Hoxha i Librazhdit dhe puritanët e Tiranës

Nga Dritan Hila

Në vitin 1936, Indro Montanelli ishte ende një i ri entuziast që besonte tek fashizmi, dhe ndoqi udhën e kolonizatorëve italianë të Afrikës. “ Nuk do të jemi kurrë dominues, nëse nuk do të kemi të ngulitur në mendje superioritetin tonë racor. Me të zinjtë nuk mund të ketë vëllazërim. Nuk mundet, nuk duhet. Të paktën derisa të jenë civilizuar””. Këto jënë fjalët ekzakte të shkruara në periodiken “Qytetërimi fashist”, pikërisht nga njeriu që më vonë do të quhej ikona e gazetarisë italiane të shekullit të XX-të.
Në Afrike, Montanelli u martua me një vendase 12 vjeçare të quajtur Fatma. Në fakt nuk ishte martesë, por një blerje për 500 lira të kohës, plus një kali dhe një pushke që i dha babait të Fatmës. Ishte më shumë një skllavëri.
Kur më vonë në vitin 1969 në programin televiziv “Ora e të vërtetës” të Xhani Bisak e tregoi këtë fakt dhe u sulmua nga publiku, Montanelli u mbrojt se “në ato zona kjo moshë e Fatmas, ishte e zakonshme për martesë”. Madje ishte i bindur se nuk kishte asgjë të keqe në sa kishte bërë. Dhe nuk mund të thuash se Montanelli nuk e njihte se çfarë ishte pedofilia, pavarësisht se fenomeni nuk kishte sensibilitetin që ka sot.
Ky fakt është një ilustrim sesi ngjarje të tilla skandaloze, nuk janë të përqëndruara në një kulturë si ajo islame, siç po kërkohet të demonizohet sot një hoxhë nga Librazhdi i cili ka thënë që nuk ka problem martesa në moshën 12 vjeç e një fëmije femër. Edhe në kulturën pagane dhe tek kristiani Montanelli ndodhin. E vërteta është që gjithçka duhet parë në kontekstin historik dhe gjeografik. Edhe në hapësirën ku mbizotëron islami, për shkak të injorancës, kushteve ekonomike ose edhe fenomeneve sociale të njohura edhe në civilizime të tjera, kanë ndodhur fenomene të tilla. Por kjo është për faj të prapambetjes dhe mizerjes dhe jo për të shërbyer si një shkak që të ngrihet një fushatë anti-islam.
Ndërsa duke ardhur në Shqipëri, me siguri kemi të bëjmë vetëm me faktin se hoxha i Librazhdit është një injorant i cili ka mbetur në shekullin e shtatë. Dhe në këto kushte është mirë që nëse nuk ka ligje, të bëhen dhe zotëria në fjalë të gjendet pas hekurave për nxitje të pedofilisë. Kjo do të ishte një sjellje e përgjegjshme e politikanëve që po përpiqen të kalërojnë mediatikisht rastin dhe e publikut i cili eksitohet në rrjetet sociale.
Por nuk ka pse akuzohet një besim i tërë. Sepse sa për kujtesë, bota sot po përjeton një valë të frikshme të fenomenit të pedofilisë, sidomos online, mes të krishterëve dhe madje vetë priftërinjve. Ky nuk është faji i doktrinës së krishterë dhe as i Jezu Krishtit. Por ajo pse vihet theksi dhe fryhen raste të ndodhura nga rradhët e klerit islam, ka lidhje edhe me një lloj fushate e cila po bëhet e modës në botë dhe kërkon krijimin e një armiku ndaj të cilit perëndimi duhet të mobilizohet që të kompaktësohet, dhe ky është islami. Është një modë që ky vend me dy besime dhe dhjetëra sekte, nuk ia ka nevojën./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.