Hasi është i varfërisë dhe emigrimit

Nga Isa Myzyraj

Kur jetoja në Has, sa herë përmendej Brenoga, të gjithë e identifikonim me fshatin e humbur, me fshatin e thellë, me fshatin që rruga iu shtrua vetëm para pak vitesh.

Në Tiranë e qytetet e mëdha, Hasi është rrethi i largët, është rrethi i varfër, është rrethi që sa herë përmendet menjëherë të shkon mendja te Londra, dhe kjo jo kot, por sepse hasjanët kanë ikur masivisht. Tani, në kohën kur droga duket se mori fund, askush nuk ulëret më, droga, droga, droga. Hasi bëhet kryelajm, në Branogë fshatin e largët gjendet një laborator heroine, arrestohet një familje, nga djali 15 vjeç te më i moshuari, që mesa kuptova, policia e ka kapur për krahësh, nga mosha e thyer dhe e ka dërguar në qeli.

E kujt ia merrte mendja se, në rrethin e largët të Hasit, e në fshatin akoma më të largët  Brenogë, ku edhe telefoni mezi kap valë, do të gjendet ky laborator heroine, dhe nuk është laborator dosido, por është laborator i një droge të fortë.

Por, sot të gjithë ata që ulërasin lart e poshtë për laboratorin, të gjithë ata që drejtojnë gishtin nga kundërshtari politik, të gjithë duhet të heshtin për Hasin. Duhet të heshtin, sepse ata nuk e njohin Hasin, ata shkojnë në Has vetëm kur ka fushata elektorale, dhe për asnjë arsye tjetër.

Duhet të heshtin, sepse janë ata fajtorë që Hasi është sot, ashtu si është.

Ata heshtën kur mediet e botës, dhe në vendin tonë shkruan vazhdimisht se si po boshatiset ai vend, heshtën kur varfëria kishte pllakosur dyert e hasjanëve, heshtën kur shkuan në Has dhe panë se akoma nuk ka rrugë makine të shtruar, heshtën kur fshatrat e Hasit mbetën nga një muaj të bllokuar në dëborë, heshtën për vite me radhë.

LEXO DHE :  De Biazi qenka çuditur me shqiptarët: Hanë në mënyrë të ekzagjeruar, autobusi si diskotekë

Hasi nuk ka qenë kurrë i kanabisit, i heroinës, i drogës, Hasi ka qenë i varfërisë, i eksodit drejt Londrës,  pas kamionëve e në gomone, ka qenë i bjeshkëve të bukura që nuk u përmendën kurrë, Hasi ka qenë i fshatrave turistikë që nuk vuri kush dorë dhe sot edhe po të vënë nuk ka çfarë i duhet kujt, se kanë ikur të gjithë. Ka qenë Hasi i qetësisë dhe njerëzve punëtorë, jo i krimeve dhe kriminelëve.

Hasi pak njihet, por ata që e njohin e dinë mirë që një 17-vjeçar atje, nuk ka ëndërr të shkollohet sepse e di që familja e tij nuk ka mundësi, ai nuk ka ëndërr pube-t e natës, apo jetën e shfrenuar, ai 17-vjeçar ka ëndërr Londrën, ëndrra e tij e vetme është vetëm ikja.

Në fshatrat e Hasit nuk ka shkolla, por fëmijët udhëtojnë 2-3 orë për shkollën më të afërt, atje nuk ka qendra shëndetësore, nuk ka lokale, as makina luksoze, por atje ka rrugë të pashtruara, toka që punohen nga të moshuarit që kanë ngelur vetëm, ndonjë dyqan që hapet nga një orë në ditë me produkte ndoshta disa mujore stok, sepse nuk ka kush i blen.

Këtë herë u njoh Hasi i drogës, por Hasi ka shumë më shumë se droga./dritare.net

 



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.