Unë që po ju shkruaj, jam Emiljano Shullazi, kështu që nuk është nevoja të prezantohem pasi ma ke përmendur emrin qindra herë dhe më njef shumë mirë.
Me fol burrash, më vjen keq, pasi bashkë as jemi takuar e as ia kemi prerë rrugën njeri-tjetrit. Dhe me fol tamam tamam, ata zarat e tu m’i kanë ca borxhe, por unë për respekt për ty, kam bërë sikur i kam harruar. Mos më detyro të shkoj e t’ia u nxjerr nga hundët.
Megjithatë, duhet të sqarojmë disa gjëra bashkë, se ke filluar e m’i hedh mua gjithë pislliqet që ndodhin në Tiranë. Kështu ishte edhe kjo puna e kërcënimit të këtij profesorit që konkuron për rektor. Ti ke thënë se këtë Mynyrin e paskam kërcënuar unë për llogari të Partisë Socialiste. Tani doktor më vjen keq për këtë mungesë respekti që ke për mua. Ta merr mendja ty, se do ul nivelin tim dhe do shkoj të kërcënoj për llogari të ca zarave të Mjaftit që duan me emëru njonën si rektore? Po mos o doktor. Më thuj ç’a të duash, vrasës, kriminel, gjobaxhi, po jo zar. Se meqë po folim për gjoba, ti duhet me rregullu konceptet. Ose me fol tamam, ruaj standartet barabar. Unë qekam gjobaxhi, ndërsa Dhori Kule që merrte rrogë në 11 borde qenka burrë i ndershëm! Unë qenkam gjobaxhi, ndërsa këta legenat që janë ministra dhe ruajnë tenderat, apo ata qurrsat që ke pas ti, qenkan burra të mirë? Unë e kam me djersën e ballit lekun, or mik, nuk jam tu bo as kontrabantë, as fallsifikime.
Tani t’i kthehem atij muhabetit të fillimit. Kur mora vesh që do të shpallej konkursi për rektor, thashë edhe unë me vete “pse nuk po e hudh edhe unë”? Kështu edhe pastroj biografinë, edhe filloj jetën nga e para. Se që ta dish ti doktor edhe unë i kam nja dy vjet inxhinjeri, dhe kanë më shumë vlerë se diplomat e “Kristalit” apo diploma e kësaj që paska mbaru gjuhë të huja. E me i heq kësaj gjuhët e huja, sa klasë shkollë i mbesin? 8 klasë i mbesin doktor. Meqë ra fjala, unë di tre gjuhë të huaja. Ç’a nuk të bo halli.
Kështu pra doktor, meqë kjo gruja konkuronte nga krahu i PS-së se e përkrahte Mjafti dhe ai burri i binte që ishte i PD-së se e përkrahte Kulja, i thashë vetes të konkuroj si i LSI-së. Ia kërkova LSI-se që të konkuroja për llogari të tyre, po ata më kërkuan lek. Ke pa ti kështu? E ndava trurin dhe thashë që po konkuroj si i qendrës. Prandaj thash ta takoj një herë këtë burrin, të diskutonim për platformat dhe të bënim paktin që mos t’i vidhnim votat njeri-tjetrit. Po ke pa ti, që sa iu afrova ai u lag në pantallona. Masandej paska ardhur tek ty dhe qenka ankuar! O doktor, mblidhe mendjen or burrë. Po të doja ti bëja presion, ia kisha marrë fëmijët peng dhe ja mbaja deri sa ai ti fallsifkonte votat me dorën e vet dhe të nxirte humbës veten. Nuk jam diletant unë.
Tashti që ta mbyll letrën, nuk të kam ra ndonjiherë në qafë, kështu që as ti mos më bjer. Unë do të konkuroj për rektor, sapo të dal nga paraburgimi. Me kaq e quaj llogarinë që kemi bashkë të mbyllur. Po pate nevojë, e di ti si të më gjesh.
Emiljano/dritare.net