Historia e reformës që destabilizoi universitetet
Dritare.net
Nga Isa Myzyraj
Një vit pasi Edi Rama mori pushtetin në vitin 2013, një ndër reformat më të rëndësishme që ndërmori ishte Reforma për Asimin e Lartë.
Vetë kryeministri Rama, shprehu se do të hartohej një reformë cilësore për arsimin e lartë, ndërsa ai u kërkoi ekspertëve të hartonin këtë reformë, dhe të kenë parasysh se, ku dhe si duhet të ndërhyhet në këtë sektor. Në prill të 2014-ës u krijua komisioni i posaçëm, me ekspertë të fushës dhe raporti përfundimtar mbajti edhe firmën e kryeministrit të vendit. Modeli i reformës ishte ai i modelit anglo-sakson dhe përbëhej nga disa hallka kryesore.
Së pari: Përfshinte rregullimin e institucioneve të arsimit të lartë publik dhe jopublik duke u dhënë statusin “Universitete publike të pavarura”.
Së dyti: Për herë të parë përfshin organizma si fondacione private, banka dhe donatorë që do të financojnë dhe bashkë-menaxhojnë me shtetin institucionet e arsimit të lartë.
Së treti: Reforma parashikonte një formulë të re të zgjedhjes së drejtuesve të universitetit dhe rolit të këshillit të profesorëve.
Raporti përfundimtar u prezantua publikisht në korrik të vitit 2014.
Prezantimin e reformës e bëri Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla e cila aso kohe ka folur me nota të larta bindjeje se ajo reformë ishte përfundimisht zgjidhja që do e nxirrte arsimin nga cepi ku e kishte hedhur politika.
Theksi në këtë dokument u vu në rritjen e kërkimit shkencor, nëpërmjet financimeve nga donatorë dhe subjekte të ndryshme, për çdo punim apo kërkim shkencor që do të realizohej në universitete. Në këtë mënyrë, universiteti vë në lëvizje burimet njerëzore që të vetëfinancohen pa e parë shtetin si të vetmin burim të ardhurash.
Pas hartimit të raportit, ai dorëzua tek grupet e interesit, stafeve akademike e rektorëve të universiteteve publike dhe private.
Pas njohjes me draftin, palët e interesit shprehën hapur bindjen e tyre se ajo ishte një reformë e cila do të zhyste arsimin në një krizë të thellë.
Rektori i asaj kohe i Universitetit të Tiranës, Prof.Dr Dhori Kule nuk hezitoi ta quante një draft që nuk u shërben institucioneve dhe fushave akademike, madje nuk do të funksiononte në asnjë institucion tjetër jo-arsimor, duke e kritikuar ashpër këtë draft, dhe si të tillë Kule nuk do ta pranonte.
Teksa zërat kritikë po shtoheshin çdo ditë e më shumë në radhët e akademikëve, një pjesë e pedagogëve të universiteteve publike në Tiranë për tu ballafaquar me ministrinë e Arsimit për këtë draft, krijuan Forumin për Liri Akademike.
Akademikët u ulën së bashku, dhe bënë propozimet e tyre se cili nga kapitujt duhet të ndryshojë, duke kërcënuar se nuk do të pajtoheshin me këtë variant të qeverisë.
Sipas akademikëve: projektligji dëmton autonominë e universiteteve, i kthen universitetet në fondacione, ka gafa juridike që dëmtojnë rregullimin e universiteteve, rrit tarifat e studimit, si dhe paratë e shtetit do t’u shkojnë universiteteve private, dhe financimi i universiteteve publike do te ulet. Bazuar mbi këto argumente akademikët kërkuan rrëzimin on-bllok të këtij drafti, për këtë qëllim ata nisën edhe nënshkrimin e një peticioni për të penguar miratimin e këtij varianti.
Akademikët e Forumit për Liri Akademike bënë rekomandimet e tyre dhe i’a paraqitën Qeverisë, duke vënë theksin në garantimin e autonomisë së universiteteve dhe mos rritjen e tarifave të studimit.
Një pikë tjetër që e kundërshtuan me forcë akademikët, ishte edhe zhdukja e këshillave të pedagogëve, gjë e cila sipas tyre ishte e tepërt dhe e papranueshme.
Në lidhje me këto rekomandime, Ministrja e Arsimit, garantoi se do të merrte parasysh këto rekomandime duke zhvilluar konsultime me dekanët, pedagogët dhe rektorët, me qëllim reflektim të këtij dokumenti që ishte pika kyçe e reformës së arsimit të lartë.
