Herën e parë e përmbyti uji, të dytën, varfëria/ Kukësi, qyteti fantazëm që po shpërngulet në Angli
Dritare.net
Së bashku me kolegun tim, Danielin, u nisëm herët në mëngjes për në Kukës, për të bërë një reportazh për Rrugën e Kombit që në fakt të dy mezi pritëm që ta përfundojmë sepse ishte një punë që e bëmë me qejf.
Sapo zbritëm në Kukës dhe filluam duke ecur në rrugët e atij qyteti, të dy bashkë shikonim njëri-tjetrin dhe prisnim të arrinim në qendrën që nuk e gjetëm kurrë, prisnim të arrinim në qytetin që vetëm qytet nuk kishte, prisnim të shihnim ndonjë gjë të bukur , por fatkeqësisht nuk e gjetëm gjithë ditën.
Ne të dritare.net, prej kohësh u tregojmë shqiptarëve vende të bukura, liqene, male, kodra, restorante e qoshe periferiah për të kaluar fundjavat, dhe sa herë ne shkruajmë, ato vende do të mbushen plot e përplot, por fatkeqësisht në Kukës nuk gjetëm një vend të tillë
Ndaj nuk do u tregojmë gjëra të bukura, por do u tregojmë varfërinë, skamjen, shpresën e vdekur, dhe trishtimin që morëm me vete.
Në mes të qytetit shihje pallate gjysmë të shembura, që askush nuk e kishte marrë mundimin as t’i lyente, në çdo lagje shihje rrugica të pashtruara, e biznese gati në shembje.
E teksa shkojmë tek tregu, futemi brenda dhe trembemi nga gjendja e tij, unë ecja para e kolegu im më ndiqte ngadalë pas, dhe më pas ndalonin e i thoshin njëri-tjetrit se, ku jemi? Në Irak, apo në Siri? Nuk e dinim se në cilin shtet është bërë më shumë shkatërrim nga lufta, por e kishim mjaft të qartë se në Kukës nuk ka pasur as luftë e as shkatërrim, por ka pasur një lënie pas dore, mosinvestime, indiferencë e braktisje.
Duke ecur rrugës së tregut, shihje bishta lopatash e kazmash që shiteshin me bollëk, e tregtarët ankoheshin se ka konkurrencë të madhe, e mendoni dot si është jeta në një vend ku konkurrenca është se kush shet më shumë bishta lopatash?!
“Ky vend ka marrë fund, nuk ka investime, qeveria dhe Bashkia na kanë harruar”,- ulëret një zotëri nga krahu tjetër i rrugës teksa ne po bisedonim me një djalë të ri, të cilit i kishin humbur shpresat për të ndërtuar një jetë në Kukës.
Pak më tutje ndodhej tregu u bagëtive, dhe ajo ishte dita kur shiteshin bagëtitë nga I gjithë qarku i Kukësit. Pse ka kaq pak njerëz, dhe kaq shumë hapësirë?,-pyes unë një zotëri. Sepse dikur u mbushte plot, sot nuk ka njerëz, nuk ka para, e nuk blen më askush, asgjë,-më përgjigjet zotëria.
Tregtari që shiste pajisje të ndryshme blegtorale pak më tutje, ishte rreth të 40-tve, i ofrohemi dhe bisedojmë me të, “Çfarë të them, ja ku është malli, prej muajsh i pashitur”,-thotë ai, dhe shqelmon një arkë me gomina të pluhurosura, duke na treguar se ato janë prej muajsh, ndoshta prej vitesh aty pa u prekur.
E vetmja gjë e bukur që i bëri përshtypje Danielit, kolegut tim ishte Gjallica, mali që ngrihet përballë qytetit, i mbuluar nga dëbora dhe i rrahur nga rrezet e diellit, mali që qëndronte atje pa lëvizur, pa u shfrytëzuar nga askush, për asgjë, as për turizëm, edhe pse është një mal magjik.
Ishte mesi i ditës dhe ne u ndalëm tek një zotëri që shiste banane, sa është kilogrami?,-pyesim ne. 2000 lekë,-përgjigjet ai. Marrim dy, dhe ia japim t’i peshojë, mos i peshoni, merrini 600 lekë,-tha tregtari si për të treguar se, shyqyr që erdhi dikush, merrini me sa të doni, thjesht merrini.
Ikim dalëngadalë nga Kukësi i varfër, nga Kukësi pa shpresë, nga Kukësi që priti miliona kosovarë gjatë luftës por sot është harruar nga të gjithë, ikim nga ai vend ku heshtja, dhe skamja kanë pllakosur çdo cep të tij.
Nuk është cudi pse kanë ikur, nuk është çudi as që u revoltuan një të shtunë dhe shkatërruan gjithçka, çudi për ne të dy, është si jetojnë akoma në atë qytet fantazëm.
Kuksianët, heren e parë, kur qytetin ia u përmbyti hidrocentrali, ia dolën të ndërtojnë një qytet nga e para. Por ishte koha e Hoxhës. Tani në kohën e Berishës dhe Ramës, po e bejnë sërish qytezën e tyre, por jo këtu, në Angli. Ju shkoftë mbare vëllezër!/ dritare.net