Horoskopi i muajit prill 2019

Dashi

Ky nuk ka për të qenë muaji më i mirë për ju, megjithatë do mund të zgjidhni disa çështje vërtet të rëndësishme që do ju ndihmojnë të avanconi. Nëse jeni në një lidhje mundohuni të ruani përherë qetësinë dhe t’ia plotësoni qejfet partnerit tuaj. Do ndiheni edhe vetë shumë më mirë. Besojini atij edhe disa brenga që ndieni. Ju beqarët mirë do jetë të pranoni çdo ftesë që do ju bëhet sepse mund të takoni personin që keni pritur prej kohësh. Shëndeti do jetë i mirë. Do ndiheni plot gjallëri dhe do dini ta dëgjoni trupin tuaj. Shqetësimet e mëdha thuajse do mungojnë. Në planin financiar Urani do ketë ndikim pozitiv që në datën 6 dhe do ju bëjë të hidhni hapa të rëndësishme. Buxheti juaj do përmirësohet pafundësisht. Në punë do jeni gjithë kohës në aksion dhe do i rregulloni edhe problemet që keni pasur.

Demi

Gjatë këtij muaji duhet të bëni shumë kujdes me sjelljen. Mos bëni çdo gjë sipas mendjes suaj pa pyetur ata që ju rrethojnë dhe që ju duan të mirën. Nëse jeni në një lidhje dëgjojini me kujdes këshillat që ai do iu japë partneri sepse gjithçka ai e bën nga dashuria që ka për ju. Tregohuni edhe pak më tolerantë. Për sa iu përket ju beqareve, ka mundësi të mos e gjeni as këtë muaj personin që po kërkoni. Mundohuni të dilni më shpesh me miqtë që të mos ndiheni vetëm. Shëndeti do fillojë të përmirësohet ndjeshëm. Do i rifitoni energjitë dhe do jeni më dinamikë. Në planin financiar duhet të hidhni çdo hap me maturi. Edhe pse financat do jenë përgjithësisht të qëndrueshme nuk duhet të shpenzoni pa masë. Sipas Dritare.net, në punë do jetë një muaj i ngarkuar dhe i lodhshëm. Mos e lëshoni veten sepse mund t’ia dilni mbanë me pak përpjekje.

Binjakët

Ky muaj do jetë kryesisht i favorshëm për plotësimin e dëshirave më të mëdha. Nëse jeni në një lidhje do kaloni një periudhë mjaft të qëndrueshme edhe pse herë pas here mund të debatoni me partnerin. Asgjë nuk do e prishë ambientin që do krijohet. Ju beqarët do jeni tepër të veçantë. Një person interesant mund të ndeze edhe tek ju zjarrin e pasionit dhe gjërat do ndryshojë shpejt. Shëndeti nuk do jetë problematik, por yjet këshillojnë të çlodheni e të relaksoheni më shpesh. Kujdes me punët e tepërta. Në planin financiar mos u tregoni shumë të sigurt në vetvete sepse do bëni gabimin më të madh. Kontrolloni çdo shpenzim që do bëni. Në punë do i shihni gjërat më qartë dhe do afroheni shumë me qëllimet që i kishit vënë vetes. Mos i braktisni projektet që keni nisur.

Gaforrja

Ky muaj ka për të qenë shumë pozitiv edhe pse për të thënë të vërtetën nuk do përkujdeseni si duhet. Nëse jeni në një lidhje, deri në datës 25 keni për të marrë një propozim shumë të rëndësishëm ose një lajm të madh që do ua zbukurojë jetën. Vetëm 5 ditët e para të muajit do jenë pak të turbullta dhe më pas dielli do mbizotërojë. Ju beqarët nuk do jeni shumë në humor për t’u angazhuar seriozisht dhe do preferoni të ndiheni të lirë. Shëndeti nuk do jetë aspak i keq. Do dini të kujdeseni për veten dhe energjia do ju shoqërojë gjithë kohës. Financat do ua mbrojë Jupiteri, por kjo nuk do të thotë që ju ta lëshoni dorën dhe të shpenzoni me sy të mbyllur. Në punë gjërat do ju ecin goxha mirë. Do ndiheni të pavarur për të bërë atë që keni menduar me shumë finesë e delikatesë. Nuk do ju mungojë as diplomacia.

