Historia e rrallë e Pyllit të Sodës, treguar prej njeriut që njeh çdo pemë në pyll

Ai quhet Mustafa Dedenika. Ka qenë inxhinier pyjesh.

E ka mbjellë këtë park 61 vjet më parë. I di moshën çdo njërës prej 6 milion bimëve të këtij pylli.

Të shoqëron nga plazhi i vjetër në Zvërnec , duke rrëfyer me dëshpërim çdo degë e gjethe.

“Këtu jemi në pjesën veri-perëndimore të pyllit të Kumeve ose të Sodës siç është quajtur më vonë, thotë Dedenika për dritare.net. Ky pyll ka një gjatësi prej 5 km, që fillon që nga plazhi i vjetër deri në lagjen e fundit të Zvërnecit, ku pak a shumë ndodhemi edhe ne tani. Ka një gjerësi prej 1 km deri në 1.5 km, dhe kap një sipërfaqe prej nga 500 deri në 550 hektarë.

Pas çlirimit, kjo zonë ka qenë një zonë krejtësisht  moçalore, me duna rëre dhe depresione ujore ku rriteshin vetëm mushkonja, një vend tepër i pistë që sillte vetëm sëmundje.

Në vitin 1947-1948 pavarësisht sesi ishte vendi, filloi pyllëzimi nën drejtimin teknik të organeve pyjore të asaj kohe.

Dhe pyllëzimi bëhej, në atë muaj që u quajt muaji i pyjeve, në dhjetor dhe merrnin pjesë të gjithë fshatrat, kishte edhe nxënës nga shkollat.

Në vitin 1968 me vendimin e qeverisë së kohës,  u vendos që të pyllëzohej gjithë brezi bregdetar i Shqipërisë, dhe ne bëmë një projekt, sidomos për këtë zonë, për brezin bregdetar deri në Vjosë.

Donim të zgjidhnim një pyll, jo vetëm me funksionin higjeno-sanitar por edhe estetik.

Mbi bazat e këtij projekti është punuar, dhe të shikoni si është gjendja sot, gjendja ka qenë shumë e mirë nga sa shohim ne sot, pasi periudha 20-vjeçare që i themi ne tranzicion ka bërë punën e saj në shkatërrimin e saj.

Dhe bile në këtë sipërfaqe në këtë sipërfaqe ku jemi tani duke përjashtuar bregdetin atje, janë hedhur mbi 30 mijë m3 dhe.

LEXO DHE :  Foto/ Ja kur do të ngrihet në fluturim Air Albania!

Këtu nuk është mjaftuar vetëm me krijimin e pyllit, me bimë dhe pemë pyjore, në një periudhë 5-6 vjeçare, të gjitha sipërfaqet që ishin mbjellë, u krijoi edhe shërbimet  që konsistonin si në prashitjen e tyre në plehërimin, me pleh kimik, sidomos nitrat.

Dhe me rritjen e drurit, bëhej edhe krasitja e degëve të thata, sepse mund të rrezikohej nga ndonjë zjarr. Në atë kohë me nostalgji të madhe e them që nuk kishte kur ajo njeri, që jo të priste ndonjë dru por edhe të merrte një degë të thatë brenda pyllit.

Kishte gjoba nga më të mëdhatë e më ekstremet, por ajo nuk ishte se e bënin vetëm punonjësit e pyjeve këtë punë, por kishte një mbështetje nga të gjitha strukturat shtetërore.

Për plazhin, vinin e pushonin por në vende të caktuara ku pyjetarët drejtonin pushuesit duke shmangur zonat e rrezikuara nga zjarri, nuk lejohej hedhja e mbeturinave dhe kishte një pastërti tepër shembullore.

Në qoftë se s’do të ishte shkrirë kjo brigadë që në 1990-1991 kjo pamje nuk do ekzistonte.

Kam ardhur këtu që në 1957, sa kisha mbaruar një vit shkollë, kam ardhur për të parë këtë vend, duhet të ruanim shpendët.

Kalonim vetëm në ato rrugë të ngushta për të mos shkelur mbi barishtet.

Tani nuk kanë mbetur as harabelat.”

Mustafa Dedenika eshtë emri që duhet të kujtojë çdo vlonjat dhe çdokush kujton Pyllin e Sodës, siç ka qene dikur. Ju që e shihni tani, dijeni se shkatërrimi nuk ka emrin e tij. Ka emrin tonë./Dritare.net


Ps. Kjo intervistë është realizuar në vitin 2010, në emisionin SHQIP nga Rudina Xhunga.