Hyjnë në fuqi tarifat për patentat: Ja sa do të paguani për çdo kategori!
Dritare.net
Udhëzimi përcakton që për shoferët të cilët pajisen me patentë për të drejtuar çiklomotor deri në 50 kubikë, që i përket kategorisë AM, do të paguhen 3 mijë lekë. Bëhet fjalë për tarifën që paguhet në Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor pas përfundimit të testimit. Për këtë kategori, leja e drejtimit merret vetëm me testim teorik.
Të njëjtën tarifë do të paguajnë edhe për patentat e kategorive të reja, A1 dhe A2.
Për shoferët që pajisen me patentë të kategorive B1 dhe B, do të paguhet 4500 lekë.
Ndërsa për patentat e kategorive C1 e C, tarifa që do të paguhet është 2 mijë lekë.
Për lejedrejtim të kategorive D1 dhe D do të paguhet tarifa 3 mijë lekë.
Tarifa prej 3 mijë lekësh do të paguhet edhe për patentat e kategorive B96, BE, C1E, CE, D1E dhe DE.
Të njëjtat tarifa do të paguhen edhe për ata shoferë, të cilët duhet të rinovojnë patentën aktuale.
Edhe pse prej 1 janarit ka nisur shpërndarja e modeleve të reja të patentave, kjo nuk e kushtëzon qytetarin ta ndryshojë. Patenta aktuale është në fuqi deri në momentin e përfundimit të afatit të vlefshmërisë. Nga janari i këtij viti, kategoritë e lejeve të drejtimit janë shtuar, nga 8 kategori që ishin më parë, janë bërë 15 kategori lejesh drejtimi.
Më herët, për patentat ndryshoi edhe vlerësimi i pikëve për testimin e njohurive teorike. Për testimin e njohurive teorike, numri i pyetjeve nuk ka ndryshuar, por vetëm marzhi i lejuar i gabimit. Pra nëse më parë për 40 pyetje të testimit teorik marzhi i lejuar i gabimit ishte 7, me ndryshimet e bëra, për 40 pyetje marxhi i gabimit të lejuar do të jetë 4.