Luani

Nëse pranoni të kujdeseni dhe të respektoni të tjerët gjërat do ju ecin më mirë këtë muaj. Nëse keni një lidhje duhet të flisni sa më shumë dhe sa më hapur me partnerin për gjithçka që iu shqetëson. Vetëm në këtë mënyrë ai do ketë mundësi t’iu ndihmojë. Nëse jeni beqarë do joshni pa pushim, por do tregoheni edhe mjaft misteriozë. Do bëni disa persona për vete dhe do keni mundësi të zgjidhni atë që iu përshtatet më tepër. Shëndeti në përgjithësi do jetë i mirë dhe nuk do keni shqetësime të mëdha. Do jeni plot energji dhe dinamizëm. Financat nuk do jenë aspak problematike kështu që përfitoni të blini atë që keni menduar prej disa kohësh. Në punë do të mbizotërojë qetësia. Vazhdoni atë që keni nisur, por mos u nxitoni sepse do keni gjithë kohen e nevojshme. Mundohuni të rregulloni pak marrëdhënien me kolegët e zyrës.

Virgjëresha

Gjate këtij muaji mund të keni probleme për shkak të gabimeve që keni bërë. Ju të dashuruarit do kërkoni të kontrolloni gjithçka dhe nuk do i lini partnerit hapësirë të shprehet lirisht. Ndryshoni taktikë pa qenë vonë. Asnjë njeri nuk mund të mbahet i mbyllur në kafazin që ju doni. Ju beqarët do jeni të nxituar dhe të paduruar. Do doni të bëni çdo gjë sipas kokës suaj dhe do gaboni. Shëndeti nuk do jetë i shkëlqyer. Mund të keni ndonjë problem me mushkëritë nëse jeni duhanpirës. Planetët do iu japin mbështetjen e tyre në planin financiar dhe situata pritet të mos jetë problematike. Në punë duhet të jeni më të vëmendshëm dhe striktë. Merrni guximin të provoni edhe gjëra të reja dhe nuk do dilni të humbur.

LEXO DHE :  Zbulohet shkaku i vdekjes së modeles 36-vjeçare

Peshorja

Ky nuk ka për të qenë një muaj plotësisht  i qetë, megjithatë me durim mund të kalohet çdo gjë. Nëse keni një lidhje jeta juaj do shkojë më së miri. Do ndani me partnerin gjithçka që ndjeni dhe do kaloni ditë e javë të mrekullueshme. Familja do iu mbështesë në disa vendime që do merrni. Ju beqarët edhe pse nuk do realizoni takimin e shumëpritur do keni pretendentë me shumicë. Përfitoni sa të mundni dhe filloni ndonjë aventure. Të ardhmes asnjëherë nuk i dihet. Nëse jeni treguar të kujdesshëm me shëndetin gjatë muajit që kaloi, këtë muaj nuk do keni asnjë problem dhe do jeni në formë. Sipas Dritare.net, sektori i financave do jetë pak delikat. Merrni masa dhe ulni sa më parë shpenzimet. Në punë do tregoheni të vendosur dhe të guximshëm. Nëse keni për të firmosur ndonjë kontratë kini parasysh datat 18 dhe 21 sepse do iu sjellin fat.

Akrepi

Gjatë këtij muaji nuk duhet të nxitoheni për asgjë sepse situata mund t’iu ndërlikohet. Ju që keni një lidhje do kaloni një periudhë  pak të turbullt. Do përballeni me rivalë shumë të fortë të cilët do bëjnë çmos t’ua marrin atë që keni në krah. Kujdes edhe me skenat e xhelozisë dhe gjeni mënyrën e duhur për ta mbajtur partnerin të lidhur pas vetes. Ju beqarët do keni mundësi për të krijuar lidhje, por do tregoheni shumë kërkues dhe të pavendosur. Shëndeti do jetë problematik. Do vuani nga pagjumësia dhe stresi do ketë pasoja në gjithë organizmin. Konsultohuni sa më parë me një mjek. Financat do jenë kryesisht të qëndrueshme. Në punë do jeni më të motivuar dhe më të vendosur për ta arritur atë që doni. Mund të ngriheni edhe në detyrë, por duhet të keni parasysh që përgjegjësitë do jenë më të mëdha.

