Historia e Blerinës, që shkruan libra për fëmijërinë që nuk e pati kurrë

Blerina Proj është nga fshati Shalës, afër Konispolit, tani ajo jeton në qytetin e Sarandës. Ajo dërgoi një mesazh në instagramin e dritare.net dhe na bëri kureshtare ta njohim e t’ua tregojmë edhe juve.

Blerina është shkrimtarja e romanit për fëmijë dhe adoleshentë ‘’Princesha e trëndafilave të bardhë’’. Është shumë e re, e ’83.

Ishte fëmija e pestë e familjes, por më e lidhura me shkollën.

Unë qaja me orë të tëra nëse merrja një 9-të në shkollë.-tregon Blerina, për dritare.net.

Dhe leximin nuk e la kurrë. Shkroi një libër për femijët e saj dhe gjithë fëmijët që duan të lexojnë si ajo.

Blerina e ka dashur dhe do letërsinë se i duket e vetmja mënyrë të harrojë realitetin. Jeta e ka mbushur me  peripeci dhe vuajtje. Për tetë vjet me radhë ajo shkëlqeu në mësime, ishte me të gjitha dhjeta, gjithashtu ndihmonte dhe prindërit në punët e shtëpisë. Që e vogël ishte kujdesur për shtëpinë, punonte në  bujqësi  madje  ishte dhe një  çobane e zonja për bagëtitë e familjes së saj.

Por prindërit e Blerinës, nuk e lejuan që ajo të arsimohej. Përfundimi i klasës së tetë edhe pse me nota 10-ta ishte kontakti i fundit për Blerinën me shkollën.

Prindërit e panë si krah pune vajzën e tyre, sapo ajo bëri 14 vjeç, t’ju ndihmonte jo vetëm për bagëtitë por edhe si një punëtor llaçi, gurësh e tullash për shtëpinë trekatëshe që po ndërtonin në fshat.

Blerina u mërzit, qau për tre muaj rresht, mbajti inat por sërish e ndihmoi familjen. Shtëpia po ndërtohej, bagëtitë duheshin ruajtur, ajo mendjen e kishte te shkolla, nuk hoqi dorë nga dëshira për të studjuar.

Vëllai i madh i kishte sjellë një fjalor të gjuhës italiane, dëshira e madhe për të mësuar, bëri që Blerina të shkruajë dhe të flasë italisht.

Unë u vetë shkollova, edhe pse sot jam një njeri pa shkollë unë e flas dhe e kuptoj shumë mirë italishten, edhe gjuhën spanjolle jam në gjendje ta flas,-tregon duke qeshur Blerina.

Familja kishte nevojë për ndihmën time, dy motrat e mëdha ishin të martuara, edhe mami në ato kohë u sëmur, kujdesesha për dy vëllezërit më të vegjël, babi qe i burgosur politik, gjithë pesha  e familjes ishte mbi shpatullat e mia, -thotë ajo.

Shtëpia u ndërtua, dhe prindërit me përfundimin e shtëpisë vendosën ta fejojnë Blerinën vetëm një vit pas klasës së tetë, kur ajo ishte 15 vjeç.

As martesa nuk vonoi erdhi shumë shpejt, akoma pa festuar 16 vjetorin, Blerina u bë nusja e familjes  tipike shqiptare, ku burri nuk kishte përgjegjësi për femrën që do ishte nëna e fëmijëve të tij. Blerina vuajti sërish në familjen e saj të re që krijoi. Burri nuk i jepte rëndësi dëshirave për arsim dhe dije të bashkëshortes  së re, ndoshta edhe donte por nuk duhej tu kthente fjalën  familjarëve të tij. Edhe gjendja ekonomike në shtëpinë e burrit të Blerinës ishte e keqe.

LEXO DHE :  Paskal Milo flet për Mid’hat Frashërin: Politika është hija e tij si albanolog, s’e ka vendin te Frashërllinjtë

Blerina edhe pse u martua në qytet, shpresoi se diçka do të ndryshonte në jetën e saj, por jo, pas dy vjetësh martesë ajo u bë nënë për herë të parë, dhe solli në jetë një vajzë në moshën 17 vjeçare.

Vitet kalonin, hallet për Blerinën sa vinin dhe shtoheshin, kujeses për vajzën punët e shtëpisë.

Pas dy vjetësh vjen në jetë edhe vajza e dytë, e më vonë dhe një djalë. Blerina ka 3 fëmijë dhe si çdo nënë tjetër ndihet e lumtur për familjen e saj.

Burri punon shofer taksie, gjendja ekonomike në të cilën janë  është sërish e keqe.

Këtu në Sarandë puna është vetëm gjatë sezonit të verës, kur qyteti mbushet me turistë, dhe e vetmja ndihmë që mund t’i jap burrit është që të flas në gjuhë të huaj me turistët dhe t’i siguroj klientë.-shprehet Blerina

Unë nuk u shkollova, por unë kam punuar shumë për dëshirat që kisha, librin e shkrova duke i kushtuar dy-tre orë çdo ditë, kur vajzat ishin në shkollë. Po punoj edhe për një libër të dytë, është pjesa e dytë e romanit tim të parë. Thellë – thellë unë brenda vetes jam fëmijë, prandaj kam përshkruar botën e fëmijëve, ajo më ka inspiruar, libri përshkruan momentet e imagjinuara nga unë, se çfarë është më e mira për të sunduar mbi të keqen.-tregon Blerina për dritare.net

Autorja,  herë herë është edhe me këmbë në tokë, por shumicën e kohës ajo arratiset në botën e fantazisë, është në sinkron me personazhet që ka sjellë në roman, xhudin, mbretëreshën e mirësisë, të ligësisë, me qengjin Alma dhe Larisa për të krijuar një roman fantazi.

Për qytetarët e Sarandës dhe të Vlorës romani i saj është shumë i njohur, dhe sipas Blerinës libri është pëlqyer dhe vlerësuar  maksimalisht, pritet të njihet edhe më gjerë e jo vetëm në Shqipëri. Nuk fitoi shuma marramendëse por Blerina ka ngelur e kënaqur nga fitimet që i solli libri i botuar. Ia kushtoj tim eti, këtë libër, thotë ajo. Ai nuk më lejoi të jetoja fëmijërinë që dëshiroja, të arsimohesha, por më ndihmoi ta botoj këtë libër me lekët e burgut.

Kjo grua e re që nuk dorëzohet është historia jonë e fëmijës që nuk pati fëmijëri, por e rikrijoi nëpër libra për fëmijet e saj dhe fëmijën brenda saj.

Kur e pyesim a ka një ëndërr, thotë ta bej film këtë libër, se fëmijët duan filma shqiptarë dhe të shkruaj, të shkruaj gjithnjë. Të vaftë mbarë, Blerina Prroj. Ne do të shkruajmë, sërish për ty!/A.C/dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.