“Sa i përket shqetësimit të kanabizimit të vendit dhe të luftës për ta parandaluar dhe goditur këtë veprimtari kriminale, qëndrimi i LSI ka qenë institucional, politik, qytetar, inkurajues dhe mbështetës për organet e zbatimit të ligjit. Fakti që Shqipëria u identifikua si vend i kanabizuar, fakti që raporti i DASH e rikonfirmon do të thotë që më e pakta ka munguar eficienca e veprimit të organizuar shtetëror për ta penguar këtë realitet. Reagimi duhet të jetë i menjëhershëm, konkret dhe që tani”, tha Luan Rama.
Menjëherë pas tij, ka reaguar ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili u shkarkua nga detyra në fundjavën që kaloi. Nëpërmjet një reagimi në Facebook, Tahiri përshëndeti reagimin e LSI, shprehu falenderime për kryetarin e Komisionit te Sigurisë Spartak Braho dhe e quajti të pasaktë leximin që i bëri Luan Rama raportit të DASH. Ai shpërndau raportet e DASH për 3 vitet e fundit dhe tha se partitë kundërshtare po e përdorin si mjet propogande, për të marrë sa më shumë vota. Ndërkohë shprehu besimin se LSI do e lexojë me vërtetësi e do të ndjehet krenare që është pjesë e koalicionit me PS.
“Por duke besuar se Levizja Socialiste për Integrim, si partner strategjik në koalicionin qeverisës i detyrohet vërtetësisë së fakteve të qeverisjes, një vemendje të veçante, uroj që leximi krahasues i raporteve të DASH për Shqipërinë, ta bëjë edhe LSI të ndjehet krenare që ka nderin e madh të jetë aleate e PS në këtë faze historike reformash për vendin”.
Tahiri shkruan se nuk pret nga kundërshtarët që ta lexojë qartë raportin e DASH.
“Nuk kam pritur dhe nuk pres ndërkohë që këtë lexim krejt të qartë të këndvështrimit të DASH mbi tre vite betejë kundër kultivimit të kanabisit, ta bëjnë kundërshtarët e betuar të Policisë së rilindur të shtetit. Qofshin këta të fundit në çadrën e pashpresë të bulevardit, qofshin në çadrat e turpshme të emisioneve të porositura dhe komentatorëve të paguar apo qofshin në rolin e hienave të dala nga oborri i PS, që ëndërrojnë dështimin e Partisë Socialiste, pqrgjigjen e merituar e kanë marrë tre vjet e gjysëm nga puna jonë e perbashket dhe do ta marrin nga populli i Tiranes dhe gjithe Shqiperise ne 18 qershor”, shkruan Tahiri në Facebook.
Saimir Tahiri është sulmuar shpesh gjatë drejtimit të Policisë nga opozita, e cila ka kërkuar shkarkimin e tij dhe e ka akuzuar se po kanabizon vendin. Ishte ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili pas shkarkimit nga detyra, tha se Ramës i kërkuan edhe ndërkombëtarët që të hiqte ministrin Tahiri. Por Rama nuk e pranoi që kishte marrë kërkesa të tilla. Pasi e shkarkoi, Rama tha se arsyeja e largimit ishte fokusimi në fushatën elektorale.
Por nga reagimet e ashpra të Tahirit kundër LSI dhe nga raporti i DASH, po kuptohet se kush e shkarkoi ministrin Tahiri./dritare.net