Kodheli, e cila nuk shquhet për ndonjë pasion të veçantë ndaj futbollit (basketbolli është sporti që e tërheq më shumë), ka qenë ulur në rreshtin e parë, mes burrave të njohur të zonës, ku spikatin Safet Gjici, president i klubit të Kukësit dhe kandidat i PS për deputet (në të djathtë të saj) si dhe Abedin Oruçi, (në të majtë, shënuar me rreth të kuq), i cili është kryetar i qarkut të Kukësit.
Oruçi ka qenë i arrestuar në Kosovë për shfrytëzim prostitucioni dhe pas një kohe qëndrimi në burg në Prizren, është liruar. Në atë kohë, në njoftimin zyrtar të policisë së Prizrenit thuhej se “hetuesit e sektorit kundër trafikimit të qenieve njerëzore së bashku me njësinë mbështetëse operative, arrestuan në dy lokacione: në rrugën “Remzi Ademi” dhe në rrugën “Qazim Berisha”, Abedin Oruçin, shtetas i Shqipërisë dhe Ymri Krasniqin, shtetas i Kosovës nën dyshimin e përfshirjes së tyre në trafikim të qenieve njerëzore. Ata po ndiqeshin nga policia që nga data 30 dhjetor 2007".
Në kohën e arrestimit, Oruçi ka qenë kryetar i komunës Kolsh dhe kryeministri i atëhershëm, Sali Berisha, firmosi shkarkimin e tij nga detyra.
Në vitin 2015, Abedin Oruçi u zgjodh kryetar i këshillit të qarkut Kukës dhe PD e pati denoncuar në një deklaratë. “Pikërisht në kulmin e debatit për dekriminalizimin, kur mbarë shoqëria e opinioni ndërkombëtar kërkojnë veprim të shpejtë për të shkëputur krimin nga pushteti, Edi Rama ka dërguar në krye të këshillit të qarkut të Kukësit, një person me të shkuar problematike, si Abedin Oruçi. Personazh i kronikave të zeza, mjafton të fusni në google emrin e tij për të parë sa të pasur e ka CV-në, dhe pikërisht për shkak të aktiviteteve të paaligjshme u shkarkua nga qeveria e mëparshme nga detyra e kryetarit të komunës Kolsh.
Partia Demokratike e dënon këtë inkriminim të zyrës së rëndësishme të kreut të Këshillit të Qarkut të Kukësit dhe e konsideron si sfidë që Edi Rama po i bën procesit të dekriminalizimit. Ne i kërkojmë Prokurorisë të hetojë me shpejtësi aktet e dhunës së djeshme të Oruçit, dhe kërkojmë vendosjen e ligjshmërisë në Këshillin e Qarkut. Çdo vonesë është mbrojtje e krimit, është promovim i krimit. Qytetarët e Kukësit nuk mund ta pranojnë këtë model të Edi Ramës. Dhe Partia Demokratike bashkë me qytetarët e Kukësit, bashkë me qytetarët e vendit do ta çlirojnë një herë e mirë politikën dhe qeverisjen nga krimi i lidhur me pushtetin”, thuhej ateherë në deklaratën e kreut të grupit parlamentar të PD, Edi Paloka.
Dje, Oruçi, Gjici dhe Kodheli kanë festuar fitoren e ekipit të futbollit të Kukësit ndaj Flamurtarit./Lapsi