Intervista tronditëse/ Princat tregojnë telefonatën e fundit me Dianën: Pengu i jetës sonë
Dritare.net
Edhe pse tashmë kanë kaluar shumë vite dhe ata ishin veçse fëmijë, kanë shumë ndjesi faji për atë telefonatë të fundit, që e lanë përgjysmë. Në atë kohë- 30 gusht 1997- William ishte 15 kurse Harry 12 vjeç. Ata po kalonin disa ditë në Balmoral, tek kushërinjtë e tyre, kurse Diana ishte në Francë me mikun e saj të ngushtë, Dodi Al fayed, djali i milionerit Mohamed Al Fayed. Prej një muaji nuk i shikonte, ndaj mezi po priste të ritakonte djemtë e saj, të cilët i telefonoi me mall. “Unë dhe Harry ishim tërë nxitim për ta mbyllur telefonin e për të vazhduar lojën, i thamë: “mirupafshim”; “shihemi më vonë” dhe “do ta fikim telefonin”. Sikur ta kisha ditur se ç’do të ndodhte, nuk do të kisha qenë kaq moskokëçarës. Por ajo telefonatë më ka mbetur si barrë e rëndë, tërë kohës”, tregoi William.
I pyetur në e mban mend çfarë u tha e ëma, me një nënqeshje të trishtë tha se i kujtohet, por nuk deshi ta tregonte. Të nesërmen në mëngjes, me t’u zgjuar morën lajmin e dhimbshëm. Ishte babai, Charles, ai që ua tregoi. Diana ishte 36 vjeçe; 1 vit më e madhe se William tani. Edhe Harry s’e harron dot atë telefonatë. I kujtohet se ishte William ai që e hapi i pari dhe e thërriti: “Harry! Harry! Mamushi në telefon!”
“Po ta kisha ditur që do të ishte hera e fundit që do të flisja me nënën time, gjërat që do t’i kisha thënë... tani është kaq e vështirë kur e mendoj. Do të më mbetet peng për gjithë jetën. Fakti që s’e dija që do të ishte hera e fundit që do të flisja me mamanë time, dhe se sa ndryshe do të kishte qenë ajo bisedë sikur të kisha ndjesinë më të vogël se atë natë do t’i merrej jeta...”, thotë Harry.
William, vëllai i madh, shprehet se mendon çdo ditë për mamanë dhe madje, iu duk se ndjeu praninë e saj gjatë ditës së martesës me Kate Middleton. Kurse Harry thotë se i duket sikur i ndjen akoma përqafimet e saj. E ka marrë malli për to. E përshkruajnë si një mama të përkushtuar, plot përkujdesje dhe dhembshuri. Mbi të gjitha, si një grua që çdo gjë e bënte plot pasion, prandaj sipas tyre ishte e zonja të bindte miliona njerëz.
Intervista e djemve është pjesë e dokumentarit me titull “Diana, nëna jonë: Jeta dhe trashëgimia”, dhe do të transmetohet në “ITV”. Në të, përfshihen edhe disa foto të papublikuara më parë, të Dianës me dy djemtë e saj. Sipas “Dailymail”, kjo është intervista më tronditëse e familjes mbretërore që prej asaj të vitit 1995, kur Diana pranoi se kishte një lidhje jashtë martese.