Më 25 mars të vitit 2015 ministria e Arsimit prezantoi një draft të ri. Nikolla deklaroi se kishte marrë parasysh, çdo palë të interesit, dhe se ishte bindur se duhej ndërhyrë tek dokumenti i parë, por ajo u shpreh se drafti i dytë ishte mjaft i përmirësuar.
Por, kur dukej se gjithçka ishte dakordësuar, ajo që rindezi debatet e ashpra ishte se Lindita Nikolla, në qershorin e 2015 prezantoi në kuvend draftin e parë të reformës dhe jo draftin e përditësuar.
Ligji u miratua në parlament me 98 vota pro.
Menjëherë pas votimit, Forumi për Liri Akademike, deklaroi se Ministria ishte tallur me ta, ndërsa kryeministri Rama u shpreh se : “Aty ku ka rezistencë, ka vetëm një arsye për këtë. Rezistencë kundër Konkurencës”.
Edhe Lindita Nikolla reagoi pas miratimit të reformës duke u shprehur:
“Fundi i rehatisë akademike, natyrisht nuk është fundi i arsimit të lartë. Fundi i një sistemi që prodhon diploma pa vlerë, nuk mund të jetë fundi i arsimit të lartë. Fundi i punësimeve nepotike, nuk është fundi i arsimit të lartë. Fundi i drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë apo departamenteve që pjesën më të madhe të kohës e kalojnë jashtë Shqipërisë, sigurisht nuk mund të jetë fundi i arsimit të lartë”
Por, shumë shpejtë në debat u futën edhe studentët të cilët nisën një valë protestash duke kërkuar në mënyrë urgjente rrëzimin e ligjit për arsimin e lartë, sepse sipas tyre kjo reformë: Bënte dijen mall të kushtueshëm, dhe Universitetin, privilegj të të paktëve, ulte peshën e studentëve në vendim-marrje dhe ata e shihnin veten klient në fakultete.
Për të fuqizuar edhe më tej reagimet e tyre studentët krijuan lëvizjen “Për Universitetin” e cila u bë edhe më aktive në sajë të protestave masive.
Në gushtin e vitit 2015, Presidenti i asaj kohe Bujar Nishani, vendosi të mos dekretonte ligjin duke e rikthyer sërish në komisionet parlamentare.
Institucioni i presidentit argumentoi se:
“Përmes këtij ligji rrezikon, kushtëzohet e drejta për arsimin e lartë nga kriteri i pagesës së tarifave të ndryshme të përcaktuara në ligj, por që mund të arrijnë në shifra të larta të pa përballueshme për nivelin mesatar të jetesës në shqipëri. Ky ligj nuk garanton autonominë e Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe lirinë akademike të parashikuara nga kushtetuta. Kjo pasi ministria nuk mund të pezullojë dhe propozojë për shkarkim një organ të zgjedhur nga personeli akademik”
Në vjeshtën e 2015 projektligji miratohet sërish në parlament pa ndryshime.
Gjatë gjithë viteve të tjera studentët dhe pedagogët e universiteteve kanë kundërshtuar reformën, derisa në vitin 2016 një kaos i shkaktuar në maturën shtetërore, përforcoi idenë se reforma nuk ishte e duhura.
Pikat kryesore që u kundërshtuan ndër vite kishin të bënin për të ashtuquajturën “autonomi e universiteteve” dhe vetëfinancimi i tyre, çka do të thotë se financimi i universiteteve nga paratë e shtetit do të ulej, dhe buxheti do të ndahej mes privatit dhe publikut.
Gjatë aksioneve të tyre 4 vjeçare studentët kanë goditur kryeministrin me vezë pranë fakultetit të Shkencave të Natyrës. Ata kanë gjuajtur me salcë Ministren e Arsimit Lindita Nikolla, kanë bojkotuar disa herë mësimin, kanë nënshkruar peticione e kanë bërë marshime të shumta, kundër reformës në Arsimin e Lartë.
Sot, jemi 3 vite pas miratimit përfundimtar të reformës në arsimin e lartë, studentët kanë mbushur sheshet e qyteteve duke kërkuar plotësimin e 8 kerkesave të tyre, kërkesa këto që vijnë si pasojë e mosfunksionimit të kësaj reforme.
Duket se edhe vetë kryeministri Rama, ka pranaur në një mënyrë se reforma nuk doli ashtu siç e prisnin, pasi ka ftuar studentët për dialog, por duket se një i tillë është larg dhe gati i pamundur sepse studentët refuzojnë të negociojnë dhe të dialogojnë për 8 pikat e paraqitura./ Dritare.net