithashtu edhe ata persona të cilët nuk kanë mbaruar Bachelor për psikolgji, por kanë mbaruar Masterin dhe Doktoraturën, në psikologji. Ata duhet të kenë edhe një përvojë pune 5 vjeçare, si psikologë.
Dritare.net-Përse vendosët të kandidoni për postin e presidentes së Urdhrit të Psikologut?
Dr.Valbona Treska- Unë kam vendosur që të kandidoj në këtë pozicion, jo vetëm në bazë të përvojës time të gjatë profesionale. Por ky është një profesion që unë e dashuroj dhe nuk do hiqja kurrë dorë nga psikologjia. Kam besimin dhe bindjen se do të bëj më të mirën dhe që të gjithë psikologët profesionist në Shqipëri të punojnë në kushtet që meritojnë. Dhe psikologjia të mos jetë një profesion i dorës së dytë, por një profesion me baza të forta.
Dritare.net-Cila do të ishte gjëja e parë që do të bënit nëse do të zgjidheni ju presidente?
Dr.Valbona Treska- Gjëja e parë që do të bëja, të mblidhja bordin drejtues edhe të vendosnim pikat se çfarë kemi emergjente dhe ku na pikon më shumë çatia. Problematikat janë të mëdha, por fillimisht të kujdesemi për shqetësimet kryesore dhe gradualisht të sheshojmë edhe gjërat e vogla. Do të punoja fort për pozicionin e psikologut në shkollë, në gjykatë. Unë i mëshoj shumë profesionalitetit dhe do të sigurohesha që të gjithë psikologët të jenë të specializuar por jo vetëm ne Tiranë apo qytetet e mëdha, gjithashtu edhe në zona të thella.
Më pas të gjithë psikologët duhet të krijojmë kodin e etikës, të krijojmë strukturat e komisionet e nevojshme.
Dritare.net-Si do të ndikojë Urdhëri i Psikologut te shoqëria shqiptare?
Dr.Valbona Treska- Në momentin që kemi psikologë të specializuar, rritet cilësia e shërbimit, rrjedhimisht rritet edhe kërkesa e individit për të marrë një përkujdesje nga psikologët. Do të kenë me tëpër besim dhe nuk do ngurrojne apo t’i shohin me dyshim psikologët.
Dritare.net-Në cilat institucione janë psikologët dhe sa i kualifikuar është shërbimi që ata ofrojnë?
Dr.Valbona Treska- Për sa i përket strukturave shtetërore, psikologët janë në disa fusha, ku përmenden shkollat, burgjet, pranë komisariateve të policisë, në spitale, gjykatë.
Është një pozicion që po forcohet dita ditës. Në vitin 2004 kanë qenë rreth 14 psikolog të punësuar në shkollat e Tiranës, ndërkohë sot numërohen më shumë se 40 psikologë. Edhe në qytete të tjera kemi psikologë por shërbimi nuk është aq i strukturuar sa në Tiranë. Por në shumë zona kemi problematika, pasi ka mungesë të theksuar profesionistësh.
Duhet ti krijojmë infrastrukturën psikologëve, që të japin më të mirën e tyre e të bëjnë një punë cilësore.
Dritare.net-Ka të dhëna mbi numrin e personave që ushtrojnë profesionin e psikologut në Shqipëri?
Dr.Valbona Treska- Nuk kemi statistika të sakta të numrit të psikologëve në Shqipëri dhe as mbi numrin e personave që vizitojnë psikologun. Duhet një studim i thellë dhe i veçantë. Mendoj se me ngritjen e Urdhërit të Psikologut, do të bëjmë studime të gjera të popullatës, të cilat do të na ndihmojnë të gjithëve. Pasi janë të dhëna shumë të nevojshme për shoqërinë e të kuptojmë se ku jemi realisht.
Dritare.net-Cilat janë shqetësimet më të shpeshta që kanë njerëzit?
Dr.Valbona Treska- Është një tension shumë i shtuar i gjithë individëve dhe këto pakënaqësi përkthehen në agresivitet ndaj vetes, por edhe ndaj njerëzve që e rrethojnë. Nga ky tension njerëzit shfaqin shenjat e depresionit dhe kjo gjë vihet re edhe në bisedat e përditëshme. Një problematikë tjetër e shtuar është autizmi te fëmijët. Në klasat fillore në Tiranë, kemi nga dy ose tre fëmijë autikë. Janë rastë me vlera alarmante.
Dritare.net-Si ta kuptojmë që një person ka nevojë të vizitojë psikologun?
Dr.Valbona Treska- Njerëzit duhet të jenë të vëmendshëm me personat që kanë në krahë. Kjo pasi personi që po kalon një periudhë të vështirë, jep sinjale. Duke nisur nga mënyra si komunikon, mosdëshira për të marrë pjesë në aktivitete sociale, mosdëshira për tu kujdesur për veten. Shenja të tilla tregojnë që individi ka nevojë për ndihmë, pasi po kalon një situatë të ngarkuar emocionalisht.
Ata duhet të kujdesen për veten, pasi ashtu siç shkojnë te mjeku kur kanë një shqetësim fizik, njësoj duhet të vizitojnë edhe psikologun, kur kanë probleme emocionale. Nuk ka asnjë gjë për turp, probleme psikologjike mund të kenë të gjithë, pasi secili prej nesh është i rrezikuar nga probleme të shëndetit mendor dhe emocional.
Dritare.net-Ju personalisht si e përballoni stresin?
Dr.Valbona Treska- Është shumë e vështirë, veçanërisht nëse je pa eksperiencë. Kjo pasi ngarkohesh shumë me problematikat e njerëzve gjatë ditës dhe këto probleme i merr edhe kur mbyll derën e klinikës. Me kalimin e kohës bën ndarjen e jetës profesionale me atë private. Por ne psikologët mundohemi të bëjmë konsulta me njëri-tjetrin, në mënyrë që të bëjmë shkarkimin e gjithë ngarkesave tona emocionale.
Dritare.net-Si mund të bëjmë një jetë të shëndetshme dhe të mbrohemi nga stresi i përditshëm?
Dr.Valbona Treska- Aktivitetet gjatë ditës shpesh i sjellin njerëzve strese, por gjithsecili duhet ta menaxhojë dhe ta ktheje stresin në shtysë për ti bërë gjërat më mirë. Ajo që unë i them edhe studentëve apo pacientëve të mi, është të kënaqen me gjërat që kanë, të shijojnë ditën e tyre dhe aktivitet që bëjnë.
Një kafe me një mik, një shëtitje, puna jote, fakti që kur zgjohesh në mëngjes dhe ke mundësi të zgjedhësh pesë rroba nga dollapi, këto janë gjëra që individin duhet ta gëzojnë, është personi që duhet ta mësojë veten të kënaqet me këto aktivitete.
Media ndikon shumë, pasi rrit nivelin e stresit. Njerëzit kanë nevojë për gjëra të bukura e lajme pozitive. Kur ti sheh që në mëngjes një kronikë të zezë apo lajme negative, e gjitha ditën ty të ikën në efektin e atij lajmi. Tendenca e individit është që pasi e dëgjon një lajm të tillë, ta diskutojë me personin e parë që takon. Dhe kështu njerëzit mbushen me emocione negative. Për këtë arsye duhet që të gjithë ta nisim ditën me gjëra të bukura, në mënyrë që të marrim emocionet pozitive.”/dritare.net