Historia e pabesueshme e një qeni dhe qyteti
Dritare.net
Një histori e jashtëzakonshme, një histori dhimbjeje, dashurie e respekti reciprok midis një qyteti të tërë e një qeni, prekëse po aq sa historia e qenit Hachiko në vitin 1924 në Tokio të Japonisë, histori që përloti botën e asaj kohe por dhe më vonë me filmat kushtuar kësaj teme.
Unë nuk kisha dëgjuar gjë për historinë e Patsy Ann, deri sa shkela në bankinën e portit Juneau, kryeqytetit të Alaskës. Një statuje prej bronzi e Patsy Ann i priste të gjithë ata që vinin nga deti dhe i përshëndeste përditë ata që kalonin andej pari.
Kisha lexuar kohë më parë një thënie nga James Thurber që thoshte “Nëse unë kam ndonjë besim në pavdekësinë, kjo është sepse disa qen që unë kam njohur do të shkojnë në parajsë.“
Unë kam një qen që quhet Marko dhe nga kjo e di se sa e drejtë ishte ajo që thoshte James Thurber.
Patsy Ann ishte një qen femër e racës Bull Terrier, që kishte lindur në Portland te Oregon, USA më 12 Tetor 1929./ Tema.al
Kishte ardhur në Juneau si një këlysh, dhe po këtu qe braktisur nga i zoti i parë dhe i fundit. Dhe nuk do të largohej më kurrë nga Juneau deri sa të mbyllte jetën e saj më 30 Mars 1942. Patsy Ann i donte dhe e donin të gjithë.
Kishte lindur e shurdhër por në një mënyrë të pashpjegueshme kuptonte që shume larg ardhjen e anijeve në portin e qytetit.
Në atë kohe nuk kishte mjete komunikimi moderne që të lajmëronin ardhjen e anijeve në port përpara se ato të shfaqeshin vizualisht. Dhe të gjithë e kuptonin nga Patsy Ann që një anije ishte duke ardhur.
Nuk gabonte kurrë në reflekset e saj dhe gjithmonë kërcente në ujërat e akullta të portit e notonte drejt anijes të sapoardhur. Ishte absolutisht përshëndetësi i parë i të gjitha anijeve të sapoardhura në port. Shpesh bënte dhe postierin midis anijes dhe tokës duke marrë e çuar gjëra apo dokumenta nga njëra anë në tjetrën. Kur nuk vinin anijet, Patsy Ann vizitonte bizneset, hotelet e baret në rajonin e portit dhe përshëndetej e përkëdhelej nga gjithë pronarët e kalimtaret e rastit të cilët edhe ruanin ushqime për të. Për sjelljen dhe dhuntitë e saj Patsy Ann u bë e famshme dhe ishte ndoshta qeni më i fotografuar i kohës.
Ajo që e bëri vërtet të famshem Patsy Ann ishte se në vitin 1934, kryetari i bashkisë së Juneau, zoti Goldstein në një ceremoni zyrtare me pjesëmarrjen e zyrtarëve përkatës dhe parisë se qytetit, në mbështetje të një kërkese mbarë popullore të banoreve të qytetit, duke habitur botën me një gjë që s’ishte parë e dëgjuar ndonjëherë, i dha zyrtarisht Patsy Ann, pra një qeni, titullin “Official Greeter of Juneau, Alaska” që në shqip përkthehet si “Përshendetës zyrtar i Juneay, Alaska”.
Dhe akoma dhe sot e kësaj dite këto dokumenta ruhen në arkivat e qytetit…
Duhet të themi që titulli i përshëndetësit për atë kohë e me parë, ishte shumë i rëdesishem sepse prezantonte kulturën dhe edukatën e qytetit në takimin e parë me të sapo ardhurit. Për këtë normalisht zgjidheshin njerëz me kulture, pamje e sjellje të dallueshme.
Dhe të mendosh, një qytet në Alasken e larget e në atë kohë të largët, pa media e pa informacion ku sigurisht që ardhja e një anije që binte lajme e mallra nga bota e panjohur, përjetohej si një ngjarje shumë e rëndësishme. Pavaresisht se c’thanë, bënë dhe vendosen njerëzit për të, Patsy Ann nuk i mori dot vesh kurrë këto gjera. Duke ju gëzuar dashurisë së njerëzve, ajo vazhdonte njëlloj ritet e saj të përditshme…
Në ditën e fundit të marsit të vitit 1942, Patsy Ann u përcoll për në banesen e fundit nga të gjithë banorët e Juneay.
Në respekt të vendit ku jetoi e punoi, arkivoli i saj i vogel u ul, në atë pjesë të portit që njihet me emrin Gastineau Channel e që herë mbulohet e herë zbulohet nga baticat e zbaticat e detit../Te