Ismail Kadare shpjegon pse nuk i kërkon falje Voltana Ademit
Dritare.net
Zonja Endira Bushati,
Sapo mora vesh që më kishit shkruar në fejsbuk që ka ndodhur një ngjarje e tmerrshme në Shqipëri: Kryeministri ka ofenduar një kryetare bashkie. Ndaj ju më bënit thirrje që t’i kërkoja falje zonjës që është kryetare e bashkisë, meqënëse këtë e kisha bërë edhe me Vllahutin.
Në fakt unë nuk kam llogari në fejsbuk, por më thanë.
Po ashtu nuk kam as idenë se kush jeni ju që më shkruani . Por duke qenë se në përgjithësi jemi popull delirant, ku çdo shofer kamioni, pastruese apo marangoz, i drejtohet një intelektuali nga pozita supremacie, mendova në fillim se do të ishit edhe ju një e tillë.
Por pastaj mësova që keni qenë hiç më pak, por kryetare e entit të frekuencave, apo siç e ka akronimin AMA. Mendova se kjo do të thoshte që keni qenë njeri i letrave apo të paktën një tekniciene e shquar, por as këtu nuk u zhgënjeva: keni qënë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës një deng pa markë. Domethënë një hiçasgjë, një bjerrakohëse, një nga ato fluturat që sillen vërdallë llampës së politikës, ku ose digjen, ose ju prin fati e bëhen arrza.
Pra në fund të llogarive jeni diçka e ngjashme me një pastruese që ka mësuar të përdorë telefonin celular. E kam fjalën për nga ana intelektuale dhe pozicionit publik. E di çupëza ime që ka shumë të tilla nga ato anë, dhe nga të gjitha krahët, por po merrem me ty, sa për të gjitha.
Pra që të kthehemi në fillim, më kërkoni që t’i kërkoj falje kësaj zonjës, meqënëse më përpara i kam kërkuar edhe Vllahutinit, për shkak se një gjysmak e kishte kërcënuar.
E dashur Endira,
Do ta kisha plotësuar me gjithë qejf dëshirën tuaj. Por së pari duhet t’iu shpjegoj nja dy gjëra.
Jam shumë i vjetër e dashur vajzë, dhe këto vite që më kanë mbetur, më duhet t’i shpenzoj për llogari time dhe jo të plotësoj kërkesat e çfarëdolloj bibe apo debili me të cilët vendi nga vij unë është i mbushur citas dhe kujton se është e barabartë me mua e mund të më japë mend. Madje edhe mund të më tregojë se çfarë të bëj. Shembulli yt është i kristaltë si pika e lotit për ta ilustruar këtë.
Në veprën time jam përpjekur për t’i paraqitur shqiptarët si komb evropian dhe i civilizuar. Por qindra idiotë që i janë bashkuar xhihadit kohët e fundit; sjellje prej të mangëti si ky ndaj Vllahutin, ma zerojnë mundin. Ndaj e ndërmora këtë hap, më tepër për sy të evropianëve, pasi juve, rracën time, e di se kush jeni: Të kesh mik të prish punë, të kesh armik të ha munë.
Së treti, duke qenë se ju njoh mirë, e di se falja ime nuk pi ujë. Falja vlen në kombe të civilizuara që e dinë vlerën, jo në vendin ku heroizmi është i kotë. Të jeni e bindur që nganjëherë mendoj me veten time se për kokat që keni, i keni fiks festet që ju presin Hoxha, Berisha apo Rama. Dhe jam i lumtur që jetesa ime nuk varet nga vendi të cilit i përkas, pasi po të ishte kështu, do më jepnit pension urie vetëm pasi të bëja ndonjë deklaratë në favor të partive dhe do ta shfrytëzonit funeralin tim për të vjedhur në fatura. Përshembull, imagjino Endira sikur të isha në dorën tënde?!
Ndaj them se nuk ja vlen kërkesa e faljes.
U zgjata dhe kam frikë se ty të zë leximi. Por jam i detyruar që t’i pres vrullin çdo delirant/i/je që të më shkruajë, duke harxhuar kështu energji elektrike apo ca më keq letër.
Me shumë admirim për guximin!
Ismail Kadare
*Letra eshte krijim i rubrikes humoristike te dritare.net , "Kendi AGBV" dhe jo nje leter e shkruar nga z. Kadare.