Shigjetari

Gjatë këtij muaji mund të keni edhe disa probleme të vogla, por do arrini t’i zgjidhni nëse bëni përpjekjet e duhura.  Ju të dashuruarit mundet të keni përballje me partnerin. Ai do ju kërkojë llogari dhe kjo do iu bezdisë së tepërmi. Tregojini atij ato që nuk iu pëlqejnë, mos i mbani për vete. Nëse jeni beqarë, do keni shumë takime, por ka pak mundësi të gjeni atë që kërkoni. Mos u dëshpëroni nga kjo, bëhuni optimiste. Shëndeti do jetë më pak dinamik, por më i qetë. Kujdesuni pak edhe për dhëmbët dhe tensionin. Për sa ju përket financave gjërat do jenë normale. Do paguani faturat e muajit dhe përsëri do ju ngelen para. Në punë do jeni shumë të ngarkuar. Kolegët do mundohen t’iu kritikojnë, por mos e vrisni shumë mendjen. Tregohuni më diplomatë dhe do i bëni të tjerët t’iu dëgjojnë.

Bricjapi

Gjatë këtij muaji do jeni shumë nostalgjikë. Ju të dashuruarit do mendoni më shumë sesa duhet për ato që keni kaluar dhe kjo do iu shtojë mërzitjen. Largohuni nga disa persona që iu kujtojnë diçka jo të këndshme. Nëse jeni beqarë do keni goxha takime, por duhet ta dini që edhe po krijuat një lidhje, ajo nuk do shkojë shumë gjate. Kujdesuni pak më tepër për shëndetin dhe për higjienën personale edhe pse nuk do keni asnjë shqetësim të madh. Me sektorin e financave do merreni më tepër. Do bëni një riorganizim të gjithë buxhetit dhe do i vini vetes disa fre për sa iu përket shpenzimeve. Puna në përgjithësi do ecë mbarë. Nëse duhet të ktheni ndonjë përgjigje apo të merrni vendime bëjeni pas datës 20.

Ujori

Ky muaj do jetë ai i arritjeve dhe zgjidhjeve të problemeve. Nëse jeni në një lidhje dhe keni pasur probleme me partnerin tashmë do rregulloni gjithçka. Nëse e keni lënduar atë kërkojini falje dhe tregohuni sa më të sinqertë. Ju beqarët do jeni më të lirë dhe do merreni pak më shumë me jetën sentimentale. Do e testoni aftësinë tuaj joshëse. Shëndeti do jetë më i mirë dhe do ndiheni të qetë. Gjithsesi nëse ndieni ndonjë shqetësim të vogël, këshillohet të shkoni sa më parë tek mjeku. Në planin financiar tregohuni më vigjilentë dhe mendoni për të ardhmen. Po shpenzuat pa limit do ngeleni pa lek në xhep. Nëse në punë keni pasur dyshime për një zgjedhje që duhet të bënit, tani nuk ka më kohë të mendoheni. E ardhmja është në dorën tuaj dhe jeni ju ata që mund ta ndryshoni tërësisht.

Peshqit

Gjatë këtij muaji do jeni kreativë, me humor të mirë dhe plot gjallëri. Nëse keni një lidhje jeta sentimentale nuk do jetë shumë e qetë. Javët e para do jenë më të vështirat dhe mund t’iu mungojë kthjelltësia e mendimit. Bëni kujdes dhe mos merrni asnjë vendim të rëndësishëm. Tregohuni edhe të duruar e diplomatë. Në fund të muajit ambienti do të ngrohet ndjeshëm. Për ju beqarët që jeni në kërkim të dashurisë, gjithçka do të varet nga mënyra e të vepruarit dhe nga sjellja. Tregohuni më të hapur. Shëndeti do jetë kryesisht pa probleme. Nëse merreni me pak aktivitet fizik do ndiheni edhe më mirë. Financat nuk do jenë shumë të qëndrueshme. Tregohuni pak të kursyer nëse nuk doni të keni vështirësi më vonë. Në punë do përballeni me pengesa dy javët e para, por më vone situata do ndryshojë tërësisht. /dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.